Kryeministri Edi Rama ka folur sërish sot për protestat e dhunshme në Tiranë, ku dha detaje për mënyrën e organizimit të tyre.
“Ndërkohë që liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, në Shqipëri dhuna është një krim i pajustifikueshëm. Për fat të keq në protestat e javës së fundit u bënë bashkë që të dyja, nga një anë liria për të protestuar si një e drejtë e pamohueshme dhe nga ana tjetër dhuna si një krim që u relativizua dhe glorifikua në ekranet e korruptuar të mbrëmjeve mediatike. Papushim, orë e çast, shqiptarët panë me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë tërësisht të rreme se studentë të pafajshëm e idealistë u vunë nën dhunën policore. Një përmbysje dramatike manipuluese e një realiteti tërësisht tjetër. Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar, në Europë dhe në Shqipëri. S’bën askund vaki që pjesa më e dëmtuar të jetë Policia. Bën vaki këtu.
Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamengove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë e të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vetë. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tashmë në duart e Policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë. Por në duart e Policisë janë edhe një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejtë nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Por glasa mbi tortë është PD, që dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit.
Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë student, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, tha mes të tjerash Rama.
j.l./ dita
