Eksperti i sistemit të pensioneve, Ramadan Kondi komentoi lajmin se në tetor do të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë. Në tetor do të bëhet indeksimi i radhës, por sa para do të marrin ata më shumë? Sipas tij, kjo gjë është e padrejtë pasi rritja duhej bërë që në janar. “Edhe kjo është e padrejtë pasi duhet të ishte bërë që në muajin janar. Indeksi i vitit 2023 është 11%, sikur të bëhet 11% pensioni mesatar do të rritet 1850 lekë”, tha eksperti në A2 CNN.
Nga ana tjetër, Z.Kondi ka treguar edhe një skemë të re që do të sjellë ndryshime drastike te pensionistët. Ai ka komentuar raportin, se 1 në 5 shqiptarë sot është i moshuar. Përveçse më pak, jemi dhe më të plakur. Nga rreth 2,4 milionë qytetarë në total, më shume se 437 mijë janë mbi 65 vjeç. Kjo ka bërë që raporti i varësisë së të moshuarve, që llogarit numrin e personave mbi 65 vjeç me ata në moshë pune, rritet në 30,4 përqind, nga 16,7 përqind në vitin 2011. Ramadan Kondi theksoi se më negativja është sot se te popullata ka një mosbesim sa i përket përfitimeve në moshën madhore. “Në 10 vitet e fundit është ulur numri i kontribuuesve dhe në të njëjtën kohë është rritur numri i përfituesve.
Megjithatë, kjo është një plagë që do shumë punë për t’u korrigjuar pasi lidhet me shumë faktorë. Më negativja është që sot te popullata ka një mosbesim sa i përket përfitimeve në moshën madhore. Rritja e moshës dhe ndryshimet strukturore, si dhe lëvizja natyra e popullsisë, kanë krijuar një pështjellim në skemën e pensioneve. Nuk ka gjë që nuk korrigjohet, por në radhë të parë si do të bëhen politikat e këtij sistemi. Nuk bëhen studime të thelluara që të perceptohen drejtë edhe nga shtresa e gjerë e popullsisë për të marrë pjesë në këtë skemë”.
Si mund të korrigjohet skema?
Por si mund të korrigjohet skema e pensioneve duke pasur parasysh plakjen e popullsisë me ritme të shpejta? Për ekspertin, duhet të punohet që skema e pensioneve duhet të shtrihet dhe këtu ai përmend edhe studentët. “Ne duhet të punojmë për të shtrirë skemën e pensioneve. Edhe ai që ka dalë në pension, është i detyruar të punojë, në fakt ne ja kërkojmë kontributet, por duhet t’i kthejmë diçka që ta bëjmë edhe atë të interesuar. Skema e pensioneve duhet të shtrihet edhe te studentët.
i.b./dita
