Dëshmia e ish-oficerit të Sigurimit Hodo Bega në seancën e 26-të të gjyqit të Kadri Hazbiut dhe ballafaqimi me të akuzuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini e të pandehurit e tjerë të akuzuar për ‘Tradhti ndaj Atdheut në formën e spiunazhit’, shton më tej ‘malin’ e akuzave.
Midis të tjerave Hodo akuzon se Balluku e Kadri Hazbiu kanë shkuar pa praninë e hetuesve për të takuar në qeli Teme Sejkon, dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Njëkohësisht, ai rrëfen dhe për disa ekzekutime pa gjyq të disa personave me urdhër të Kadri Hazbiut e Llambi Ziçishtit nga skuadra, pjesë e së cilës ka qenë dhe ai…
Materialet e dosjes marrë nga arkiva e gazetës DITA mbajne siglen SEKRET.
Seanca e 26
Kryetari(Aranit Çela): -Tani, thirret si dëshmitar Hodo Bega… Të kemi thirrur tani ty Hodo të na shpjegosh rreth dy problemeve: Në lidhje me arratisjen e grupit të këtij Xhelo Koçiut më 1949-n, ç’di ti, e dyta, lidhur me hetuesinë e Liri Gegës dhe e treta, se e bëra unë gabim në fakt radhën, lidhur me një vrasje të dy personave nga Mirdita që ke deponuar ti…
Hodua: -Problemi i Xhelo Koçiut, babait të Halim Xhelos, ishte në përpunim në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Vlorës.
Kryetari: -Ku ishe në atë kohë ti?
Hodo: -Në Degën e Vlorës. Këta përpunoheshin si armiq të Partisë. Ata duhej të arrestoheshin. Para se të bëhej arrestimi i tyre, kur ata ishin në përpunim, vjen në Vlorë Halim Xhelua dhe Mihallaq Ziçishti. Dhe shkojmë për të marrë Xhelo Koçinë në Dukat për ta prurë në Tiranë. Shkuan në Dukat dhe kur u kthyen në darkë, nuk e kishin gjetur Xhelo Koçinë. Kështu që u kthyen dhe erdhën në Tiranë. Më pas, kur u bë arratisja e tyre me himarjotët që ikën, erdhi përsëri Halim Xhelo. Gjoja, kërkonte të atin që ta kapte. Shkoi deri në Qafë të Llogarasë. Për se shkoi, përse vajti, për se erdhi, nuk dimë gjë, u kthye e erdhi në Tiranë…
Kryetari: -Di gjë ti, ka pasur të dhëna të sakta për arratisjen e Xhelo Koçisë?
Hodo: -Po, ka pasur të dhëna të sakta. Bile, përpunohej Xhelo Koçiu, Veledin Bilbili nga Dukati e pastaj dhe këta të tjerët, kompania që ishin… Veledin Bilbili kishte qenë në burg dhe kishte dalë nga burgu. Veledin Bilbili, bile ishte i arrestuar dhe me të dalë nga burgu, u arratis e shkoi në mal….
Kryetari: -Po ti nga i di këto, me çfarë sektori merreshe ti në atë kohë?
Hodo: -Isha punëtor operativ në sektorin e Lulkapishës.
Kryetari: -Lidhur me këtë çështjen e Liri Gegës çfarë di ti?
Hodo: -Çështjen e Liri Gegës. Po, unë kam qenë roje në burg atëherë. Në lidhje me çështjen e Liri Gegës që ishte këtu, ka ardhur Mihallaq Ziçishti një ditë dhe hyri brenda. Qëndroi një çerek ore apo 20 minuta…
Kryetari: -Mihallaq Ziçishti! Hyri pa hetues, pa gjë?
Hodo:- Po, pa hetues. Dhe kur ka dalë, më ka lënë porosi duke më thënë që ta trajtosh mirë. Dhe unë i thashë se ato që më takojnë, ja bëj… Kaq…
Kryetari: -Të dha ndonjë porosi Mihallaq Ziçishti ty?
Hodo: -Trajtoje mirë, këtë porosi më dha…
Kryetari: -Po për hetuesin të tha gjë, t’i thuash apo të mos i thuash?
Hodo: -Më tha: ’Kush hyn e kush del këtu, nuk duhet t’i thuash asnjeriu!’.
Kryetari: -Po Kadri Hazbiu, ka ardhur atje, ka marrë ndonjë takim me këtë, me Dali Ndreun?
Hodo: -Po, lidhur tek Kadri Hazbiu. Ka ardhur, ka marrë takim me Dali Ndreun…
Kryetari: -Po për sa i përket kësaj vrasjes së Mirditës, çfarë di ti?
Hodo: -Për sa u përket dy personave të Mirditës, unë nuk i njihja se kush ishin e cilët ishin këta. Këta, pasi u arrestuan, erdhën pas nja dy-tre muajsh me urdhër të Kadri Hazbiut. Grupi ynë, me Idriz Seitin dhe me Asim Alikon në krye dhe i kemi marrë e i kemi çuar pas malit të Milotit. Në krahun e djathtë, pa vajtur atje, i kemi pushkatuar këta të dy. Një më poshtë e një më lart. Dhe kanë marrë një ushtar me kombinimin që kanë bërë këta edhe thanë sepse ky i gjeti tek burimi dhe i vrau ky ushtari që ishte korrieri i repartit të ndjekjes në Milot…
Kryetari: -Po ky ushtari i vrau, apo kështu u tha?
Hodo: -Kështu u tha. Jo ky nuk i vrau, i vramë ne, grupi ynë. Kemi qenë 17 vetë atje, s’kam qenë unë vetëm atje. Kështu që ne i lamë atje dhe shkuam në Milot. Kur erdhi ushtari e lajmëroi se ka vrarë dy kriminelë në filan vend. Ushtari u dekorua me pa të drejtë…
Kryetari: -Po këta dy kriminelët që u vranë, u gjykuan këta a s’u gjykuan?
Hodo: -Jo nuk u gjykuan. Unë i kisha në dorëzim.
Kryetari: -Po kush e dha urdhrin, kush ishte atje?
Hodo: -Atje ishte grupi ynë. Ishte Idriz Seiti dhe Llambi Ziçishti. Kështu ishte kjo çështje…
Kryetari: -Keni ndonjë pyetje, keni ju shoku prokuror?
Prokurori(Rrapi Mino): -Kemi. Me sigurimin fizik të Teme Sejkos je marrë ti?
Hodo: -Po, deri në fund, deri atë natë…
Prokurori: -Kanë ardhur Beqir Balluku e Kadri Hazbiu?
Hodo: -Kanë ardhur tre herë, Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku. Herën e parë, unë e kisha atë Teme Sejkon, më falni, në banjë. Dhe kur e kam nxjerrë, ka ardhur, kam hapur dy hekurat…
Kryetari: -Në cilin burg?
Hodo: -Në burgun e ri, në birucën 11. Dhe kur hynë brenda, më ndaluan mua në derë. Në kohën kur kanë hyrë brenda, Beqir Balluku ka pyetur Kadri Hazbiun. I ka thënë: ’Ka filluar të flasë!’. Kadri Hazbiu i është përgjigjur dhe i ka thënë: ’Po ka filluar të flasë!’. Atëherë, Beqir Balluku ja ka futur me shpulla më në fund. Pasi e shpura unë në birucë Teme Sejkon, në dhomën 11, Temen e thirrën të dy në zyrë lart. E mbajtën një çerek ore, 10 minuta apo 20 minuta, se orën unë nuk e pashë. Kur më kanë thirrur mua, që e mora Teme Sejkon e shpura në birucë, pas nja 10 minutash o një çerek ore ja bëri Temja: ’Oh!’ I thashë: ’Çfarë ke Teme Sejko!’. Tha Temja: ’Hall me burrë e hall pa burrë…!” Kaq di dhe për Teme Sejkon.
Prokurori: -Me që je marrë, ti di raste që të dënuar me vdekje të pushkatohen pas një kohe të gjatë?
Hodo: -Di.
Prokurori: -Na thuaj ndonjë rast.
Hodo: -Kemi pasur Pirro Xhezon nga Vlora, nga Smokthina. Kemi pasur dhe nja dy nga Dukati, një Sinan Hamiti dhe një Mustafa Xezhiu, që ishin të dënuar me vdekje, në Vlorë. Kur kam qenë dhe unë në Vlorë e që janë dënuar me grupin e ‘Bashkimit’ që ishte Maliq Kosheni, Gjoko Zeneli e kompani e tyre…
Kryetari: -Në ç’kohë është kjo, në ç’vit?
Hodo: -Po viti 1949 duhet të ketë qenë, nuk më kujtohet ekzaktësisht se në ç’kohë. Ndërsa këta të katër kanë ardhur në Tiranë kur unë kalova nga banda në grupin special. Kur erdha këtu në Tiranë, i kam pasur unë gati 12-13 vjet sekret, i ruaja unë këta. Më në fund janë marrë këta dy e nga dy. Pas 13 vjetësh këta bëjnë takim. Pirro Xhezo bënte takim me Zenel Xhezon, ndërsa Petref Bajrami bënte takim me nipin e tij. Emri i nipit të këtij Petref Bajramit nuk më kujtohet. Kështu që këta të katër, u morën dy e nga dy në Dukat, e se ç’i bënë, unë nuk di gjë…
Prokurori: -Po kush i mori?
Hodo: -I ka marrë Idriz Seiti dhe Qemal Balluku. Po të njëjtën gjë dhe për Pirro Xhezon dhe Petref Bajramin pas dy vjetëve. U morën për t’u pushkatuar. Në këtë unë nuk kam marrë pjesë dhe nuk di gjë. Për këtë kam pyetur shoferin, Razipin, mbiemri i të cilit nuk më kujtohet… Tani punon me autobuz Razipi. E pyeta atë se a u pushkatuan. “Nuk di gjë a u pushkatuan se mua deri tek ura e Erzenit më morën. Po në këtë kohë, kur e kanë pyetur këtë Pirro Xhezon, sepse këta ishin me ushqime, me thika e ku e di unë, që u shpinin ushqime se gatuanin vetë brenda, i tha Qemal Ballukut: ’Ku do të na çoni, do të na pushkatoni? E paskeni tradhtuar Mehmet Shehun!’ Qemal Balluku nuk u përgjigj. Po këtë gjë, e ka thënë edhe ky, Razipi. Kur i zbritëm nga makina, tha, prapë paska ardhur koha që na pushkatoni!? “Do na pushkatoni. Na vjen keq që paskeni tradhtuar Mehmet Shehun dhe qenkeni kthyer me Enver Hoxhën” -i thanë këtij Razipit. Njëkohësisht, ky Pirro Xhezo, kur i nxirrja këtu tek burgu, 3-4 orë ditën sipas urdhrit të Zoi Themelit, më thoshin: ’Duam raport, po ngrohuni në diellin e Mehmet Shehut’. Këto gjëra ja kam raportuar Zoi Themelit, jo një herë, por disa herë…
Kryetari: -Pyetje kush ka?
Mihallaqi: -Lidhur me atë të Mirditës, me mua ke biseduar gjë për ato dy vrasjet?
Hodo: -Jo, unë s’kam biseduar.
Kryetari: -I pandehur Kadri Hazbiu, ke ndonjë pyetje?
Kadri Hazbiu: -Edhe një herë t’i kuptoj mirë cilat ishin rrethanat. Që ky, duke qenë punëtor operativ i Grykpishës ka marrë vesh se përpunoheshin Xhelo Koçiu atje, në një lokalitet tjetër, që sipas rregullave të punës, nuk duhej t’i dinte. Theksoj edhe këtë që thotë isha njëkohësisht edhe referent i bandave… Si e shpjegon Hodo këtë çështje?
Hodo: -Unë e shpjegoj kështu. Më vjen keq për pyetjen që bën. Është problem se e di shumë bukur ky që unë kam qenë referent i bandave, se kur kemi qenë me Hetem Çakon në malin mbi Tepelenë…
Kryetari: -Ky flet këtë tani, kur ke qenë referent para Grykpishës… Dhe punëtor operativ, ke qenë referent i bandave?
Hodo: -Po. Kam qenë referent i bandave dhe për ndjekjen e Veledin Bilbilit.
Kadriu: -Për dy vetat që thotë ky, të Milotit. Unë them se dhe në procesverbalin e tij e ka theksuar këtë, nuk mban mend ndonjë emër të tyre?
Kryetari: -Emër të këtyre mban mend?
Hodo: -Nuk mbaj asnjë more shoku kryetar.
Kadri Hazbiu: -Unë nënvizoj, i nderuar trup gjykues që të shikohet se ky i ngatërron, duhet të ketë qenë në vrasjen e Preng Lleshit dhe që ka qenë një dhe jo dy, që di unë…
Kryetari: -Këtu është dekoruar dhe ushtari, thotë ky…
Kadriu: -Tani, mund të thotë si të dojë. Këtu ka dokumente, është dekoruar, s’është dekoruar, nuk e di… Desha të nënvizoj, nuk kam punë me të, për këtë që janë mbajtur 12 vjet e 13 vjet, ka dokumente. Unë kam thënë dhe si mund të gjenden, duke iu referuar dosjeve respektive në zbulim. Për dy të tjerët, përveç Piro Xhezos e Petref Bajramit, unë nuk di që të jenë mbajtur nga 12 apo 13 vjet… Mund të jenë mbajur nga një vit apo dy. Për 13 vjet, mua s’më kujtohet. Këta po, dy të parët po…
Prokurori(Rrapi Mino): -Cilët?
Kadriu: -Pirro Xhezo dhe Petref Bajrami. Edhe unë kam thënë i nderuar prokuror në proces, ku mund të kërkohet arsyeja e gjithë hollësitë e tyre në dosjet respektive të Reshat Baramagës edhe të atij Jaup Xhezo Iliazit…
Prokurori: -Po, mirë, lajmëronit ju që këta po mbahen?
Kadriu: -Po, ndoshta nuk është lajmëruar…
Kryetari: -Po për këto kombinacionet nuk lajmërohej atëherë?
Kadriu: -Nuk e ndiqnim këtë praktikë. Këto kam…
—-
Marrë nga arkiva HISTORI e gazetës DITA
