Në fushatën e vitit 2007 kur Rama kishte rival Sokol Olldashin për Bashkinë e Tiranës, u publikuan disa foto nudo të tij.
Megjithëse pati njerëz të afërm që e këshilluan t’i mohonte, Rama asokohe pranoi autenticitetin e fotove dhe tha se ato janë bërë në 1995 në një plazh në Francë.
Në një emision sot në televizion, Rama u pyet për këtë histori dhe dha deklarimin e mëposhtëm:
“Kisha shqetësim patjetër, ishte një kuti me fotografi lloj lloj, të cilat i kisha lënë në bagazhin e makinës bashkë me gjëra të tjera sepse jam shumë i pavëmendshëm.
Fatmirësisht, tani jam disiplinuar nga pikëpamja e jetës dhe kam një njëri që kujdeset për mua në mënyrë të jashtëzakonshme.
Një ditë të bukur më bie telefoni dhe e ngrita, më tha dikush shiko me një zë shqetësues, duhet të bëhesh gati të paguash se ke dhe fushatën përpara, nuk po e kuptoja çfarë po thoshte i thashë kush je, më tha do e kuptosh, por përgatitu të paguash mirë.
Ndodhi një telefonatë prapë pas 10 ditësh dhe isha i përgatitur në rastin e dytë t’i ktheja përgjigje frëngjisht, më thotë mos bëj trimin se mos me pagu ti, do tmerrohen të gjithë gratë e gjithë gocat e gjithë familjet e këtij vendi. Në një moment pata një flash që janë fotot, i kërkova dhe nuk i gjeta. Dhe makina kishte shkuar në një vend dhe aty gjërat kishin humbur. Kështu e kisha një përgatitje, kur erdhi gjëja e lanë në një zarf i thashë nuk paguaj, bëni çfarë të doni. As nuk bëhej fjalë të paguaja se s’kisha bërë gjë.
Mendoja që janë fotografitë por nuk e dija cilat qartësisht. Erdhi zarfi, unë isha në fushatë, më mori në telefon drejtuesja e organizimit më tha ku je duhet të vish patjetër. I thashë mos u shqetëso se nuk është se po sheh për herë të parë, më tha nuk është për të qeshur.
E ndava mendjen që duhej të përballohesha më të vërtetën, i thashë thuaj është montazh, por më vinte plasja të fshihja këtë gjë. Isha në një plazh nudist me të dashurën time, kam qenë njeri i lirë.
Nuk e lashë fushatën në mes. Kam pasur gjithmonë besim tek shqiptarët se janë të mprehtë edhe për gjëra të caktuara e kanë të fortë instiktin se kush ka të drejtë. Në këtë pikë thoja çfarë është kjo në fund të ditës të gjithë njerëzit do të thonin, çfarë ka bërë.
Nuk ishte e lehtë, më erdhi fjala që kishin vajtur në një gazetë, nuk ishte e lehtë. U publikuan. Por aty ne u rritëm, se ne bëjmë sondazhe fotografitë e zgjeruan diferencën.
Axhenda ishte që do të bëja takim me të rinjtë në një si disko, ishte kohë pak para dreke dhe aty ishin mbledh nja 200 të rinj dhe unë i them, kanë nxjerrë sot disa foto të mijat që i kam bërë kur kam qenë me të dashurën atje dhe ata mendojnë se duke u futur tek jeta private e imja më dëmtojnë.
Ata të gjithë shpërthyen në duartrokitje dhe kur po dilja ishte një nga këta tipikët dhe më tha je i madh. Më tha, e kisha ndarë mendjen, por desha të dëgjoj çfarë do të thoje, po të kishe thënë është montazh, ta kishe harruar votën time. Unë mendoj se shqiptarët janë shumë të mprehtë e të adaptueshëm.”- tha Rama.