Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka thirrur një marshim solidariteti ditën e sotme, më 20 tetor, në orën 10:00, para Universitetit Politeknik të Tiranës.
Në një njoftim publik, sindikata shpreh shqetësimin për situatën e krijuar gjatë protestave të studentëve, të cilat vijojnë prej gjashtë ditësh, dhe dënon atë që e cilëson si dhunë policore.
SPUSH bën me dije se ka qenë në mbështetje të studentëve që prej nisjes së protestës, ndërsa thekson se po e ndjek me shqetësim të madh mënyrën se si po menaxhohet situata nga autoritetet.
Përmes thirrjes për marshimin e solidaritetit, sindikata synon të shprehë mbështetjen për studentët protestues dhe të kundërshtojë veprimet e policisë ndaj tyre.
Ndërkohë, një ditë më parë, 963 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike firmosën një deklaratë me pesë pika, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.
