Redaksionale
Kryeministri Edi Rama foli në Paris për një “tenxhere që zien” dhe një shndërrim të protestave në vendin e tij në diçka të dhunshme e komplekse. “Kanë mbetur një numër i vogël, bëjnë dhunë, kjo nuk ështl e pranushme” thotë në 2026 ish-drejtuesi i protestës së 21 janarit. Çfarë nuk është e pranueshme?
U fshinë nga rruga qytetarët paqësorë me dhunime të rënda policësh që vepronin si të droguar, më pas me gjoba, presion dhe intimidim. Çdo zë kritik e delegjitimon si “gjepura” apo i vë njollën e ndonjë agjende të errët. Quhet medemek “politikë”. Dakord, ashtu e quajmë, por çfarë po bën? Çfarëdo që mendon se po bën, nuk po shuan dot as pakënaqësinë dhe as arsyen pse ato protesta nisën. Po bën pikërisht atë që duhet, por jo për ta zgjidhur nyjen, por për ta prerë, për ta këputur, për ta filtruar turmën.
Largon qytetarin e ndërgjegjshëm, familjarin, studentin që të kërkon llogari të ligjshme për të ardhmen, dhe në shesh lë vetëm dy kategori, ata që skenari i pushtetit i do për t’u dhënë alibi kamerave, dhe ata që kanë vendosur t’i përgjigjen dhunës institucionale me gurë.
Nuk është hera e parë. Çdo lëvizje e mirëfilltë rinore apo qytetare që ka lindur spontanisht, që nga dhjetori 90 e deri te ajo që nisi për projektet klienteliste si ai i Jared Kushner, apo për krizën e përditshme, është përballur me të njëjtën taktikë. Injorim fillestar, përbaltje, dhe në fund shtypje selektive.
Paqja e protestuesve u bë e papërballueshme për pushtetin. Fusha i lëshohet radikalizmit të detyruar. Simbiozë e heshtur ku sistemi, përmes mekanizmave të tij të kontrollit apo lojës së vjetër të gogolit, gjen justifikimin e përsosur për të thënë: “Ja, e patë? Këta nuk duan dialog, këta duan dhunë”.
E njëjta metodë, me të njëjtët regjisorë, që dikur mbanin “pardesy të bardha”, është përdorur për të shuar çdo shkëndijë shprese se në këtë vend mund të ketë ndryshim përmes fjalës dhe revoltës civile.
Rama mund të krenohet në sallat e Musée de l’Homme se numrat ranë dhe se “tenxherja” është thjesht një çorbë e prishur nga armiqtë. Por kjo është vetëm optika e atij që e sheh Shqipërinë nga dritarja e charterit ose e sallave të konferencave ndërkombëtare.
Në terren, ajo që ka ndodhur nuk është shuarje e protestës, por mbyllja e ventilave të komunikimit normal. Dhe kur mbyll ventilat, presioni brenda kazanit nuk ulet, ai rritet.
Revolta nuk vritet, ajo vetëm kompresohet. Nga lulja që dhurohej në fillimet e protestave dikur, u kalua te gurët. Nga gurët, nesër, dinamika mund të jetë krejt tjetër, sepse çdo gjeneratë që rritet nën diktat cinizmi kupon vetëm një gjuhë kur dëshpërimi bëhet total.
Pushteti i të dyja “palëve” le të festojë fitoren e radhës mbi rrugët e zbrazura të Tiranës. Betejën me të vërtetën e ka hunbur. Nuk e kanë vrarë revoltën, përkundrazi, e kanë ushqyer, e kanë bërë më të errët, më të thellë dhe, fatkeqësisht, më të rrezikshme për vetë themelet e një paqeje sociale që tashmë ekziston veç në fjalimet e Parisit.
DITA
