Nga Fatos Tarifa
Ky ishte mesazhi që mora nga ajo logorre fjalësh që tha, por edhe nga ato që nuk tha, z. Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, në Gjirin e Lalzit, larg protestave të studentëve dhe zërit të qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen.
Kërkesa e tij për përjashtimin nga Partia Socialiste të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës është një tjetër ogur i zi për këtë parti, për demokracinë e brendshme të saj dhe, ipso facto, për vetë demokracinë shqiptare.
Elisa Spiropali, një socialiste 24-karatëshe, një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste dhe, deri dje, një nga mbrojtëset më të vendosura të kryetarit të saj, papritur shpallet e padëshiruar. Një armike brenda radhëve të partisë. Një lloj Liri Belishove e Partisë Socialiste të sotme. Arsyeja? Guximi për të menduar me kokën e saj, për të shprehur publikisht mendimin e vet dhe për të kritikuar kryetarin. Me fjalë të tjera, kuraja për të kërkuar hapjen, demokratizimin dhe çlirimin e Partisë Socialiste nga tutela e një njeriu të vetëm.
Në një parti demokratike, një qëndrim i tillë do të duhej të konsiderohej krejt normal, madje i shëndetshëm. Debati, mendimi ndryshe dhe kritika ndaj udhëheqjes janë kushtet elementare të jetës demokratike të çdo organizate politike. Pa to, partia pushon së qeni një bashkim vullnetar qytetarësh që ndajnë ide dhe vlera të përbashkëta dhe shndërrohet në një mekanizëm bindjeje ndaj kryetarit.
Por në Partinë Socialiste të Edi Ramës duket se ndodh e kundërta. Hija e rëndë e kryetarit dhe dora politike e mbledhur grusht e tij rëndojnë mbi deputetët, ministrat dhe anëtarët e forumeve drejtuese. Secili mendon për postin e vet, për karrierën, për privilegjet dhe për të nesërmen e tij politike. Secili ka hall lëkurën e vet. Prandaj heshtin. Dhe heshtja e tyre, në vend që të jetë shprehje e një bindjeje të lirë, rrezikon të shndërrohet në një formë nënshtrimi kolektiv.
“Si plenumet e Enver Hoxhës po më duket!”, më shkroi një shok që po e ndiqte drejtpësëdrejti fjalën e z. Rama ndërsa po hidhja këto radhë.
Natyrisht, Shqipëria e sotme nuk është diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe analogjia historike, si çdo analogji, nuk do të thotë se ky rast është e njëjta gjë.
Por ngjashmëria e praktikave të kontrollit partiak është shqetësuese: kryetari përcakton vijën, identifikon kundërshtarët, kërkon ndëshkimin e tyre dhe forumet kolektive vihen përpara provës së besnikërisë.
Çfarë kanë bërë Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca që të kërkohet përjashtimi i tyre nga Partia Socialiste? Cila është “tradhtia” e tyre ndaj PS-së?
E para ka guxuar të kundërshtojë diktatin e kryetarit dhe të kërkojë një parti më të hapur, më demokratike, më të lirë. I dyti, një jurist i njohur në radhët e socialistëve, ushtron profesionin e tij si avokat i Erion Veliajt.
Po që kur është bërë kritika ndaj kryetarit një faj politik? Dhe që kur mbrojtja ligjore e një personi, kushdo qoftë ai, përbën arsye për përjashtimin e avokatit të tij nga një parti politike?
Nëse anëtarësia në Partinë Socialiste kushtëzohet nga heshtja përballë kryetarit dhe nga zgjedhja e klientëve që ai miraton, atëherë problemi nuk është më thjesht disiplinor. Është një problem i thellë politik, institucional dhe demokratik.
Pse e shqetësojnë Edi Ramën këto dy qëndrime? Pse një kritikë politike dhe ushtrimi i një profesioni të lirë duhet të trajtohen si kërcënime ndaj partisë?
Nuk i kam dëgjuar të gjitha argumentet e tij. Por asnjë argument që mbështetet vetëm në mospajtimin me kryetarin apo në ushtrimin e ligjshëm të profesionit të avokatit nuk mund të përligjë përjashtimin nga një parti që pretendon se është demokratike. Një veprim i tillë do të ishte, në thelb, një larje hesapesh politike nga pozitat e një njeriu që, prej më shumë se dy dekadash, ka përqendruar në duart e veta një pushtet të jashtëzakonshëm mbi Partinë Socialiste dhe grupin e saj parlamentar.
Historia politike e shekullit të 20-të na ka dhënë shembuj të shumtë të mënyrës se si udhëheqësit autoritaristë i kanë përdorur përjashtimet nga partia për të eliminuar kundërshtarët e vet dhe për të konsoliduar pushtetin personal.
Stalini përjashtoi nga Partia Bolshevike Trockin, Zinovievin, Kamenevin dhe Buharinin, dikur bashkëpunëtorë të Leninit dhe figura qendrore të revolucionit rus.
Mao Ce Duni përjashtoi nga Partia Komuniste Kineze Liu Shaoqin, presidentin e vendit, ndërsa Deng Xiaopingun e spastroi politikisht dhe e largoi nga funksionet drejtuese.
Enver Hoxha përjashtoi dhe persekutoi një varg bashkëpunëtorësh të tij, ndër ta Tuk Jakovën, Bedri Spahiun dhe Liri Belishovën. Mehmet Shehun e shpalli armik dhe e përjashtoi nga partia pas vdekjes.
Këto ngjarje u përkasin regjimeve dhe rrethanave historike shumë të ndryshme nga Shqipëria e sotme. Askush nuk mund dhe nuk duhet t’i barazojë pasojat tragjike të spastrimeve staliniste me konfliktet e brendshme të një partie në një sistem pluralist. Por mekanizmi politik që qëndron pas tyre meriton vëmendje: kur besnikëria ndaj udhëheqësit bëhet kriteri suprem i përkatësisë partiake, mendimi ndryshe fillon të trajtohet si tradhti.
Në këtë pikë, problemi nuk është më vetëm fati politik i Spiropalit apo i Ndrecës. Problemi është vetë Partia Socialiste.
A është kjo parti një organizatë politike e qytetarëve të lirë, apo një pronë politike e kryetarit të saj?
A janë forumet e saj organe vendimmarrëse, apo thjesht instrumente për të miratuar vendime të marra paraprakisht nga një njeri i vetëm?
Një parti që nuk toleron kritikën brenda vetes e ka të vështirë ta pranojë atë edhe jashtë saj. Një kryetar që nuk dëgjon bashkëpunëtorët e vet, vështirë se mund të dëgjojë qytetarët. Dhe një pushtet që e konsideron kundërshtimin si armiqësi, herët a vonë fillon ta shohë edhe shoqërinë si një hapësirë që duhet kontrolluar, dhe jo si një bashkësi qytetarësh me të cilët duhet dialoguar.
Kjo është arsyeja pse ajo që ndodhi në Gjirin e Lalzit nuk është thjesht një çështje e brendshme e Partisë Socialiste. Është një çështje që lidhet me cilësinë e demokracisë shqiptare.
Partia Socialiste nuk është pronë e Edi Ramës. Ajo nuk u krijua prej tij dhe nuk mund të identifikohet me të. Ajo ka historinë e vet, anëtarët e vet, vlerat që pretendon se përfaqëson dhe përgjegjësinë e saj ndaj shoqërisë shqiptare.
Asnjë kryetar, sado gjatë të ketë qëndruar në pushtet, nuk mund të pretendojë monopolin e së vërtetës, të moralit politik apo të së drejtës për të vendosur se kush meriton të jetë socialist.
Në fund të fundit, demokracia e një partie nuk matet nga duartrokitjet që merr kryetari, por nga liria që kanë anëtarët e saj për ta kundërshtuar atë. Një parti në të cilën të gjithë kanë të drejtë të flasin, por askush nuk guxon të kundërshtojë kryetarin, nuk është një parti demokratike. Ajo është një parti e marrë peng nga kryetari i saj.
Dhe kur një parti e tillë qeveris vendin, peng i këtij mentaliteti rrezikon të bëhet edhe vetë demokracia.
Por mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: Përse Edi Rama nuk e hodhi në votë përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës? Çfarë e pengoi?
Ndoshta sepse qëllimi i tij i vërtetë nuk ishte thjesht përjashtimi i tyre, por diçka politikisht më e rëndësishme: t’u jepte një paralajmërim të gjithë socialistëve se askush, pavarësisht nga kontributet, meritat apo pozitat që ka në parti, nuk është i paprekshëm nëse guxon të kundërshtojë kryetarin.
Një përjashtim i votuar do të ishte një akt i përfunduar. Një kërcënim për përjashtim, i lënë pezull, është një instrument i vazhdueshëm presioni dhe frikësimi.
Duke mos e hedhur propozimin e tij në votë, Rama mund të ketë synuar diçka më shumë sesa ndëshkimin e dy personave: disiplinimin përmes shembullit të tyre të të gjithë Partisë Socialiste.
Mesazhi që z. Rama u dha socialistëve në Gjirin e Lalzit ishte i qartë: nuk është statuti, nuk janë forumet dhe as vota e anëtarëve që përcaktojnë kufijtë e lirisë brenda partisë. Është vullneti i kryetarit. Ose nën thundrën time, ose jashtë Partisë!
