Në disa lajme të publikuara së fundmi në rrjetet sociale dhe disa platforma online raportohet për “përplasje brenda repartit RENEA” dhe shpërndarje selektive të bonusit financiar prej 2500 eurosh.
Burime zyrtare nga vetë reparti special i përgenjeshtrojne këto lajme.
Sipas informacionit të konfirmuar prej këtyre burimeve, çdo efektiv i repartit RENEA që ka qenë i angazhuar me shërbim në terren për garantimin e sigurisë publike dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë gjatë situatave të fundit, do të shpërblehet sipas përcaktimeve ligjore.
Trajtimi financiar mbështetet në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) “Për shpërblimin e punonjësve të policisë të cilët kanë mbajtur ngarkesën e perballimit të situatave të fundit”.
Burimet sqarojnë se procedura e shpërblimit vijon sipas kornizës rregullatore në fuqi dhe përfshin të gjithë punonjësit që kanë pasur ngarkesë operative, duke rrëzuar pretendimet për përfshirjen vetëm të drejtuesve apo kategorive të caktuara të stafit mbështetës.

