Xhevdet Shehu
As më shkonte ndërmend të merresha sërish me ca njerëz ordinerë që kanë uzurpuar kreun e Organizatës Kombëtare të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it, si Veli Myftari dhe Hulusi Hako, pasi qëndrimet e mia për zhvillimet në këtë organizatë i kam shprehur disa herë publikisht në gazetën DITA. Por një arsye më shtyu të ulem dhe t’i kthej përgjigje një editoriali të botuar dje në gazetën “Kushtrim Brezash” ku sulmohem unë personalisht, por edhe figura të shquara si Fatos Tarifa, Ksenofon Krisafi, Spartak Braho, Dorian Koçi e të tjerë që ishin dhe janë kundër uzurpimit me stilin fashist të organizatës sonë më të madhe antifashiste.
Unë po flas në emrin tim. Miqtë e mi të shquar, bashkëpunëtorë të ngushtë të gazetës DITA, kam bindjen se do t’ua kthejnë reston siç e meritoni ju të padenjëve që kërkoni me ngulm uzurpimin e Organizatës së Veteranëve dhe të Pasardhësve të LANÇ-it.
Drejtpërdrejt në këtë editorial pa emër, atakohet hapur gazeta DITA, se gjoja mbështet një “grup fraksionist”, (ku bëjnë pjesë tre nënkryetarët dhe shumica e anëtarëve të Komitetit Kombëtar), që janë kundër uzurpimit nga Veliu dhe Hulusiu të udhëheqjes së organizatës. Kurrsesi nuk kam dashur dhe as shkuar nëpër mend përçarjen që po ndodh. Doja me gjithë zemër që ashtu si dikur prindërit tanë, partizanët dhe dëshmorët ishin krah për krah në një front të madh kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre brenda vendit. Veliu dhe Hulusiu nuk duan që të jemi krah për krah por përballë njëri tjetrit. Si në gjirin e partisë demokratike dhe në foltoret e Sali Berishës dhe të Ilir Metës.
Binduni, o mjeranë! Jeni pakicë dhe të padëshirueshëm. E pashë me sy dhe e preka këtë realitet, ndaj dhe ju u sollët si neofashistë në mbledhjen e Komitetit Kombëtar! Ndaj dhe e quajta atë mbledhje një maskaradë dhe i përmenda me emër e mbiemër ata që e organizuan dhe e dirigjuan atë.
I ashtuquajturi “debatikas” i Delvinës, pa qenë asnjë ditë i tillë, pa le veteran jo se jo, pra Hulusiu, dhe “debatikasit” e 2023-shit, si Veli Myftari e ata që mban rreth tij, tashmë kanë marrë llastiqet e gjuajnë me guriçka Organizatën e Veteranëve, për ta zhvlerësuar e atrofizuar atë. Natyrisht nëqoftëse do lejohet të ndodhë një gjë e tillë. Unë isha vetë në mbledhjen e Komitetit Kombëtar, ua thashë në sy të të gjithë pjesëmarrësve në atë sallë pse këta dy emra nuk kanë asnjë lidhje me këtë organizatë dhe duhet të shkojnë në shtëpi. Ia kanë thënë në sy Veliut disa herë se je dënuar për korrupsion në të tri shkallët e gjykatave dhe ke bërë burg për këtë, por Veliu nuk ha pykë në këtë drejtim. Sidomos që tani gjeti një “çadër” të vjetëruar, të grisur dhe të roitur, si Hulusiu.
Para dy ditësh botuam në gazetë letrën e një veterani moshatar me Hulusiun. Naxhi Zhupa e quajnë. Ai i drejtohet Hulusiut me këto fjalë: “Unë kam bërë 416 ditë luftë reale (13.08.1943 deri 14.02.1945) kundër nazistëve, fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Po ti, Hulusi çfarë lufte ke bërë?” Njëlloj sikur të përshtateshin vargjet Shefqet Musarajit: Ku ishe ti Hulusi, kur ne luftonim për Shqipëri?
Sa për sulmin dhe “këshillat” për gazetën DITA, që bëni në editorialin në fjalë, po ua them shkoqur dhe troç: Jeni tepër larg dhe krejtësisht të paaftë për t’i dhënë mend gazetës DITA se si të shkruajë. Ju nuk bënit fare pjesë në atë organizatë kur DITA ka mbrojtur fort dhe për vite me radhë si asnjë gazetë tjetër vlerat e Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët e saj nga pinjollët e ballistëve dhe ish-kolaboracionistëve të Luftës së Dytë Botërore. Ish-partizanët e asaj lufte do të ndihen të fyer kur të marrin vesh se mund t’i përfaqësoni ju në organizatë. Dëshmorët do të ngiheshin nga varret dhe do të rrëmbenin sërish pushkët e do t’u vrisnin si kolaboracionistë, pasi lojën e kolaboracionistëve po bëni.
Kaq për sot! Mua dhe pasardhësit e vërtetë të partizanëve dhe dëshmorëve, përballë na keni!
****
Pse Vjollca Trebicka nuk duhej të jepte dorëheqjen
Elidiana Canaj*
Personalisht nuk e pranoj, nuk e miratoj aktin e dorëheqjes së shoqes Vjollca Trebicka nga detyra e nënkryetares së Komitetit Kombëtar! Mendimin tim ia shpreha. Roli i Vjollces është shumë i rëndësishëm në drejtimin kryesor të Organizatës! Ne ndihemi mirë si ekip i përkushtuar në punën drejtuese!
Arsyet e mia, pse nuk e mbështes këtë veprim, janë disa.
Nëse jemi në rrugën e duhur dhe i shërbejmë me përkushtim e idealizëm apo edhe me gjithçka mundemi çështjes parimore të mbrojtjes së lavdisë, misionit atdhetar e unitetit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “”Nderi i Kombit”, nuk duhet të dorëhiqemi, por të vazhdojmë të kontribuojmë së bashku!
Në rrethanat aktuale të problemeve brenda kreut të Organizatës dhe në qëndrimet që mbahen ndaj LANÇ dhe antifashizmit, apo në qëndrimet ndaj vlerave e simboleve kombëtare, ne duhet të jemi bashkëpunues e komplementarë si ekip!
Nuk duhet të kërkojë apo të japë dorëheqjen as Vjollca e as shoqe e shokë të nderuar e të respektuar nga kjo organizatë që e kemi dhuratë, amanet të prindërve tanë që i kontribuuan me armë në dorë e përkushtim atdhetar luftës kundër nazi-fashizmit dhe fitores së lirisë, që kontribuuan mbrojtjes dhe rindërtimit e ndërtimit të Atdheut! Vjollca është pasardhëse e drejtpërdrejtë veterani! Diku tjetër duhet kërkuar qëndrimi në funksione drejtuese e në anëtarësi!
Nuk duhet t’ua kish kërkuar dorëheqjen z. Veli dhe profesor Hulusiut! Askush prej tyre personalisht nuk e ka tagrin të pranojë dorëheqjen e nënkryetarëve! Nënkryetarët zgjidhen nga Kryesia e Komitetit Kombëtar. Duhet të mblidhet kryesia të shqyrtojë kërkesën për dorëheqje, të dëgjojë me kujdes e pa paragjykime shokun/shoqen që kërkon dorëheqjen dhe, mbas diskutimeve konstruktive, vendos ta pranojë ose jo! Kështu shoqja Vjollca, sipas Statutit, është në detyrë!
Nga ana tjetër: Ne, shumica e anëtarëve të Komitetit Kombëtar që ishim të pranishëm në mbledhjen e Komitetit të datës 10.04.2023, me të drejtë vote për vendimmarrje, nuk e pranojmë as procedurën e zgjedhjeve e as zgjedhjen e njëanshme e në shkelje te Statutit, të kryetarit te Komitetit Kombëtar! Si mund t’u drejtohesh për dorëheqje atyre që nuk e kanë tagrin të miratojnë dorëheqjen? Si mund të deklarojë “debatikasi” Hulusi pranimin e dorëheqjes së nënkryetares?
Dhe çuditë në shkelje të parimeve dhe të Statutit vazhdojnë!
Pa një dokument të shkruar, pa një deklaratë me shkrim, por vetëm me fjalë të shprehura në situatë mërzie dhe kundërshtie të Pelivan Hysit, kryetar i Komitetit te Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ të Tiranës, për largim nga detyra, për shkak të zhvillimeve në mbledhjen e Komitetit Kombëtar, kryesia e Tiranës nxitoi të vepronte! Të nesërmen ndërruan bravën e derës së zyrës së Kryesisë. Kryetari nuk mundi të hynte në zyrë!
Pas një jave u mblodhën. Nuk e lajmëruan as kryetarin dhe as një pjesë të anëtarëve të Kryesisë. Ata, që u thirrën, nuk e dinin rendin e ditës! Por e “dinte” shoku Veli Myftari dhe profesori që i shkoi pas.
Kryesia nuk e kish llogaritur të ishte dhe të fliste kryetari, por vetëm ta shkarkonte atë edhe në mungesë dhe të zgjidhte një kandidaturë tjetër të “mirëmenduar”! Dhe ashtu ndodhi! Shokut Pelivan i pranohej dorëheqja, nëse nuk largohej nga “fraksionistet”! Në të kundërt, ai mund të mbetej kryetar! Duhet të sqaroj gjithashtu që: kryetari i Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ në Bashki zgjidhet me votim nga anëtarësia e Komitetit në mbledhjen zgjedhore të tij me rekomandim të Kryesisë së Komitetit Kombëtar! Kryesia e komitetit në Bashki mund të marrë vendim për t’i propozuar komitetit. Nuk mund të shkarkojë as të zgjedhë kryetarin!
Veli Myftari “ka marrë frenat” e organizatës në dorë dhe po sillet si pronar, si i zoti i shtëpisë ku në fakt, nuk është i pranuar të jetë pjesëtar i saj!
Nuk do të lejojmë të vazhdojë më kështu! Do të demaskojmë çdo veprim që bie ndesh me programin, misionin, ligjet, dokumentet themelore të Organizatës. Do të mbështesim dhe respektojmë rolin e dhe procedurat e veprimtarisë së strukturave drejtuese vendimmarrëse! Pjesa e shëndoshë e anëtarëve të forumeve të zgjedhura statutore dhe e gjithë anëtarësia e Organizatës se Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, do të veprojë pa u tërhequr në mbrojtje të kësaj vlere kombëtare dhe misionit te saj! Pjesa përçarëse nuk ka vend në këtë familje te madhe!
A i analizojnë këto veprime e qëndrime shokët tanë që “kanë marrë frenat” e drejtimit? A ka një përgjigje Veliu dhe Hulusiu për këto zhvillime në krye të Organizatës! A mund të arrijnë të bëjnë një analizë se kush i mbështet ne këtë katrahurë apo se kujt po i shërbejnë?
*Nënkryetare e Organizatës Kombëtare të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it
****
Largoni Veliun dhe Hulusiun dhe organizata kthehet në nderin e saj
Gjikë Kurtiqi*
Në vend të një letre të hapur drejtuar profesorëve, intelektualë të shquar, anëtarë të Komitetit Kombëtar dhe Kryesisë së Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të LANC, “Nderi i Kombit”: Ksenofon Krisafi, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Dorian Koçi, Xhevdet Shehu, etj. ; drejtuar, gjithashtu, Deputetëve Petro Koçi e Spartak Braho dhe Zv/Kryetarëve e drejtuesve të zgjedhur : Dr. Elidiana Canaj, Vjollca Konda Trebicka, Murat Dardha, Kryetarit të Komitetit të Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ të Tiranës, Pelivan Hysi, si dhe gjithë anëtarëve të Komitetit Kombëtar të kësaj Organizate.
Të nderuar dhe të respektuar miqtë e mi,
Po bëhen gati 4 muaj që Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, “Nderi i Kombit”, ka hyrë në një krizë të thellë dhe po shkon drejt përçarjes, shpërbërjes, apo eliminimit të saj. Siç jeni në dijeni, në këtë rrugë e ka futur një person që është dënuar për korrupsion nga të tre shkallët e gjykatave shqiptare, Veli Myftari. Pas ndarjes nga jeta të Kryetarit Odhise Porodini, ju të gjithë, ndoqët me shqetësim veprimet e tij antistatutore dhe kundër rregullave të Organizatës për ta zënë sa më parë vendin e Kryetarit. Me të drejtë u angazhuat për ta larguar nga kjo rrugë dhe për të zgjedhur Kryetarin e ri të Organizatës konform statutit e rregullave të saj. Madje ngritët edhe komisionet përkatëse, që mbledhja e Komitetit Kombëtar për zgjedhjen e Kryetarit, të zhvillohej normalisht. Përkundrejt masave të ndërmarra nga ana juaj për forcimin e Organizatës, Veli Myftari ndërmori veprime të shpejtuara që ta zinte sa më parë vendin e Kryetarit. Pastaj, në mënyrë formale, hoqi dorë nga posti i Kryetarit dhe kandidoi për Kryetar veteranin e arsimit, Hulusi Hakon 95- vjeçar, të cilin e paraqiti si veteran të LANÇ. Sajoi një mbledhje formale, të ashtuquajtur “Konferencë Kombëtare”, ku mblodhi kryesisht miq e shokë të tij, përfshirë personelin e administratës dhe redaksinë e gazetës, por jo gjithë anëtarët e Komitetit Kombëtar, të përbërë prej më shumë se 130 vetësh. Atje votuan hapur, me të dy duart, miqtë e tij, të cilët i pa dhe i numëroi vetë Veliu duke shpallur fitues Hulusi Hakon. Mbas kësaj maskarade, ne fakt Kryetar mbetet Veliu dhe “çader mbrojtëse”- Hulusiu.
Por ajo që mua më habiti më shumë në këto zhvillime ishte qëndrimi dhe angazhimi i dy miqve të mi, avokatit Idajet Beqiri dhe Kryetarit të Shoqatës Atdhetare të Gorës, Bexhet Fezolli, që u bashkuan me Veliun!!
Si pasardhës i dy prindërve veteranë të LANÇ, si ish-Kryeredaktor i gazetës “Kushtrim Brezash” për rreth 15 vjet, si anëtar i Komitetit Kombëtar dhe i Kryesisë së tij, kam ndjekur me shqetësim gjithçka po ndodh kohët e fundit në këtë Organizatë, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Pyes veten: Si mundet një njeri i dënuar për korrupsion nga tre shkallët e gjykatave shqiptare, pa ndonjë vlerë antifashiste dhe intelektuale, të ndërmarrë gjithë këto veprime të kundërligjshme dhe antistatutore, që u japin dorë pinjollëve ballisto-zogistë të gëzohen e tallen me këtë Organizatë të nderuar?! Si ka mundësi që një njeri si Veli Myftari ta bëjë “çorap” Organizatën? Si ka mundësi që të turbullohen ujërat dhe të bëhet gjithë kjo luftë për karrigen e Kryetarit?! Me sa duket, janë bërë bashkë interesa karrieriste dhe ekonomike. Për turpin tonë dhe për qejfin e ish-tradhtarëve e pasardhësve të tyre, Organizata jonë e nderuar u copëtua më keq se Partia Demokratike nga foltoret e Sali Berishës! Kjo Organizatë u përça nga foltoret e Veli Myftarit! Kështu, do të na mbetej një turp që s’ka lumë e det ta lajë!
Për daljen nga ky “qorrsokak”, Organizata ka nevojë më shumë se kurrë angazhimin e gjithë anëtarëve të saj të ndershëm, veçanërisht intelektualëve të zgjedhur e të shquar, Ksenofon Krisafi, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Petro Koçi, Spartak Braho, Dorian Koçi, Xhevdet Shehu, etj., si dhe të Zv/Kryetarëve e drejtuesve Elidiana Canaj, Vjollca Konda Trebicka, Murat Dardha e Pelivan Hysi. Të gjithë së bashku, të denoncojnë në gjykatë paligjshmërinë dhe veprimet antistatutore, të anulojnë të manipuluarën dhe të ashtuquajturën “Konferencë Kombëtare të 10 prillit 2023”, të largojnë Veli Myftarin dhe ta vendosin Organizatën mbi baza të drejta statutore.
Si gazetar dhe fabulist, po e mbyll këtë letër të hapur me një fabul, shkruar kohët e fundit, për të korruptuarit:
Korrupsioni dhe ndershmëria
Një i majmur nga buxheti,
me sejmenë rreth e qark,
takoi në një rrugë qyteti
një të ndershëm varfanjak.
E pa nga koka në këmbë
dhe foli me qesëndi:
– Nga mbinë këta varfanjakë,
që të ngjallin neveri?
– Ne kemi mbirë nga dheu,
që gjithë jetën gjallëron.
Kurse ju, mbitë nga plehu,
që ka emrin korrupsion.
Të nderuar miq e shokë, këtë letër të hapur po jua dërgoj nëpërmjet gazetës “Dita”, sepse gazeta “Kushtrim brezash”, me kryeredaktor Bashkim Koçin, është kthyer tashmë në “Kushtrim i zërit të Veli Myftarit”.
*Ish-kryeredaktor për 15 vjet i gazetës “Kushtrim brezash”, aktualisht në SHBA