Nga Fatos TARIFA
Botuar në Dita
L.B., Një vajzë e re, e larguar nga Shqipëria mesa duket këto vitet e fundit, qahej këto ditë në një prej rrjeteve sociale se socialistët (1) e shkatërruan Tiranën, (2) na zbuan nga vendi ynë dhe (3) të gjithë politikanët e sotëm duhen hequr për t’u zëvendësuar me vajza e djem të rinj në moshë.
Kam tri komente të shkurtra për këtë zonjushë të dëshpëruar e të “dëbuar” nga vendi i saj.
(1) Nuk e di për cilën Tiranë flisni ju, zonjushë. Për Tiranën që ishte para se ju të vinit në jetë? Për Tiranën që Berisha e rrënoi në themel, e plaçkiti, e la pa drita e pa ujë, e fëlliqi, e mbushi me njerëz të ardhur nga të katër anët e vendit për t’u rrëmbyer pronat qytetarëve tiranas, për Tiranën që ai e varfëroi dhe e gjakosi me firmat piramidale? Për këtë Tiranë e keni fjalën? Kaq kujtesë të shkurtër keni?!
Nëse fjalën e keni për Tiranën qe filloi të pastrohet, të gjelbërohet, të ndryshojë e të transformohet kur drejtimin e bashkisë së saj e mori PS, me kryebashkiakun Rama, dhe që sot është bërë, me taksat tona, sigurisht, Tirana që kemi nën drejtimin e një tjetër kryebashkiaku socialist, si Veliaj, kjo do më habiste pa masë.
Nuk di se ç’është shkatërruar në Tiranë nga ajo që ishte veçse për t’u ndërtuar një gjë më e mirë, më funksionale e më moderne. Sheshi qendror? Pastrimi e gjelbërimi përgjatë Lanës dhe urat e reja mbi të? Dy stadiumet e tij? Parku i madh i liqenit? Teatri kombëtar? Pazari i ri? Bulevardi i ri? Unaza e madhe? Korsitë e biçikletave? Përse e keni fjalën?
Nuk e di nga jeni, ku keni lindur e jeni rritur, ku e keni kryer shkollën e mesme, por nëse s’keni jetuar e s’jeni rritur në Tiranë, zonjushë, nuk e di se cila Tiranë ju qenka “shkatëruar” juve.
Tirana ime, qyteti ku kam kaluar një jetë të tëra dhe prej të cilit ruaj kujtimet më të bukura nga koha e fëmijërisë, për mua dhe shumë të tjerë si unë është sot një qytet shumë më i bukur, jo një Tiranë e shkatërruar, por një Tiranë e rindërtuar, jo një qytet i vogël i botës së tretë, një miks stilesh otomanë, italianë dhe, kryesisht, socialistë, por një qytet modern e kozmopolitan, siç e kanë dëshiruar fëmijët e mi dhe brezi i tyre dhe siç do të donin ta trashëgonin edhe fëmijët e tyre.
(2) Kush ju ka përzenë juve, zonjushë, nga vendi juaj? Kush mund të t’ju perzinte po të mos donit ju vetë të largoheshit? Me zor nuk ju ka larguar e deportuar askush. Keni zgjedhur të ikni, keni prerë një biletë avioni ose trageti dhe jeni larguar. Me siguri j’u kanë uruar “rrugë të mbarë”.
Lërini keto përralla me eksode biblikë, sikur të kishit jetuar në Palestinë. Vërtet janë larguar shumë shqiptarë nga vendi i tyre, por jo vetëm kur vendi është qeverisur nga socialistët. Shumë u larguan kur vendi qeverisej nga Berisha.
Shumë të tjerë, përfshire dhe mua që po shkruaj, jemi kthyer në atdhe pas shumë vitesh jetesë e punë në profesionet tona në Perëndim. Nuk na ftoi atdheu, siç edhe nuk na zboi ai kur vendosëm, kushdo nga ne, si edhe ju, për arsyet e veta, të largoheshim prej tij.
Mjaft u qatë ju dhe shumë të tjerë si ju! Nuk përparon e nuk bëhet më e mirë Shqipëria nëse e lemë vendin tonë dhe ikim e pastaj, nga larg, qajmë, e shajmë dhe themi pse të votojmë?
(3) Ndershmëria, dituria, mençuria e përkushtimi nuk janë kualitete vetëm të njerëzve të rinj në moshë. Mos harroni se shumica e politikanëve që kemi sot, të cilët ju thoni se duhen “hequr” pasi janë të korruptuar, ishin edhe ata të rinj kur hynë në politikë, siç janë edhe këta që po “hyjnë” në pokitikë sot, duke krijuar parti të reja, ose duke iu bashkëngjitur partive të vjetra.
Nuk është pra çështje moshe. Do të kish qenë shumë e thjeshtë po të ishte thjesht çështje moshe. Ju, fjala vjen, duhet të jeni e re në moshë, por unë s’do ia besoja dot votën time një të riu në moshë si ju, sepse ju nuk më bindni. Ju më dukeni e paaftë të kuptoni se ç’nevoja ka ky vend, ç’duhet ndryshuar dhe si.
Nuk është çështje moshe. Një i ri në moshë mund të jetë i moshuar në mendime, ndërkohë që mund të jesh 50 vjeç e të mendosh si një i ri 33 vjeçar.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016