Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Episode zhgënjyes e dëshpërues në nivel personal e shoqëror
Siç rritemi në moshë, shumë nga ne bëhemi më zemërgjerë, më tolerantë e më të mirëkuptueshëm, por edhe reflektojmë më shumë e më thellë mbi përvoja të së shkuarës dhe gjykojmë më drejt për to.
Meqenëse për dyzet vite të jetës sime i jam përkushtuar veprimtarisë akademike, si pjesë e stafeve akademikë në disa universitete shqiptarë e të huaj, është e pamundur të mos kthehem pas në kohë e të mos reflektoj e gjykoj, nga perspektiva e sotme, për dukuri, ngjarje apo episode të veçantë.
Në pjesën më të madhe të rasteve këto reflektime janë pozitive—nga koha kur, si studentë të filozofisë e të shkencës politike në Universitetin e Tiranës, në mesin e viteve 1970, konkurronim mes nesh për më shumë dije e progres intelektual, frymëzuar nga pedagogët tanë të shkëlqyer (Alfred Uçi, Zija Xholi, Luan Omari, Arben Puto, Bujar Hoxha, Kristaq Angjeli, Tefik Çaushi e të tjerë); nga vitet e para të mësimdhënies e të veprimtarisë kërkimore për mbrojtjen e së parës gradë shkencore në mesin e viteve 1980; më vonë gjatë sozhurnit tim akademik si një “Fubright scholar” në Shtetet e Bashkuara dhe në vitet e studimeve doktorale në atë vend, në fillim dhe në mesin e viteve 1990; në përvojën akademike shumëvjeçare në Hollandë e në disa universitete amerikanë e deri në këto 15 vitet e fundit si profesor i sociologjisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në dy universitete privatë në Tiranë: UET dhe UNYT.
Nuk mendoj se është në natyrën njerëzore të kujtojmë më shpesh ngjarje negative, edhe pse këto mbeten me ne për një kohë të gjatë e vazhdojnë të na dëshpërojnë, por edhe të reflektojmë për to. Ndërsa presim fillimin e këtij viti të ri akademik, disa episode të tillë dëshpërues e zhgënjyes më vijnë ndërmend tek shkruaj këto radhë.
***
Kur në mesin e viteve 1990 studioja në University of North Carolina në Chapel Hill (SHBA) për të fituar gradën PhD, rastësisht “zbulova” në Internet CV-në e njërit prej ish-studentëve të mi e më vonë koleg i imi në Universitetin e Tiranës. U zhgënjeva pa masë kur vura re se në CV-në e tij ishin shënuar veprimtari dhe punë akademike të miat, kopjuar nga CV-ja ime në atë kohë dhe shënuar në të tijën, pa hequr apo shtuar as pikë, as presje.
Gjatë një vizite në Tiranë në ato vite ia vura në dukje zhgënjimin dhe indinjatën time personit në fjalë për sa më sipër dhe ai, pa iu skuqur dhe pa iu nxirë faqja, pa kërkuar ndjesë, madje pa pikë turpi (periudha postkomuniste u nxorri kallajin shumë njerëzve), më tha se këtë e kish bërë duke menduar se unë s’do të kthehesha më në Shqipëri dhe se, nga përtej Atlantikut nuk do të mund ta “zbuloja” dot paudhësinë e tij. Më tej u “justifikua” me fjalët se dëshironte edhe ai që, si unë, të ecte përpara, të krijonte një CV të pasur e të bënte përpara në karrierë.
Të bënte përpara në karrierën e tij akademike! Me punën e të tjerëve, jo me punën e tij. Me mundin e të tjerëve, jo me mundin e tij. Me meritat e të tjerëve, jo për meritat e tij.
Mos u habisni! Në Shqipëri kjo është vërtet e mundur. Personi në fjalë sot është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë!
***
Disa vite më parë, një ish-studentja ime në Universtetin e Tiranës, së cilës i kisha dhënë leksione mbi gjeopolitikën e shekullit të 21-të, mbrojti një disertacion doktoral me subjekt Amerikën. E lexova me interes punimin e saj, por i zhgënjyer konstatova se një pjesë e madhe e tekstit të atij disertacioni ishte marrë (copy-pasted) nga libri im Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian (Ombra GVG, 2008).
Ia vura në dukje këtë fakt dhe ajo u justifikua duke thënë se e kishte cituar librin tim plot 38 herë (citime ndonjëherë më të gjatë se një paragraf, ose një faqe e tërë e librit) dhe në çdo rast kishte përmendur burimin nga ishte marrë citati. Kjo ishte e vërtetë. Por, nëse disertacioni i saj nuk mund të konsiderohej si plagjiarizëm, ai nuk ishte aspak original.
Kjo “metodë” është bërë gjerësisht e përdorur te ne dhe mund të them se është një ndër arsyet që shpjegon mungesën e origjinalitetit në shumë punime “shkencore”, evazionin akademik dhe numrin e shtuar në mënyrë gati qesharake të gradave dhe titujve shkencorë që japin institucionet tona të arsimit të lartë dhe ato të kërkimit shkencor.
Personi në fjalë e mori gradën “doktor” në shkencë dhe, ndoshta, sot që shkruaj, mund t’u jetë shtuar radhëve të profesoratit shqiptar.
***
Ishte jo aq dëshpërues se sa një habi e vërtetë kur, disa kohë më parë, më rastisi të lexoja një artikull të një studenti shqiptar nga Kosova. Më tërhoqi vëmendjen titulli i tij: “Imazhi i Kosovës dhe nevoja për një diplomaci publike efektive”. Nisa ta lexoj, por ç’të lexoja! Nga fjalia e parë tek e fundit ai artikull ishte një kopje e plotë e një artikulli botuar nga unë në gazetën Dita disa vite më parë, më 11 dhe 12 dhjetor 2013, titulluar “Imazhi i Shqipërisë dhe nevoja për një diplomaci publike efektive”. Ishte zëvendësuar vetëm emri Shqipëri me emrin Kosovë në titull dhe në tekst dhe nuk qenë përmendur emrat e Ismail Kadaresë dhe Edi Ramës. Gjithçka tjetër—fjalë për fjalë e presje për presje— ishte puna ime.
Në atë kohë, personi në fjalë, nëse nuk gabohem, studionte në Francë, ndërsa artikulli “i tij” ishte botuar në një gazetë të Kosovës. Franca, mesa duket, nuk i kishte qenë shumë e dobishme edukimit të tij.
Në një epokë paradigjitale plagjiarizmi i tij do të kish mbetur i pazbulur, por në kohën e sotme ai del sheshit në dritë të diellit fare lehtësisht. Në atë kohë e përmenda këtë rast në një prej artikujve të mi botuar në Dita, duke e këshilluar atë student se nuk mund të bënte përpara në karrierë e në jetë me mundin, punën dhe meritat e të tjerëve.
***
Puna më ka lidhur dhe rasti e ka sjellë që të konstatoj se njëri prej kolegëve të mi—profesor edhe ai, por që nga marrja e këtij titulli dyshoj nëse ka prekur libër në dorë—të lexojë në çdo konferencë ku merr pjesë, brenda vendit apo në trojet shqiptare në rajon, të njëjtat dy a tri kumtesa që ka shkruar vite më parë, duke ndërruar vetëm titujt e tyre. Nuk di ç’të them. E pabesueshme, por e vërtetë.
***
Disa vite më parë, një koleg i imi, mjaft më i ri në moshë, më kërkoi ta ndihmoja duke “hyrë mik” te kryetari i komisionit të mbrojtjes së disertacionit të tij doktoral. Ky i fundit, siç më tha në atë kohë kolegu im i ri, kishte dy vjet që e “sorollaste” me argumentin se disertacionit të tij i mungonin krejtësisht të dhënat empirike. Me fjalë të tjera, studimi ishte kryer dhe shkruar, përfundimet ishin nxjerrë, por faktet nuk ishin gjëkundi!
Edhe po të kisha mundësi, nuk do të kisha bërë asnje përpjekje për të ndërhyrë në favor të tij, sepse, si sociolog, e di mjaft mirë rëndësinë që kanë faktet sociologjikë për studimin e dukurive e të marrëdhënieve shoqërore.
Pa kaluar as pesë a gjashtë muaj, i njëjti koleg më takoi e më dha sihariqin se e kishte mbrojtur disertacionin e tij. Të njëjtin disertacion. Para të njëjtit komision profesorësh. Nuk e fsheha habinë time: “Si?”, e pyeta, “ç’ndodhi këtë herë? Po të dhënat empirike?”.
Me një ndjesi triumfaliste, por pa pikë galjeje, më tha: “Sajova një pyetsor, sajova dhe ca të dhëna në atë mënyrë që të konfirmonin përfundimet e mia, dhe i përfshiva ato në disertacion. E mbrojta më në fund”!
Kolegu në fjalë mori në atë kohë gradën “doktor” në shkenca në Universitetin e Tiranës dhe sot është profesor në një prej universiteteve privatë këtu.
Me studime të tilla dhe me doktorë shkencash e profesorë si ky—dhe si ky ka shumë të tjerë—shkencat tona shoqërore nuk do të bëjnë kurrë përpara.
Faktet? Ç’na duhen ato? Kujt i hyjnë në punë. A nuk thoshte Niçe se “nuk ka fakte, ka vetëm interpretime”. Dhe kolegu im niçean, njëlloj si Andrew Roony, mendon se faktet duhen marrë si të vërtetë vetëm nëse ata përputhen me ato çka besojmë ne vetë.
***
Nëse personat për të cilët shkruaj më sipër do ishin përmendur me emër, kjo s’do të ndryshonte asgjë. Lexuesi mund të jetë kurioz, por unë nuk shkruaj për të shuar kuriozitetin e tij. Vetë këta individë, nëse qëllon t’i lexojnë këto radhë, e kuptojnë se bëhet fjalë për ta.
Rastet që solla nuk janë krejt unikë, por përfaqësojnë dukuri që kanë bërë vend me kohë në institucionet dhe në jetën akademike të vendit tonë. Nëse raste si këta që përmenda, në një nivel personal, për shkak të asosacionit me to, janë zhgënjyes e dëshpërues për mua, në nivel shoqëror ata dëshmojnë dështimin e sistemit të vlerave e të promovimit meritokratik në academe në shoqërinë tonë.
Që kjo dukuri, e cila ka marë përmasa të gjëra, të mos e dëmtojë edhe më tej e të mos e asfiksojë jetën akademike në vendin tonë, ndërhyrja kërkohet të jetë e vendosur dhe energjike, në radhë të parë nga vetë profesorati shqiptar, nga opinioni publik dhe nga institucionet tona të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor.
—
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016