Një inaugurim i pazakontë në Turqi ka marrë vëmendjen e mediave dhe ka shkaktuar debate në rrjetet sociale. Në qytetin e Alacas, në provincën Çorum, një dyqan që shet të brendshme, përfshirë modele erotike, është hapur me lutje fetare, në një ceremoni ku morën pjesë edhe drejtues vendorë.
Bëhet fjalë për dyqanin “RED İç Giyim”, pronare e të cilit është Çiğdem Yılmaz. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm kryebashkiaku i Alacas, Şerif Arslan, drejtuesit lokalë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), si dhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe qytetarë.
Gjatë aktivitetit, një imam lexoi lutjen, ndërsa më pas shiriti i inaugurimit u pre nga kryebashkiaku dhe të pranishmit. Pikërisht pamjet e ceremonisë fetare, të zhvilluar për hapjen e një dyqani të këtij lloji, u bënë objekt diskutimi dhe kritikash në rrjetet sociale.
Pas reagimeve, Şerif Arslan doli në mbrojtje të pjesëmarrjes së tij. Ai tha se kishte shkuar me ftesë të pronarëve, pasi bëhej fjalë për hapjen e një biznesi, dhe theksoi se nuk kishte hyrë brenda dyqanit.
“Imami e teproi pak”, u shpreh kryebashkiaku, duke kundërshtuar edhe cilësimin e dyqanit si një biznes të paligjshëm. Sipas tij, shitja e të brendshmeve është një aktivitet i ligjshëm dhe produktet e tilla janë pjesë e nevojave të përditshme të njerëzve.
Ngjarja ka nxitur diskutime në Turqi jo vetëm për vetë ceremoninë, por edhe për praninë e përfaqësuesve politikë në një inaugurim që, për shkak të lutjes fetare dhe natyrës së produkteve që shiten, u kthye shpejt në një temë të komentuar në internet.
j.l./ dita
