Arresti kardiak është një emergjencë mjekësore dhe është vdekjeprurëse nëse nuk trajtohet menjëherë. Sipas mjekëve, arresti kardiak është i shpejtë dhe drastik. Papritmas, pacienti rrëzohet, humbet vetëdijen, nuk ka puls dhe nuk merr më frymë.
Përpara se të ndodhë, pacienti mund të jetë shumë i lodhur, ka marrje mendsh, ka një dobësi të përgjithshme si edhe çrregullime të sistemit të tretjes (si përshembull ndjesia e stomakut plot, të përziera, neveria ndaj ushqimeve), apo edhe shtrëngime dhe dhimbje gjoksi. Por, duhet të dimë se jo gjithmonë mund të kemi shenja paralajmëruese. Arresti kardiak mund të ndodhë papritur edhe pa shenja paralajmëruese.
Shumica e njerëzve që pësojnë arrest kardiak vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të zemrës, e në mënyrë të veçante janë të prekur nga sëmundja e arterieve koronare, që janë enët kryesore të gjakut, të cilat ushqejnë muskulin e zemrës me gjak (miokardin). Të kesh sëmundje të arterieve koronare do të thotë që të rrjedhë më pak gjak në zemër. Kjo mund të çoje në një sulm të zemrës, i cili dëmton sistemin elektrik të saj.
Përveç sëmundjes së arterieve koronare, si shkaqe të tjera mund të përmendim :
-Humbja e madhe e gjakut ose mungesa e rëndë e oksigjenit.
-Ushtrimet fizike intensive nëse keni probleme me zemrën.
-Nivele shumë të larta të kalciumit dhe të magnezit në gjak, të cilat mund të çojnë në një ritëm vdekjeprurës të zemrës.
-Predispozicioni familjar, vihet re një tendencë e aritmive në rrethin familjar.
-Ndryshimet në strukturën e zemrës, si për shembull një zemër e zmadhuar ose ndryshime të shkaktuara në zemër nga infeksione të caktuara
Është e rëndësishme të dini se arresti kardiak nuk është i njëjtë me sulmin në zemër. Gjatë një sulmi në zemër, zakonisht zemra nuk ndalet, por bllokohet diku në muskulin e saj rrjedhja e gjakut, kështu që zemra nuk merr oksigjen mjaftueshëm. Kjo mund të dëmtojë ose vrasë pjesë të caktuara të muskujve të zemrës. E rëndësishme në këtë rast është madhësia e dëmtimit si edhe shkalla e dëmtimit të sistemit elektrik të zemrës. Pra edhe një sulm në zemër në vetvete mund të çojë në arrest kardiak por, jo patjetër.
-Në arrest kardiak mund të çojë edhe dështimin e punës së zemrës (insuficienca kardiake). Dështimi i punës së zemrës është një gjendje ku zemra dobësohet me kalimin e kohës derisa nuk mund të dërgojë mjaftueshëm gjak dhe oksigjen në të gjithë trupin tonë. Kur qelizat e trupit nuk ushqehen mjaftueshëm, trupi nuk do të funksionojë normalisht. Pacienti do të ndjejë vështirësi në frymëmarrje edhe për veprime të thjeshta që normalisht nuk shkaktojnë lodhje (si për shembull gjatë një shëtitjeje të thjeshtë). Dhe sigurisht që nëse zemra është vazhdimisht e lodhur dhe e sforcuar në punën e saj, mund të ndalojë papritur, pra të kemi një arrest kardiak. Faktorët që çojnë në dështimin e punës së zemrës janë të shumtë.
-Si faktorë të tjerë të mundshëm që çojnë në arrest kardiak njihen diabeti, presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, abuzimi me alkoolin dhe drogërat.
-Të rrezikshme janë edhe ndjenjat e papritura dhe të forta, veçanërisht zemërimi jashtë kontrollit mund të shkaktojnë aritmi të rrezikshme që shkaktojnë arrest kardiak.
-Kushtet e shëndetit mendor si për shembull ankthi dhe depresioni konsiderohen si faktorë predispozues për të zhvilluar një arrest kardiak.
Lidhur me trajtimin, bluzat e bardha vënë në dukje se në çdo rast, arresti kardiak përbën një emergjencë mjekësore, pra kërkon një ndërhyrje të menjëhershme me defibrilator, një makinë që dërgon goditje elektrike në zemër. Këto goditje mund të bëjnë që zemra e ndaluar të rifillojë përsëri rrahjet e saj. Por kjo duhet realizuar brenda pak minutash dhe jo gjithmonë mund të rezultojë efikase. Pra ndërhyrja duhet të jetë jashtëzakonisht e shpejtë, gjë e cila fatkeqësisht nuk mund të realizohet gjithmonë për efekt të kohës.
Nëse pacienti ndodhet në spital atëherë rritet shumë mundësia e rezultateve pozitive.
Padyshim që duhet pasur parasysh që të mbahen nën kontroll konsumimi i alkoolit, duhanit si edhe kontrolli i diabetit, presionit të gjakut, obezitetit, menaxhimi i stresit, faktorë të cilët mund të shndërrohen në një kërcënim madhor për shëndetin e zemrës.
p.k\dita
