Këshilli i Ministrave ka miratuar një ditë më parë disa ndryshime në përbërjen e grupit negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke rishpërndarë përgjegjësitë për disa kapituj të negociatave dhe duke caktuar emra të rinj në rolin e negociatorëve dhe bashkënegociatorëve.
Sipas vendimit, Tana Kika dhe Arian Jaupllari do të jenë bashkënegociatorë përgjegjës për Kapitullin 12, që lidhet me sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare.
Enkelejd Musabelliu merr përgjegjësinë si negociator për Kapitujt 1 dhe 6, ndërsa vijon të jetë bashkënegociator për Kapitujt 28 dhe 30.
Ndryshime ka edhe në fushën e financave. Andi Memeti do të jetë negociator përgjegjës për Kapitujt 32 dhe 33, si dhe bashkënegociator për Kapitullin 4. Ndërkohë, Natasha Ahmetaj do të jetë bashkënegociatore për Kapitujt 4 dhe 17.
Në sektorin e shëndetësisë, Denada Seferi do të mbulojë si bashkënegociatore Kapitullin 19, ndërsa Eugena Tomini merr përgjegjësinë për Kapitullin 28, që lidhet me mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik.
Për Kapitullin 8, që lidhet me politikën e konkurrencës, bashkënegociatorë do të jenë Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, dhe Mario Keputa, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ndryshime të tjera parashikohen edhe në kapitujt që lidhen me sistemin financiar. Endrit Yzeiraj do të vijojë të jetë negociator përgjegjës për kriterin ekonomik dhe Kapitujt 16 dhe 29, ndërsa do të marrë edhe detyrën e bashkënegociatorit për Kapitujt 9 dhe 17. Adela Xhemali, drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, do të jetë bashkënegociatore për Kapitullin 9.
Një tjetër ndryshim prek Kapitullin 22, për të cilin negociator përgjegjës emërohet Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, duke zëvendësuar Ervin Demon.
Vendimi parashikon gjithashtu ndryshimin e referencës për kapitujt që mbulon një prej strukturave të grupit negociator, ku Kapitulli 12 zëvendësohet me Kapitullin 13, krahas Kapitullit 11.
Ndryshimet synojnë riorganizimin e përgjegjësive brenda grupit negociator shqiptar, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë sot në Bruksel zhvillohet mbledhja e Grupit të Punës për Zgjerimin, ku do të shqyrtohen tre kapituj të negociatave me Shqipërinë.
Në fokus do të jenë Kapitulli 6 për të drejtën e shoqërive tregtare, Kapitulli 7 për pronësinë intelektuale dhe Kapitulli 13 për peshkimin dhe akuakulturën.
Në të njëjtën mbledhje do të diskutohen edhe kapitujt e negociatave për Malin e Zi, si dhe projekt-konkluzionet e Këshillit të BE-së për procesin e zgjerimit.
Vendimi i plotë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.24/2026, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Nënndarja “- Z. Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator përgjegjës për kapitullin 12;” zëvendësohet me “- Znj. Tana Kika, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 12 dhe Z. Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 12;”.
b) Nënndarja “- Z. Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 1 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 28 dhe 30;” zëvendësohet me “- Z. Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitujt 1 dhe 6, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 28 dhe 30;”.
c) Nënndarja “- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitujt 32 dhe 33;” zëvendësohet me “- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitujt 32 dhe 33, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4;”.
ç) Nënndarja “- Znj. Blerta Rama, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 6 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4;” shfuqizohet.
d) Nënndarja “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19 dhe 28;” zëvendësohet me “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;”.
dh)Pas nënndarjes “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;” shtohet “- Znj. Eugena Tomini, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 28;”.
e) Nënndarja “- Z. Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, negociator për kapitullin 8;” zëvendësohet me “- Z. Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 8 dhe z. Mario Keputa, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 8;”.
ë) Nënndarja “- Znj. Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernator i dytë në Bankën e Shqipërisë, negociator përgjegjës për kapitullin 17 dhe bashkënegociator për kapitullin 4;” zëvendësohet me “- Znj. Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernator i dytë në Bankën e Shqipërisë, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 4 dhe 17;”.
f) Nënndarja “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriterin ekonomik, kapitujt 16 dhe 29;” zëvendësohet me “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriterin ekonomik, kapitujt 16 dhe 29, dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 9 dhe 17;”.
g) Nënndarja “- Znj. Adela Xhemali, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, negociator përgjegjës për kapitullin 9;” zëvendësohet me “- Znj. Adela Xhemali, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritett të Mbikëqyrjes Financiare, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 9;”.
gj) Nënndarja “- Z. Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, negociator përgjegjës për kapitullin 22;” zëvendësohet me “- Z. Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, negociator përgjegjës për kapitullin 22;”.
2. Në shkronjën “e”, të pikës 6, fjalët “… për kapitujt 11 dhe 12 …” zëvendësohen me “… për kapitujt 11 dhe 13 …”.
II. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të vendimit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
j.l./ dita
