Nga Fatos Tarifa
Mbrëmë nisa të ndiqja me interes në Top Channel një emision kushtuar protestës së djeshme të studentëve në Tiranë. Më tërhoqi veçanërisht fakti që shumica e të ftuarve në studio ishin studentë. Por u zhgënjeva shumë shpejt. Dhe u zhgënjeva shumë.
Gjithnjë kam besuar—dhe vazhdoj të besoj—se studentët përfaqësojnë pjesën më të emancipuar të rinisë dhe të shoqërisë. Kudo. Pra, edhe në Shqipëri.
Si profesor, komunikoj çdo ditë me studentë në auditorë dhe e di përse flas. Shumë prej tyre janë të mrekullueshëm: të pjekur, racionalë, realistë, me mendim të pavarur dhe me një ndjenjë të zhvilluar përgjegjësie qytetare.
Mbrëmë, me një a dy përjashtime, pashë dhe dëgjova studentë të tjerë. Me të drejtë të pakënaqur e të revoltuar, por që nuk dëshmuan se ishin në gjendje të shihnin përtej së përditshmes, përtej asaj që duket dhe përjetohet subjektivisht.
Nuk arrita të kuptoj qartë se çfarë kërkonin, përveç kushteve më të mira në universitete, dhe as çfarë synonin të ndryshonin. “Establishmentin”, përsëriste një studente. “Korrupsionin”, thoshte një tjetër. “Të vrasim tigrin”, u shpreh njëri prej tyre. “Të përshkallëzojmë protestën”, kërkonin disa të tjerë. Madje, “dhunës shtetërore t’i përgjigjemi me dhunë”.
Fjalë zemërimi. Dhe zemërimi i tyre është i ligjshëm. Edhe unë jam i zemëruar, madje shumë, me mënyrën se si qeveriset sot vendi dhe, veçanërisht, me arrogancën e kryeministrit.
Studentët e pranishëm në studio i konsideruan korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes dhe arrogancën e kreut të qeverisë si shkaqe themelore të indinjatës së tyre dhe të protestave që kanë vazhduar prej më shumë se katër muajsh.
Në këtë pikë, jam plotësisht dakord me ta. Ndaj të njëjtin shqetësim dhe të njëjtën revoltë qytetare. Edhe unë protestoj bashkë me ta, por në mënyrën time dhe me mjetet e mia.
Ky kryeministër nuk meriton ta drejtojë më qeverinë e këtij vendi. Koha e tij politike ka përfunduar me kohë. Kjo qeveri që kemi nuk gëzon më besimin e qytetarëve shqiptarë dhe s’mund të vazhdojë të qeverisë.
Premtimi për ngritjen e flamurit shqiptar në Bruksel, nën qeverisjen e kryeministrit aktual dhe falë meritave të tij, është kthyer në një alibi politike dhe në një iluzion që gjithnjë e më pak shqiptarë e besojnë. Përjashtim bëjnë, ndoshta, Sarat dhe Zegjinetë që ka zgjedhur t’i vejë në rresht, si edhe ndonjë komsomolas i zellshëm, si ai që pashë mbrëmë në studio.
Por unë jam kundër dhunës. Dhuna mund t’i trazojë ujërat dhe t’ia prishë qetësinë qeverisë, por nuk është domosdoshmërisht një mjet për të arritur qëllimet e protestuesve. Madje, shpesh mund ta dëmtojë vetë kauzën për të cilën ata ngrihen.
Më tronditën veçanërisht fjalët e njërit prej të rinjve në studio, i prezantuar si “influencer”, sipas të cilit, meqë rrugët dhe trotuaret e Tiranës janë ndërtuar me taksat tona, ne paskemi të drejtë edhe t’i shkatërrojmë ato.
Çfarë logjike absurde! Më kujtoi ludistët e Anglisë së shekullit të 19-të, të cilët shkatërronin makineritë, duke i konsideruar ato përgjegjëse për mjerimin e tyre. Të rinj si ky djalë, që e përligh shkatërrimin e gjithçkaje të ndërtuar me taksat e mia dhe të prindëve të tij, nuk kanë mbështetjen time.
Dhuna mund të justifikohet vetëm në rrethana ekstreme, kur të gjitha mjetet e tjera janë shteruar dhe kur një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet e të triumfojë ndryshe. Por askush prej atyre të rinjve mbrëmë në atë studio televizioni nuk arriti të shpjegonte bindshëm se cila ishte kauza e tyre përtej revoltës ndaj qeverisë.
Përmbysja e establishmentit? Mirëpo, për ta zëvendësuar me çfarë? Me një establishment të ri? Një fjalë goje. Si do të ishte ai? Kush do e krijonte? Mbi çfarë parimesh dhe me cilët njerëz?
Të protestosh kundër diçkaje është e lehtë. Të dish se për çfarë proteston dhe çfarë dëshiron të ndërtosh në vend të saj është shumë më e vështirë.
Dhe ç’lidhje kishte Bashkia e Tiranës me zemërimin e tyre? Çfarë fitohet duke sulmuar apo dëmtuar institucionet dhe hapësirat publike që u përkasin të gjithë qytetarëve?
Ekziston një mënyrë shumë më e qytetëruar, më demokratike dhe, në rrethana të caktuara, shumë më efektive për arritjen e qëllimit që duam sesa dhuna në rrugë: rezistenca paqësore. Historia ka dëshmuar se ajo mund të bëhet një forcë e jashtëzakonshme ndryshimi edhe për kauza shumë më të mëdha dhe përballë pushteteve shumë më represive.
Përfytyroni, për shembull, dyqind apo treqind vajza të reja, studente—jo më shumë—të ulura paqësisht në shesh ose në bulevard, përpara zyrave të qeverisë. Të heshtura, të vendosura, të palëkundura. Dhe rreth tyre, po paqësisht, mijëra të tjerë: shokë e shoqe me të cilët ato studiojnë në auditorët e universiteteve, pedagogë, prindër dhe qytetarë që mbështesin kërkesat e tyre.
Një protestë e tillë, e organizuar mirë, me kërkesa të qarta dhe e vazhduar me këmbëngulje, mund të ushtronte një trysni morale e politike shumë më të madhe sesa gurët, flakët apo shkatërrimi i pronës publike.
Sepse forca e një proteste nuk matet me dëmet që ajo shkakton, por me legjitimitetin e kauzës që mbron dhe me mbështetjen që arrin të fitojë.
Mbi të gjitha, mbi ato vajza studente që do ta shprehnin indinjatën dhe vendosmërinë e tyre duke qëndruar ulur, paqësisht e në heshtje, përpara selisë së qeverisë, deri në dorëheqjen e saj, askush nuk do të guxonte të ngrinte dorë pa ngjallur indinjatën dhe pa merituar mallkimin e mbarë shoqërisë.
DITA
