Kryeministri Edi Rama, bashkë me ministrin e Ekonomisë, Bledi Gonxhe, ministrin e Financave, Petrit Malaj, zëvendësministren e Ekonomisë Olta Manjani dhe drejtorin e Tatimeve, Ilir Binaj kanë zhvilluar sot një takim me pensionistët në Tiranë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh se po shikohet mundësia që pensionistëve t’ju rritet bonusi i fundvitit, ndërsa theksoi se indeksimi i pensioneve me 4.1 përqind nuk ka të bëjë me skemën e pensioneve, por me indeksim, pas rritjes së çmimeve. Sipas tij qeveria është e angazhuar për një rritje sa më të shpejtë të pensioneve.
Edhe ministri Gonxhe tha se po punojnë për përmirësimin e skemës së pensioneve në disa drejtime, si barazia e pensioneve për profesione të njëjta, kapja e një niveli të denjë të paktën në minimumin jetik për pensionet e ulëta, rritja e pensionit mesatar dhe uljen e distancës me pagën mesatare.
Ai renditi problemet me skemën kontributive për pensionet, ku evidentoi se një nga problemet madhore është fakti që nuk plotësohet raporti i nevojshëm mes të punësuarve dhe pensioneve, ku shtoi edhe problemin e informalitetit dhe mosdeklarimit të plotë të pagave.
Zv.ministrja Manjani teksa prezantoi skemën e pensionve vuri theksin te një faktor i rëndësishëm siç është jetëgjatësia që është gjithnjë e në rritje, që sipas saj edhe pse kjo rëndon mbi skemën e pensioneve, uron që të zgjasë sa më shumë.
Manja tha ndër të tjera se për të marrë një pension minimal qytetarët duhet të kenë minimumi 15 vite punë, ndërsa që këtë pension ta marrin të plotë duhen plot 38 vite pune të deklaruar.
Në takim, nuk mungoi edhe fjala e kryeministrit Edi Rama ku tha se pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet, ndërsa u shpreh se që të ketë rritje të tyre duhet të ketë edhe rritje të kontributeve.
Ai u shpreh se çdokush që ka biznes të madh apo të vogël, brenda fitimit ka detyrimin ligjor të japë atë që u takon pensionistëve përmes skemës.
Sipas tij ata që nuk paguajnë kontributet për pensionet, do të përballen me të njëjtat masa si ata që nuk paguanin energjinë elektrike.
“Ishte vetëm një indeksim ligjor që nuk varet nga dëshira jonë dhe nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë për ta bërë 4 shtatë. 4.1 përqindëshi, që në pamje të parë është asgjë, është direkt 100 mln euro. Ata që thonë ulini rrogat deputetëve e jepuani pensionistëve, më ngjan me atë që mirë gjithë dita që ju kalon duke u marr me nipër e mbesa, me nuse e dhëndurë, por dalin dhe këto në televizor që ua bëjnë ditën natë. Është absurde, nuk ka lidhje fare. Ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet çdo muaj”, tha Rama.
“Kemi bërë një reformë pensioni më 2014. E dyta që ka bërë qeveria e PS është se në reformë e ka shkruar se nuk mund të lëmë asnjë pensionist pa pension, edhe pse nuk është në sigurimet shoqërore. Kjo është kategoria e gjysheve shtëpiake. Pensioni social që kemi vënë ne nuk ka vlerë të madhe, por ne nuk lëmë asnjë pa mbuluar. Ka nga ata që kanë punuar 30 vjet në Greqi dhe thonë pastaj kur vijnë ku është pensioni im. Por ti nuk ke qenë këtu, ke qenë atje.
Nuk ka kryeministër në botë që nuk do të rrisë pensionet. Këta që janë përballë nesh, janë politikanë të produkteve të piramidave. Ne kemi dhënë tre bonuse nga rritja e çmimeve nga lufta në Ukrainë, plus dhe bonusin tradicional. Ne e kemi nisur nga kocka e kofshës së një gjysmagjeli më 2014. Pa menduar mirë rritjen, mund të shkojmë tek gropa e piramidave”, tha Rama.
j.l./ dita
