Nga Edmond Hoxhaj
Mijëra qytetarë të grupmoshave të ndryshme iu bashkuan të dielën protestës së studentëve të dielën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, të lënduar nga të dyja palët dhe dëmtimin e të paktën dy gazetarëve gjatë raportimit.
Tymi i gazit lotsjellës dhe flakët e koktejeve molotov mbuluan të dielën rrugët e Tiranës, ndërsa mijëra protestues dhe forcat e policisë u përleshën për orë të tëra në disa zona të kryeqytetit. Nga Ministria e Arsimit te selia e Partisë Socialiste, nga sheshi “Skënderbej” te Kryeministria, gurët, mjetet piroteknike dhe bombat molotov u përballën me autobotët e ujit, gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës.
Një polici i mori flakë uniforma, disa efektivë u plagosën dhe një komisariat policie u përfshi nga zjarri, ndërsa protesta e gjashtë radhazi kundër qeverisë së Edi Ramës u përshkallëzua në një tjetër ditë dhune.
“Po ju vjen fundi! Rama, jep dorëheqjen!”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë marshimit, i cili nisi rreth mesditës dhe vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes.
Mes protestuesve ishte edhe një mësuese gjimnazi në Tiranë, e cila i tha BIRN se kishte dalë në rrugë për të kërkuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj, që jetojnë jashtë Shqipërisë.
“I kam dy fëmijët jashtë shtetit. Duan të vijnë në Shqipëri, por nuk kthehen dot”, tha ajo, duke shpjeguar se i kishte nxitur të studionin jashtë vendit me shpresën se një ditë do të riktheheshin.
Mësuesja e konsideron protestën një përpjekje për t’u lënë brezave të ardhshëm një vend më të mirë dhe akuzon kryeministrin se po sillet sikur pushteti i përket atij personalisht.
“Jam për ligjin, për të vendosur të drejtën e shqiptarëve, sepse ne jemi zot, nuk është ai. Ai nuk është babai ynë, ai po sillet si një mbret. Duhet të ndryshojë, se nuk bën kjo situatë”, tha ajo.
Megjithëse kundërshtoi përdorimin e dhunës, mësuesja e lidhi përshkallëzimin e protestave me mungesën e reagimit të qeverisë ndaj pakënaqësive të qytetarëve.
“Ne nuk duam dhunë. Dhunën nuk e pëlqen asnjëri, por na kanë detyruar në njëfarë mënyre të marrë edhe një formë tjetër protesta, pasi na injoruan për shumë kohë”, tha ajo.
“Kemi qenë qytetarë të nderuar, kemi thënë fjalën tonë, kemi dhënë mendimin tonë. Ti duhet ta dëgjosh popullin!”, shtoi mësuesja, duke kundërshtuar argumentin e kryeministrit se shumica e fituar në zgjedhje i jep atij legjitimitet për të qëndruar në pushtet pavarësisht protestave.
Edhe qytetarë të tjerë i thanë BIRN se kishin dalë në protestë për të mbështetur fëmijët e tyre dhe kërkesën e të rinjve për dorëheqjen e kryeministrit.
Protestat studentore dhe qytetare, të cilat nisën të martën më 13 tetor, i dhanë një përmasë të re revoltës së ashtuquajtur “Revolucioni i Flamingove”, që kishte vazhduar prej më shumë se katër muajsh kundër projektit turistik në Zvërnec dhe qeverisë së Ramës.
Gjatë gjashtë ditëve të fundit, protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa në Tiranë janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe bizneseve, si dhe akuza për përdorim joproporcional të forcës nga policia.
Përleshjet përhapen nëpër Tiranë
Protestuesit u grumbulluan fillimisht rreth orës 12:30 përpara Ministrisë së Arsimit, ku tubimi nisi në mënyrë paqësore, por u tensionua pasi disa të rinj shkulën pllakat e trotuarit dhe hodhën gurë drejt godinës.
Gjatë incidenteve u godit me gurë edhe një gazetare, e cila u transportua me ambulancë për ndihmë mjekësore.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit marshuan drejt qendrës së qytetit, duke kaluar nga zona e njohur si “Nëntëkatëshet” përpara se të drejtoheshin drejt selisë së Partisë Socialiste.
Përplasjet u përshkallëzuan kur disa të rinj sulmuan me gurë dhe sende të forta derën kryesore të selisë së PS-së, duke thyer xhamat e saj.
Nga ndërtesa dolën disa persona të maskuar, të cilët mbanin në duar shkopinj druri, të ngjashëm me bishtat e lopatave, dhe u përballën me protestuesit.
Identiteti i këtyre personave dhe lidhja e tyre e mundshme me Partinë Socialiste nuk ishin sqaruar.
Forcat e policisë ndërhynë menjëherë, duke përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion. Protestuesit u shpërndanë përkohësisht, por u ribashkuan në një marshim drejt Kryeministrisë.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku krahas forcave të zakonshme të policisë ishin dislokuar edhe efektivë të forcave speciale RENEA, demonstruesit hodhën gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë.
Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe autobotë uji, duke i detyruar protestuesit të tërhiqeshin.
Megjithatë, shpërndarja e turmës nuk shënoi fundin e përleshjeve. Protestuesit u zhvendosën drejt bulevardit “Zogu i Parë”, ndërsa forca të shumta policie, që mbërritën nga drejtime të ndryshme, u bashkuan pranë Muzeut Historik Kombëtar dhe vijuan ndjekjen e tyre.
Rreth orës 17:00, demonstruesit u rigrumbulluan në sheshin “Skënderbej”, ku përplasjet morën sërish përmasa të dhunshme.
Protestuesit hodhën gurë, fishekzjarre dhe kokteje molotov drejt policisë, ndërsa kjo e fundit përdori gaz lotsjellës dhe autobotë uji. Gjatë përleshjeve, uniforma e një efektivi policie u përfshi nga flakët, ndërsa u raportua për të lënduar nga të dyja palët.
Ndjekje këmba-këmbës në rrugët e kryeqytetit
Pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të policisë, protestuesit vijuan të rigrumbulloheshin në zona të ndryshme të Tiranës, duke i kthyer rrugët kryesore të kryeqytetit në skena përleshjesh.
Dhjetëra të rinj u kundërpërgjigjën ndaj policisë me gurë dhe sende të forta, ndërsa përdorën kazanët e mbeturinave për të ngritur barrikada në rrugë. Disa kazanëve iu vu flaka, ndërsa u dëmtuan edhe xhama të bizneseve private.
Policia përdori gjatë ditës sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion, si dhe plumba gome e shkopinj gome gjatë përballjeve me demonstruesit.
Ndjekja e protestuesve vijoi edhe në rrugicat e lagjeve të kryeqytetit, ku të rinj vraponin për t’u larguar, ndërsa ndiqeshin me motoçikleta nga efektivë të forcave “Shqiponja”.
Gjatë operacioneve pati edhe ndalime të dhunshme të disa protestuesve.
Lëvizjet e grupeve të demonstruesve u monitoruan vazhdimisht me dron, ndërsa forcat policore ndërhynin nga drejtime të ndryshme sapo protestuesit rigrumbulloheshin.
Rreth orës 18:00, përplasjet u zhvendosën përpara Komisariatit nr. 3, ku protestuesit u vunë flakën disa ambienteve të godinës. Nga zjarri dhe përleshjet u raportuan të lënduar disa punonjës policie.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, ndërsa situata u konsiderua veçanërisht e rrezikshme për shkak se godina përfshin edhe ambiente paraburgimi.
Përleshje të tjera u regjistruan pranë Ministrisë së Brendshme, ku u hodhën bomba molotov drejt ndërtesës, ndërsa efektivët e vendosur në tarracë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Rreth orës 19:00, protestuesit u zhvendosën sërish drejt selisë së Partisë Socialiste, ku u përballën përsëri me policinë.
Gjatë incidenteve të së dielës u dëmtuan të paktën dy gazetarë që po raportonin protestën.
Rama akuzon faktorët e huaj
Përpara se protesta të niste, kryeministri Edi Rama mbajti një komunikim të gjatë publik, gjatë të cilit refuzoi kërkesat për dorëheqje dhe akuzoi opozitën, grupet ekstremiste dhe faktorë të huaj për nxitjen e trazirave.
Rama përmendi Rusinë dhe Iranin si faktorë që, sipas tij, qëndrojnë pas përpjekjeve për destabilizimin e Shqipërisë, por nuk paraqiti prova publike për këto pretendime.
Ai deklaroi gjithashtu se dy ditë më parë autoritetet kishin neutralizuar një dron të pajisur me eksploziv, që sipas tij synonte të godiste Kryeministrinë.
Kryeministri e paraqiti përshkallëzimin e protestave si një kërcënim për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke këmbëngulur se nuk është pushteti i tij ai që po sfidohet, por objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Unë s’jam në vend pune, jam në mision”, deklaroi Rama.
Duke mbajtur në dorë një gur, që tha se ishte marrë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri paralajmëroi se shteti nuk do të tërhiqej përballë dhunës.
Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm të dialogonte me studentët dhe të rinjtë që protestonin paqësisht.
“Kush do të flasë, jam këtu. Kush do të çojë mesazhe me gurë e maska, shtetin e ka përballë”, deklaroi Rama.
Në të njëjtën ditë, kryeministri anuloi vizitën zyrtare të kryeministrit në Vjenë, të planifikuar për të hënën, ku ai pritej të takohej me kancelarin austriak Christian Stocker. Anulimi u konfirmua përmes një njoftimi të shërbimit federal të shtypit në Austri.
Policia mbron ndërhyrjet, rriten shqetësimet për përdorimin e forcës
Në një deklaratë për mediat, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Albert Nushi, mbrojti dislokimin e forcave speciale RENEA gjatë protestave, duke deklaruar se vendimi ishte marrë pas një telefonate në sallën operative, sipas së cilës mes protestuesve kishte persona të armatosur dhe ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Policia nuk paraqiti prova publike që të konfirmonin praninë e personave të armatosur apo përdorimin e armëve të zjarrit nga protestuesit.
Nushi tha gjithashtu se strukturat policore kishin përdorur në mënyrë të kufizuar pajisje speciale për menaxhimin e turmave, duke e justifikuar këtë me sulmet ndaj efektivëve me gurë, sfera metalike, vida dhe bomba molotov.
Sipas policisë, gjatë protestës së të shtunës në Tiranë u shoqëruan 54 persona, prej të cilëve 27 u arrestuan dhe 27 të tjerë u proceduan penalisht. Autoritetet deklaruan gjithashtu se kishin sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba molotov dhe sende të tjera të forta.
Në Shkodër dhe Vlorë, 19 persona të tjerë u proceduan penalisht për incidente gjatë tubimeve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë pesë ditëve të para të protestave, nga 13 deri më 17 tetor, 272 persona kërkuan ndihmë mjekësore, mes tyre 169 punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë. Bilanci nuk përfshin të lënduarit e protestës së të dielës.
Përdorimi i forcës nga policia dhe raportimet për dhunë ndaj protestuesve, përfshirë të mitur, kanë nxitur reagime nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Komisioni Europian dënoi të dielën aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private, por theksoi se autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë të drejtën e tubimit paqësor dhe të garantojnë që ndërhyrjet e policisë të jenë të ligjshme dhe proporcionale.
