Nga Fatos Tarifa
Sot, ndërsa Tirana përjeton sërish dhunën e protestave politike, mendja më rri te një fëmijë tetëvjeçar. Nipi im i shtrenjtë.
U kthye në shtëpi i trembur. Në sytë e tij kishte diçka që s’duhet të jetë kurrë në sytë e një fëmije: frikën nga bota e të rriturve. Nga ajo botë që ne duhet ta bëjmë më të mirë për ta, por që, me sa duket, nuk kemi ditur ta bëjmë as më të sigurt.
Si të përsëriste një mësim të marrë në rrugë, shqiptoi fjalët që kish dëgjuar gjatë protestave: “Rama në burg! Berisha në burg!”
Nuk dita ç’t’i thosha kur i dëgjova ato fjalë. Nuk më bënë përshtypje emrat. As fjala burg. Më tronditi fakti që një fëmijë tetë vjeç, i cili duhet të flasë për lodrat, librat, shokët e shkollës dhe ëndrrat e tij, kishte dëgjuar kaq herët në rrugë gjuhën e urrejtjes politike.
E vështrova në sy. Ajo fytyrë e bukur. E pafajshme. Një qenie humane si një filiz i njomë që pret të rritet.
Tridhjetë vite më parë, djemtë e mi kishin parë ngjarje të dhunëshme në Tiranë, qyteti ku u lindën, të ngjashme me këto qe po sheh sot nipi im. Një spiral i këputur i zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Dhe unë, që atëherë isha baba e sot jam gjysh, ndiej një dhimbje që nuk di ta përshkruaj. Sepse njeriu mund ta pranojë dështimin e një brezi. Por si mund ta pranojë që dështimi i atij brezi të bëhet trashëgimi për fëmijët dhe nipërit e tij?
Çfarë kemi bërë ne në këta tridhjetë vite?
Ata që dikur premtonin ta shpëtonin Shqipërinë vazhdojnë të sillen sikur Shqipëria të ishte pronë e tyre. Njëri nuk do që të largohet nga pushteti. Tjetri nuk di të largohet nga dëshira për t’u rikthyer në pushtet. Dhe mes tyre qëndron një popull i lodhur, i zhgënjyer, gjithnjë e më shumë i pashpresë për të ardhmen e tij the të rinisë së këtij vendi..
Dhuna nuk sjell emancipim. Nuk është guxim të djegësh një qytet. Nuk është heroizëm të godasësh një polic. As nuk është forcë e shtetit të trajtosh çdo protestues si armik e ta dhunosh atë. Një demokraci, e cila qytetarët i dëgjon vetëm nëse këta ushtrojnë dhunë në rrugë dhe që për t’u mbajtur në këmbë përdor forcën e policisë, ka humbur diçka thelbësore nga kuptimi i saj.
Por sot nuk dua të flas për politikanët. Kam folur vazhdimisht për ta. Edhe për Berishën. Edhe për Ramën. Edhe për Belindin. Edhe për Taulantin.
Sot dua të flas për të drejtën e nipit tim dhe të të gjithë fëmijëve shqiptarë që të rriten pa frikë. Për të drejtën e tyre që të ëndërrojë një jetë të bukur në vendin e tyre. Për të drejtën që të mos e shohin Shqipërinë si një vend prej të cilit duhet të largohen sapo të rriten.
Unë nuk e di nëse do të jem ende mes të gjallëve kur nipi im të bëhet burrë. Nuk e di çfarë Shqipërie do të gjejë atëherë. Por e di se do të më dhembte shumë nëse, një ditë, ai do të më pyeste: “Gjysh, përse nuk bëtë diçka që ne të mos jetonim si ju?”
Si do t’i përgjigjesha?
Sot, kur nipi im shqiptoi emrat e dy politikanëve që kanë dominuar jetën shqiptare për dekada, kuptova diçka shumë të dhimbshme: Këta dy njerëz kanë marrë shumë nga jeta jonë, por nuk kanë të drejtë të marrin edhe fëmijërinë e mbesave dhe nipërve tanë.
E përqafova fort. Nuk i fola për Ramën, as për Berishën. Nuk i shpjegova ç’është njëri dhe kush është tjetri. Ai është ende shumë i vogël për të mbajtur mbi supet e tij peshën e dështimeve tona. Doja vetëm të ndiente se ishte i sigurt në krahët e mi dhe në gjirin e familjes së vet.
Tridhjetë vite më parë përqafoja djemtë e mi me shpresën se ata do të jetonin në një Shqipëri më të mirë. Sot përqafoj nipin me të njëjtën shpresë.
Sa e dhimbshme është për një gjysh të kuptojë se, pas tridhjetë vjlitesh, e vetmja gjë që mund t’i lërë trashëgim nipit të tij është e njëjta shpresë që nuk u bë realitet për fëmijët e tij.
DITA
