Nga Zef Preçi
AML Guild është një platformë ndërkombëtare për pajtueshmërinë me rregullat kundër pastrimit të parave (AML) dhe financimit të terrorizmit (CFT). Ajo lidh institucionet e rregulluara, si bankat, kontabilistët dhe ofruesit e pagesave, me ekspertë të pavarur të fushës.
Në këtë shkrim kemi zbatuar metodologjinë e 114 rasteve reale të APG-së (vendosja, shtresëzimi, integrimi, ndërmjetësit, shkaktarët e zbulimit, rikuperimi) për Shqipërinë duke ballafaquar të dhënat e AIF-it, SPAK-ut e Prokurorisë me ato të agjencive ligjzbatuese perëndimore (Europol, NCA, Guardia di Finanza) dhe me gjurmët makroekonomike në tregun valutor e atë të banesave.
Vlerësojmë se të ardhurat kriminale që përthithen çdo vit në ekonomi janë rreth 0,7-1,4 miliardë euro, ose 2,5-5% e GDP-së – disa herë më shumë se mesatarja e BE-së (afërsisht 0,8% e GDP-së) – dhe se vetëm 5-10% e tyre preken nga sekuestrimi paraprak, ndërsa 0,1-3% konfiskohen përfundimisht. Me GDP-në e vitit 2025, rreth 27 miliardë euro (INSTAT, 2026), kjo shumë rezulton si vijon:
Kufiri i poshtëm, rreth 0,5-0,7 miliardë euro në vit, vjen nga vlerësimet e GI-TOC-it dhe UNODC-së.
Kufiri i sipërm, rreth 1,4 miliardë euro, mbështetet te hendeku i financimit të ndërtimit dhe te ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë, heshtja e pashpjegueshme e Bankës së Shqipërisë për origjinën e flukseve valutore është një boshllëk institucional që duhet adresuar.
Hyrje dhe metodologjia, vështrim krahasues
Analiza e AML Guild mbi raportin e tipologjive 2025 të APG-së organizon 114 raste nga 17 juridiksione sipas tri fazave të pastrimit dhe tregon se rikuperimi ka sukses vetëm kur veprohet shpejt, përmes kanaleve ekzistuese të bashkëpunimit dhe para konvertimit të aseteve (AML Guild, 2026). Këtu kuadri zbatohet me shtatë tipologjitë e AIF-it për 2025 (AIF, 2026) dhe rastet e SPAK-ut.
Rishikimi shton dy hapa: a) ballafaqimin e raportimeve shqiptare me të dhënat e agjencive perëndimore, ku krijohen të ardhurat; dhe b) kryqëzimin e të dhënave mbi peshën e parave kriminale nga vlerësime të pavarura dhe tregues makroekonomikë. Vlerësimet janë të përafërta, me besueshmëri të ulët-mesatare; rastet e cituara janë kryesisht në hetim dhe nuk përbëjnë vendime fajësie.
Shqipëria ndjek modelin e APG-së në kanalet e pastrimit dhe në kushtet që e lehtësojnë atë. Ndryshon kryesisht te veprat burimore, te mënyra si zbulohen rastet dhe te pesha e parave kriminale në ekonomi. Ngjashmëritë janë si vijon:
– Bankat mbeten kanali kryesor. Te rastet e APG-së, institucionet financiare janë kanal në 55% të tyre. Në Shqipëri, bankat dërgojnë rreth 43% të raportimeve të aktivitetit të dyshimtë (RAD) (APG 2025, f. 7; AIF). Kriptomonedhat nuk e kanë zëvendësuar sistemin bankar, as në rajonin e APG-së, as në Shqipëri. Mbetet i paqartë roli që mund të luajë JET bank në të ardhmen për këtë qëllim.
– Teknikat e vendosjes dhe të shtresëzimit janë të njëjta. Në të dyja rastet përdoren llogari të personave të tretë dhe shoqëri jetëshkurtra ose guaskë. Në Shqipëri, 1,9 milionë euro u depozituan në llogaritë e dhjetë personave, ndërsa 11 shoqëri morën 3,74 milionë euro dhe u çregjistruan brenda gjashtë muajve (AIF).
– Kriptomonedhat po rriten si kanal. 71% e anëtarëve të APG-së përmendin asetet virtuale. Në Shqipëri, USDT-të (kriptomonedha e llojit stablecoin, pra “monedhë e qëndrueshme”, vlera e së cilës lidhet 1:1 me dollarin amerikan) prej 12,4 milionë eurosh përbëjnë rreth 28% të vlerës së sekuestruar nga SPAK-u në 2025.
– Ndërmjetësit profesionistë janë hallka kyçe. 76% e anëtarëve të APG-së përmendin ndërmjetës profesionistë (“gatekeepers”). Në Shqipëri, noterët janë njëkohësisht raportuesi i dytë më i madh dhe pika ku ndodhen shumat më të mëdha, si 110 milionë euro në rastin e Zvërnecit.
– Korrupsioni e mundëson pastrimin. 41% e anëtarëve të APG-së përmendin autoritete të korruptuara ose bashkëpunëtore. Shqipëria vlerësohet në 6,5 nga 10 për aktorë kriminalë të integruar në shtet.
– Integrimi bëhet kryesisht në prona. Pasuritë e paluajtshme dhe mallrat e luksit dalin në të dyja burimet. Rasti Gjika, me 491 asete, është shembulli më i madh shqiptar.
– Rikuperimi i aseteve është i dobët. Vetëm 12% e juridiksioneve të APG-së e konsiderojnë veten të suksesshme. Në Shqipëri, konfiskimi përfundimtar është rreth 4% e vlerës së sekuestruar (1,9 nga 43,5 milionë euro).
– Të ardhurat vijnë nga jashtë. Në Hong Kong, pjesa me origjinë të huaj u rrit në 41%. Në Shqipëri, kjo pjesë vlerësohet në 72%.
Ndryshimet kryesore konsistojnë në sa vijon:
– Veprat burimore janë të tjera. Në rajonin e APG-së dominon mashtrimi (59%). Në Shqipëri dominojnë vepra tatimore (afërsisht 32%), vepra me burim të panjohur (afërsisht 31%) dhe narkotikët (afërsisht 15%). Mashtrimi kibernetik nuk raportohet si kategori më vete.
– Shumë raste nuk kanë burim të identifikuar. Pothuajse një e treta e referimeve shqiptare nuk e kanë të qartë veprën burimore. Kjo tregon kufizime në analizën financiare dhe në shkëmbimin e informacionit me vendet ku krijohen të ardhurat.
– Mënyra e zbulimit është e kundërt. Në APG, 82% e hetimeve nisin nga ankesat e viktimave. Veprat kryesore në Shqipëri, si droga dhe evazioni, nuk kanë viktima që ankohen. Prandaj zbulimi varet nga raportimet e aktiviteteve të dyshimta (RAD) dhe agjencitë e huaja, kurse vetëm rreth 15% e RAD-ve shndërrohen në referime.
– Sektorët me rrezik të lartë nuk raportojnë. Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi janë sektorët më të rrezikshëm sipas Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut. Megjithatë, agjentët imobiliarë kane ofruar vetëm 5 RAD (0,3%), ndërsa ndërtuesit dhe avokatët asnjë. Te APG-ja, ndërmjetësit janë të identifikuar edhe në rastet konkrete.
– Paraja në dorë (cash) perbëjnë një problem strukturor. Te APG-ja, paraja në dorë del në 32% të rasteve. Në Shqipëri ajo është rreth 25% e masës monetare, kundrejt rreth 9% në BE. Megjithatë, sekuestrimet në kufi janë të papërfillshme: rreth 2 milionë euro dhe 455 mijë paund në 2023 (sipas BIRN).
– Roli i vendit në procesin e pastrimit të parave është ndryshe. Rajoni i APG-së është kryesisht vendi ku krijohen të ardhurat, nga qendrat e mashtrimit. Shqipëria është kryesisht vendi ku integrohen të ardhurat e krijuara në Europën Perëndimore dhe nga aktivitetet e krimit të organizuar në vendet e Amerikës Latine.
– Pesha në ekonomi është më e madhe. Në rajonin e APG-së flitet për “dhjetëra miliardë USD”, por në një rajon shumë të madh. Në Shqipëri, 0,7-1,4 miliardë euro në vit përbëjnë rreth 2,5-5% të PBB-së, disa herë më shumë se 0,7-1,28% e vlerësuar për BE-në.
– Mungon bashkimi i të dhënave. Malajzia bllokoi 71.037 llogari “mule” përmes portalit kombëtar (APG 2025, f. 74). Shqipëria nuk ka mekanizëm të ngjashëm, dhe Banka e Shqipërisë nuk publikon zbërthimin e flukseve valutore sipas burimit.
Shqipëria i ka të gjitha kanalet dhe kushtet lehtësuese që përshkruan APG-ja. Dobësia e saj specifike është zinxhiri zbulim-konfiskim. Të ardhurat krijohen jashtë vendit dhe nuk kanë viktima që ankohen, ndërsa sektorët ku integrohen nuk raportojnë. Nga paratë që sekuestrohen, vetëm një pjesë shumë e vogël konfiskohet përfundimisht.
Konteksti i rrezikut dhe treguesit sasiorë
Shqipëria doli nga “lista gri” e FATF-it në tetor 2023 (Banka e Shqipërisë, 2024), pas vonesës së shkaktuar edhe nga projekti i amnistisë fiskale (Komisioni Europian, 2023); raporti i raundit të gjashtë të MONEYVAL-it pritet në gjysmën e parë të dhjetorit 2026.
Vlerësimi Kombëtar i Rrezikut rendit si sektorë më të rrezikshëm pasuritë e paluajtshme, ndërtimin, tregtinë dhe qendrat e thirrjes (call centers). Në 2025, AIF-i regjistroi 1.759 raportime të aktivitetit të dyshimtë (RAD) – 750 nga bankat, 486 nga noterët, 331 nga shoqëritë e transfertave, 5 nga agjentët imobiliarë dhe asnjë nga ndërtuesit e avokatët – dhe referoi 269 raste. Vepra burimore ishte tatimore në 85 raste, e panjohur në 83 dhe e lidhur me narkotikët në 41 (AIF, 2026).
Procedimet për pastrim parash arritën 520 raste, niveli më i lartë i dhjetë viteve të fundit.
Gjurmët makroekonomike: kursi, tregu valutor dhe banesat
Nga 139,48 lekë në janar 2016, euro ra në 90,72 lekë më 11 nëntor 2026, një rënie prej rreth 35%, me minimum historik 90,64 lekë më 22 tetor. Vëllimi i këmbimeve valutore në tregun e brendshëm arriti rekordin prej rreth 4,5 miliardë eurosh në tremujorin e dytë të 2026, 30% më shumë se një vit më parë. Banka e Shqipërisë bleu 1,027 miliardë euro në 2025 – nga të cilat 729,1 milionë ndërhyrje të drejtpërdrejta për të frenuar mbiçmimin – dhe 663,6 milionë euro në gjysmën e parë të 2026.
Paraja jashtë bankave arriti nivelin e 522 miliardë lekëve (rreth 5,6 miliardë euro), rreth 25% e masës monetare, krahasuar me rreth 9% në BE. Ndërkohë, sipas Bankës Botërore, zëri “gabime dhe harresa” i bilancit të pagesave regjistroi hyrje neto prej 273, 149 dhe 241 milionë dollarësh në 2023, 2024 dhe 2025.
Në tregun e banesave, Censusi 2023 numëroi 356.204 banesa të pabanuara (32,9%), përfshirë 39,4% të apartamenteve në pallate (INSTAT, 2024), ndërkohë që indeksi i çmimeve u rrit me 41,7% në vit në gjysmën e parë të 2025 dhe me 28% në të dytën.
Të dhënat e konsumit të energjisë e përforcojnë këtë pamje. Numri i banesave në Tiranë me kontratë me OSHEE-në, por me konsum zero, u rrit nga 51.129 në 2023 në 58.623 në 2025, pra me 7.494, ndërsa popullsia e qarkut u shtua në 2025 me vetëm 5.478 banorë (0,7%), ose rreth 1.826 familje. Me këtë ritëm, edhe pa asnjë ndërtim të ri, sic vëren me të drejtë gazetarja investigative Ola Xama, do të duheshin rreth 32 vjet që të mbusheshin vetëm banesat bosh; megjithatë, vetëm në shtator 2026 Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi leje për 12 kulla në kryeqytet, ndërkohë që popullsia e vendit u pakësua me 27.384 banorë në 2025 dhe konsumi i energjisë nga bizneset ishte më i ulët se në 2024.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i IHD-ve në pasuri të paluajtshme u rrit nga 126 milionë euro në 2014 në 2,6 miliardë në 2025, ndërsa fluksi vjetor u trefishua në 2018, nga 42 në 112 milionë euro. Pra, një pjesë e kërkesës për apartamente vjen nga jorezidentët, gjë që shpjegon pse ndërtimi rritet ndërsa popullsia bie.
Studimi i Fondacionit Friedrich Ebert (FES) vlerëson se nga 16,2 miliardë euro vlerë e lejeve të ndërtimit në 2015-2024, vetëm 7,1 miliardë kanë burim financimi të identifikuar (kredi bankare dhe IHD), duke lënë një hendek prej 9,1 miliardë eurosh (European Pulse, 2025).
Edhe AIF-i e pranon këtë rrezik: sipas nje deklarimi mediatik të drejtorit të saj, Ervin Koçi, mbi 100 nga 269 referimet e 2025 lidhen me pasuritë e paluajtshme, ndërtimi klasifikohet si sektor me rrezik të lartë dhe në periudhën 2022-2026 janë bllokuar rreth 24 milionë euro. Sipas analistit të cështjeve ekonomike Klodian Tomorri, në një treg financiar të cekët dhe pa instrumente, ndërtimi, sektori me rritjen më të fortë të viteve të fundit, thith pjesën dërrmuese të parave nga burime të paligjshme, ndërsa sektori prodhues është dobësuar ndjeshëm.
Asnjë nga këta tregues nuk provon drejtpërdrejt origjinë kriminale, por së bashku tregojnë flukse valutore të pashpjegueshme me madhësi qindra milionë deri në rreth një miliard euro në vit.
Sipas mendimit tim, qëndrimi i Bankës së Shqipërisë është problematik. Që në vitin 2018, guvernatori pranonte se banka “nuk ka informacion” për valutën që qarkullon jashtë bankave; në vitin 2023 deklaroi se nuk kishte “asnjë arsye për të ndërhyrë”, duke ia atribuar flukset turizmit, IHD-ve, blerjeve të pronave nga jorezidentët dhe remitancave, ndërsa në tetor 2026 përsëriti të njëjtin shpjegim para Kuvendit.
Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar asnjë analizë që zbërthen ofertën valutore sipas burimit, nuk ka dhënë përgjigje për pyetje specifike të medias dhe ka shpenzuar mbi 2 miliardë euro në ndërhyrje pa shpjeguar arsyet, ndërkohë që FMN-ja i rekomandoi kursin si “amortizator goditjesh” dhe më pak ndërhyrje. Si licencuese dhe mbikëqyrëse e bankave dhe e zyrave të këmbimit valutor, si dhe hartuese e bilancit të pagesave, mendoj se ajo zotëron të dhënat për të testuar hipotezën e flukseve të paligjshme; heshtja e saj e lë debatin në duart e palëve politike dhe dobëson besueshmërinë e politikës monetare.
Për më tepër, amendimet e diskutueshme të ligjit, që i sigurojnë guvernatorit imunitet parlamentar, kanë krijuar një klimë mosbesimi për pavarësinë e këtij institucioni dhe për aftësinë e tij për të paralajmëruar e parandaluar rreziqet në përmbushje të misionit të vet.
Pesha e të ardhurave kriminale dhe shkalla e zbulimit
Tabela në vijim ballafaqon vlerësimet e disponueshme. Vlerësimet e pavarura të GI-TOC-it dhe UNODC-së konvergojnë në rreth 0,5-0,7 miliardë euro në vit; hendeku i financimit të ndërtimit dhe ndërhyrjet e BSH-së sugjerojnë një kufi të sipërm rreth 1,4 miliardë. Me GDP-në e 2025 prej rreth 27 miliardë eurosh (INSTAT, 2026), pesha e përafërt e të ardhurave kriminale të përthithura është 2,5-5% e GDP-së, ndërkohë që Europol-i vlerëson aktivitetin financiar të dyshimtë në BE në 0,7-1,28% të GDP-së (Komisioni Europian, 2020). Pretendimet për 15-50% të GDP-së (ACI, 2026) përzjejnë informalitetin dhe evazionin me krimin dhe nuk mbështeten nga të dhënat e disponueshme.
Tabela 1. Kryqëzimi i të dhënave mbi peshën e të ardhurave kriminale:

Sekuestrimi paraprak është masë e përkohshme gjatë hetimit: pasuria ngrihet që të mos tjetërsohet, por mbetet pronë e të pandehurit. Konfiskimi përfundimtar e kalon atë te shteti vetëm me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Hendeku mes tyre është i madh: në 2025 SPAK-u sekuestroi 43,5 milionë euro, por konfiskoi vetëm 1,9 milionë (ATA, 2026a). Bashkë me rreth 4 miliardë lekë të Prokurorisë së Përgjithshme, sekuestrimet (rreth 85 milionë euro) arrijnë 6-12% të fluksit vjetor të vlerësuar, ndërsa konfiskimet vetëm 0,1-3%, krahasuar me 2,2% dhe 1,1% në BE (sipas Europol, 2016).
Ndonëse grupet shqiptare kontrollojnë importin e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe Guardia di Finanza gjurmoi mbi 14 milionë euro të dërguara në Shqipëri, AIF-i referoi vetëm 41 raste të lidhura me narkotikët. Kështu, vlerësohet se mbi 90% e të ardhurave kriminale nuk zbulohen dhe 97-99% nuk konfiskohen.
Kërcënimet për jetën ekonomike, shoqërore dhe politike
Përtej dimensionit penal, paratë e pista prodhojnë efekte sistemike që prekin shumicën e qytetarëve, ndërsa përfitimet përqendrohen te një grup i ngushtë. Më poshtë përmblidhen kërcënimet kryesore dhe evidenca përkatëse.
Në planin ekonomik, mbiçmimi i lekut ka dëmtuar eksportuesit: sipas Intellinews, sektori fason ka rreth 20 mijë vende pune më pak, pjesërisht edhe për shkak të pagës minimale. Bizneset me burime financiare nga aktivitetet e paligjshme krijojnë konkurrencë të pandershme. Kapitali po shkon me shpejtësi te betoni dhe jo te prodhimi, me rrezik flluske, ndërsa, sipas Bankës së Shqipërisë, 63% e kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit lidhet me pronat. Paraja në dorë (cash) dhe çmimet e nëndeklaruara sjellin humbje fiskale për shtetin.
Në planin shoqëror, banesa është 76% më e shtrenjtë ndaj të ardhurave se dhjetë vjet më parë. Në qarkun e Tiranës, sipas një raporti të ACQJ-së, 60.596 familje nuk kanë banesë, ndërsa 85.457 banesa janë bosh. Mediat prestigjioze perëndimore, si AI ose Sky News, dëshmojnë se si rrjetet kriminale jashtë vendit po rekrutojnë të rinj, ndërsa këtu pasuria e pajustifikuar është bërë model suksesi dhe humbja e vendeve të punës në prodhim nxit emigrimin.
Në planin politik, janë denoncuar jo vetëm mediatikisht, por janë edhe në procese hetimore, një numër rastesh që dëshmojnë se në zgjedhjet e 2025 pati blerje votash dhe ndikim të rrjeteve kriminale, me 37 hetime (sipas OSBE/ODIHR, 2025). Një në katër qytetarë njeh dikë që ka shitur votën (sipas ACQJ, 2026c). Aktorët kriminalë, të integruar në shtet, ndikojnë në tendera (6,5 nga 10; GI-TOC, 2025b), ndërsa financimi pa gjurmë i fushatave ka kapur vendimmarrjen vendore.
Në planin reputacional, perceptimi i “narko-shtetit” në Perëndim, sidomos në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar, rrit rrezikun e monitorimit pas raportit të MONEYVAL-it dhe presionin në negociatat me BE-në.
Përfundime dhe rekomandime
Rastet shqiptare ndjekin modelin e APG-së, me një tipar dallues: të ardhurat krijohen kryesisht jashtë vendit, në tregjet e drogës të Europës Perëndimore, dhe integrohen në Shqipëri në prona, ndërtim e turizëm, duke kontribuar në mbiçmimin e lekut, rritjen e çmimeve të banesave dhe dëmtimin e sektorëve eksportues. Sistemi vendas zbulon më shumë raste se më parë, por arrin të kapë vetëm një pjesë të vogël të fluksit.
Për minimizimin e këtij rreziku, mendojmë se është e nevojshme të ndërmerren masat që vijojnë:
– Banka e Shqipërisë të publikojë çdo tremujor zbërthimin e ofertës valutore sipas burimit (turizëm me karta, remitanca, IHD në pasuri të paluajtshme, depozita në para në dorë – cash) dhe një studim të përbashkët me AIF-in për hyrjet e pashpjegueshme, që në fakt nuk janë gjë tjetër veçse para që vijnë nga aktivitete të paligjshme brenda dhe jashtë vendit;
– vendosja e detyrimit të provës së burimit të kapitalit për lejet e ndërtimit dhe kufizimi i pagesave në para në dorë në shitblerjen e pronave;
– forcimi i mbikëqyrjes dhe sanksioneve për ndërtuesit, agjentët imobiliarë dhe avokatët që nuk raportojnë;
– ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe ndarja e aseteve me Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Holandën dhe Belgjikën, sipas modelit të marrëveshjes së parë britanike (Qeveria e MB, 2026);
– përshpejtimi i konfiskimit dhe publikimi i statistikave të dënimeve; dhe
– përjashtimi i fondeve kriminale nga çdo formë “paqeje fiskale” e cila vlerësohet se ka shërbyer si nxitëse e fuqishme e flukseve financiare të paligjshme në ekonominë shqiptare.
Raporti i MONEYVAL-it pritet të publikohet pas pak javësh dhe do të jetë testi i radhës; suksesi duhet të matet nga konfiskimet përfundimtare, jo nga numri i raportimeve.
DITA
