Nga Vincent van Gerven Oei
Gazetar holandez i ndaluar nga Policia gjatë protestës në Tiranë
Komisariati i Policisë nr. 3 në Rrugën Mine Peza është zyra e parë e policisë që unë kam vizituar kur u zhvendosa në Shqipëri në 2010. Atëherë aty strehohej Zyra e Policisë së Migracionit dhe Kufirit, dhe unë shkova për të aplikuar për lejen time të parë njëvjeçare të qëndrimit. E kisha përgatitur plotësisht aplikimin, ose kështu mendoja, dhe hyra në zonën e pritjes gjysëm të ndriçuar dhe të amortizuar pranë ndërtimit të burgut.
Nuk kishte njeri pas sportelit. Ata po pinin një kafe. Kur një nga oficerët erdhi, kishte një pamje të çuditur dhe kurioze. Ky ishte fillimi i turit tim të parë të madh nëpër institucionet shtetërore shqiptare – Ministria e Punës, Dhoma e Tregtisë, Zyra e Tatimeve, Bashkia e Tiranës – në kërkim të letrave të duhura.
Disa vjet më vonë Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet dhe zyra e migracionit u zhvendos në një vendndodhje krejt të re në Laprakë, me staf të trajnuar me paratë e BE-së. Jo vetëm që ambienti dhe oficerët ishin më profesionistë, e gjithë procedura ishte gjithashtu më e centralizuar dhe e thjeshtuar. Megjithatë, ata më bënë të kthehem disa herë. Kishte një listë kontrolli dokumentesh të duhura, orare të besueshme hapjeje, një zonë pritjeje, dhe shumë emigrantë të tjerë që dorëzonin dokumentet e tyre rreth meje. Unë u detyrova ta shtyja pak këtu e pak atje dhe të sillja një “mik”. Por gjithsesi, në përgjithësi eksperienca ishte pak më e mirë se më parë. Shqipëria po hapej ndaj botës dhe ishte e etur t’i bashkohej BE-së.
Më vonë, zyra e migracionit u zhvendos në periferi të Tiranës në Sharrë, në terrenin stërvitor të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Zyra është e hapur vetëm për një dritare të shkurtër kohe midis orës 12 dhe 2 pasdite. Kur unë mbërrita në mes të verës kishte një grup të madh emigrantësh punëtorë filipinas të mbledhur kruspull në hijen e vogël të ofruar nga porta. Disa nomadë digjitalë të humbur prisnin aty rrotull rrugës me pluhur, të pasigurt nëse kjo ishte vërtet zyra e migracionit. Nuk kishte asnjë tabelë.
“Zyra” vetë, nëse e meriton atë emër, përbëhej nga dy dhoma pa tabelë dhe të mobiluara keq, ku mund të dëgjoje stërvitjen e qitjes pranë kazermave të policisë në diellin e plotë të mesditës. Edhe pse kisha përgatitur të gjitha dokumentet e listuara në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vizitë pas vizite kërkesa të reja më bërtiteshin nga oficerë gjithnjë e më armiqësorë dhe jokompetentë. Unë mendova t’i korruptoja, por ndonjëherë ata thjesht nuk i meritojnë paratë e tua.
E gjithë kjo kaloi nëpër mendjen time ndërsa u ktheva dje në mbrëmje në Komisariatin e Policisë nr. 3 në Rrugën Mine Peza, këtë herë i prangosur në pjesën e pasme të një makine policie, bashkë me Jonin, një kamarier nga Librazhdi dhe i verbuar nga një ngarkesë e freskët spërkatjeje gaz me piper (spejs).
Për të qenë plotësisht i saktë, të gjitha i përmblodha pak më vonë në qelinë e paraburgimit, sepse kur sytë e tu janë plot me piper ti mund vetëm të bërtasësh nga dhimbja dhe zemërimi. Në momente të tilla truri ndalon së kryeri funksione të nivelit të lartë, si analiza dhe mendime mbi një alegori me zyra migracioni.
*****
Në origjinën e periudhës sime si gazetar që shkruan për Shqipërinë janë protestat e 21 janarit 2011, të thirrura nga Partia Socialiste e Ramës kundër qeverisë së koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, në vazhdën e një skandali të madh korrupsioni që përfshinte ryshfete të paguara për Metën. Mendoja shpesh për këtë ndërsa shikoja përshkallëzimin e Revolucionit Flamingo gjatë disa javëve të fundit; dhunën masive, pa dallim dhe të paligjshme të policisë; talljen e Kryeministrit në fytyrë me këtë vuajtje të popullit të tij dhe deklaratat e tij publike gjithnjë e më të çoroditura. Por edhe indiferencën e llogaritur të Komisionit Evropian.
Kjo është pjesë e asaj që unë shkrova atë ditë janari të vitin 2011:
”…. Dola nga shtëpia rreth orës 14:30. Me të mbërritur pranë Kryeministrisë takova disa miq në rrugë të cilët thanë se po ndodhte një “grusht shteti”, “pikërisht si në ’97”. Ecëm së bashku në bulevardin kryesor, por u desh të ktheheshim për shkak të gazit lotsjellës, i cili, i fryrë drejt nesh nga era, të digjte në fyt dhe sy. U ngjita në Piramidë për të pasur një pamje të përgjithshme të situatës dhe brenda gjysmë ore pashë të paktën pesë makina në flakë. Njerëzit në sheshin para piramidës shkatërruan kalldrëmin për të hedhur gurë mbi gardistët që ruanin zyrën e KM-së. Dëgjova disa shpërthime të forta […] Pas rreth një ore hedhje gurësh dhe shkatërrimi të dy furgonëve të policisë pranë zyrës së KM-së, protestuesit nisën një sulm të plotë rreth orës 15:30, duke i detyruar ushtarakët të tërhiqeshin brenda dyerve të godinës së KM-së. Dy furgonët e policisë u kallën në flakë. Më pas nisën krismat dhe u detyrova të lija pozicionin tim në Piramidë. U futa në një kafene, por mund të dëgjoja të shtëna armësh që vinin nga drejtimi i bulevardit kryesor….”
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, unë dola përsëri nga shtëpia dje rreth orës 14:30 për t’u bashkuar me disa miq në protestën para Ministrisë së Arsimit. Ishte një pamje e mjerueshme. Disa mbështetës të Partisë Demokratike grindeshin me anëtarët e partisë Lëvizja Bashkë me “Rama në burg, Qori në burg” dhe “Poshtë komunistat”, ndërsa studentët u përpoqën t’i mbytnin me origjinalen “Rama në burg, Berisha në burg”. Grupe që bërtitnin “Shqipëria për shqiptarët, poshtë tradhtarët”, ndërsa studentët përgjigjeshin me “Ne jemi opozita”. Pas gjithë këtyre muajve, protesta po protestonte kundër vetes, para guaskës së zbrazët dhe të rrënuar të ministrisë.
Në një pikë disa protestues të maskuar rrokullisën disa kazanë plehrash dhe i vunë zjarrin në mënyrë ceremoniale. Policia u përgjigj me breshëritë e para të ujit me presion. E gjithë skena ishte çuditërisht rituale, sikur të ndiqte një skenar që ishte provuar dhe përsosur gjatë një periudhe të gjatë kohe.
Disa granata gazi lotsjellës mjaftuan për të shtyrë protestuesit nga Rruga e Durrësit drejt Katedrales Ortodokse. Prej atje e tutje, rreth qoshes së hyrjes së nxirë të Ministrisë së Mjedisit, te Bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe Kryeministria, disa topa uji dhe forca të armatosura policie prisnin turmën.
Asgjë e veçantë nuk ndodhi ndërsa muzgu ra mbi Tiranën. Të njëjtët fëmijë të maskuar mblodhën gurë dhe i hodhën ndaj policisë. Disa molotovë u hodhën te topa e ujit të parkuar në anë të Kryeministrisë. Asnjë prej këtyre aksioneve nuk dukej se kishte shumë rëndësi, ndërsa grupe të vogla protestuesish takoheshin dhe bisedonin në bulevard. Unë isha i lumtur të dalloja disa miq të vjetër që nuk i kisha parë prej kohësh, dhe studentë të cilëve dikur u kisha mësuar Alain Badiou por tani të gjithë ishin rritur për t’u bërë aktivistë politikë.
Të njëjtët fëmijë të maskuar nga më parë po përpiqeshin tani të lëviznin turmën përsëri në një pozicion midis Parkut Rinia dhe Bankës Kombëtare. Disa njerëz rreth meje komentuan se ishte një kurth dhe një devijim, dhe se askush nuk ishte i sigurt nëse këta fëmijë ishin në të vërtetë pjesë e protestës apo elementë të infiltruar nga qeveria. Por sapo një turmë fillon të lëvizë, nuk ka ndalesë dhe kështu unë përfundova së bashku me miqte e mi në trotuarin pranë Parkut Rinia. Po bëhej vonë dhe askush nuk dukej se lëvizte më.
Një mik u largua për darkë, pastaj një tjetër. Pikërisht kur unë po bëhesha gati të ikja për takimin tim të darkës, policia filloi të avanconte me topat e ujit, ndërkohë që sulmoi nga të gjitha anët përmes Parkut Rinia. Ndërsa po ecja drejt shatërvanit, unë u rrethova nga rreth pesë oficerë policie të armatosur dhe u mora në paraburgim. Për një kohë ata diskutuan nëse duhet apo jo të më arrestonin. Disa donin të më linin të ikja, të tjerë donin të më merrnin brenda. Asnjë prej tyre nuk më jepte ndonjë arsye të veçantë. Përfundimisht dy prej tyre më shoqëruan në një furgon policie.
Një gazetare pa se unë po arrestohesha dhe filloi të thërriste emrin tim dhe të më filmonte ndërsa më largonin. Ajo u spërkat dhunshëm me piper nga oficeri në të majtë tim, ndërkohë ai gjithashtu më dha një dozë edhe mua. Unë u verbova menjëherë. M shtynë në furgonin e policisë. Ata kontrolluan trupin tim dhe sendet e mia. Unë u identifikova, por natyrisht një shkrimtar holandezo-kinez për Shqipërinë është një subjekt i lehtë talljeje.
“Edhe unë kam shkruar një libër!,” bërtiti njëri prej tyre ndaj meje. “A do të shkruash për ne?” Një oficer, mbase pak më i vetëdijshëm për situatën, u tha të tjerëve të heshtnin. Unë u zhvendosa nga furgoni në një makinë policie, u prangosa bashkë me Jonin, dhe u dërgova me makinë. Nga ajo që mund të kuptoja nga lëvizjet, ne po udhëtonim për te Komisariati i Policisë nr. 3 në Rrugën Mine Peza.
Ndërsa hyra në komisariat, unë isha ende i verbuar dhe në dhimbje agonizuese. Brenda pyeta këdo që ishte atje për ndihmë mjekësore, që ishte një nga të drejtat e mia. M’u lejua vetëm të laja fytyrën me ujë, por prapë mezi shihja. Askush nuk më lexoi të drejtat e mia, as më informoi për arsyen e arrestimit tim. U vendosa në një qeli paraburgimi. Dhimbja çjerrëse dhe verbëria e spërkatjes me piper u tretën në një dhimbje koke mpirëse dhe të përziera. Por të paktën mund të shihja përsëri.
Kuptova shpejt se kjo ishte një lloj qelie “luksi”, e dhënë për mua për shkak të pasaportës sime të huaj. Disa oficerë hynë për të bërë shaka rreth “televizorit” (nuk kishte asnjë, natyrisht).
U vizitova nga disa oficerë të rangjeve të ndryshme, me dhe pa uniformë dhe në mënyrë konsistente pa asnjë formë identifikimi, më kërkonin të dhënat e mia personale. Shkrova emrin e babait tim, të nënës sime, dhe emrin tim në post-it, copa letrash të grisura, dhe shënime telefoni. Një oficer hyri për të më bërtitur duke pretenduar se ata kishin pamje video të miat duke hedhur gurë te policia dhe se “shefi” (ai tregoi tavanin) do të vendoste fatin tim. Unë kërkova të telefonoja ambasadën holandeze, gjë që u refuzua.
Pas disa orësh brenda, ende nuk më kishin lexuar të drejtat e mia dhe nuk më jepnin asnjë informacion për krimin tim të pretenduar. Përfundimisht një oficer hyri me një copë letër. Ajo ishte pa datë, pa orë (unë vetë.i kisha mbajtur pa dyshim shënim) për t’u plotësuar më vonëe për t’iu përshtatur çfarëdo kohe që ata më regjistruan. Unë e firmosa gjithsesi. Dhimbja më kishte hequr çdo shpirt luftarak ose drejtësie që kam për t’i bërë ballë padrejtësisë.
Një ndjenjë tjetër kishte ardhur në vend të saj. Një ndjenjë e tmerrshme. Që në momentin që pashë oficerët e policisë duke ardhur drejt meje para Tajvanit, unë e dija: Duhet të shkruaja për të gjithë këtë. Që nga ai moment e tutje, pavarësisht dhimbjes, interesi im i vetëm ishte të mbaja mend detajet, të mbaja mend sa më shumë detaje të ishte e mundur. Ngacmimet e oficerëve të policisë, ndjesinë e këmbës së Jonit ngjeshur pas times, sirenën e makinës së policisë duke çarë rrugën përmes trafikut, hapat e vegjël për të hyrë në komisariat, pesë palët e çizmeve që pashë kur unë mund të hapja sytë për herë të parë pas sprajit, drurin e stolit në qeli, i cili ishte bërë nga të njëjtat dërrasa që përdoren për tarracat e kafeneve, derën, të skalitur me emra vendesh (Dibra, Kukësi, Hasi), nofka, dhe një svastikë; telat elektrikë të ekspozuar; tasin e tualetit plot me bishta cigaresh; tryezën në korridor jashtë qelisë sime, me dy oficerë, njëri ende i veshur me mbushje mbrojtëse, duke plotësuar letrat e mia me shkrim dore të ngushtë pa asnjë kompjuter para; çantën time dhe shishen e ujit në dysheme, helmetën time të bardhë dhe maskën kundër gazit në tryezë; rripin e Jonit; mbështjellësin e çokollatës që kisha ngrënë para Ministrisë; shishe uji të ndryshme të kthyera në taketuke; një TV pa lidhje që tregonte menunë e kanalit digjital.
U fotografova në kohë të ndryshme nga oficerë të shumtë, gjithmonë me telefonat personalë të vetë oficerëve, dhe në poza të ndryshme me dhe pa maskën time kundër gazit. Në atë pikë unë nuk kisha asnjë lloj interesi për drejtësi për veten time ose për ndonjë tjetër. Unë po mendoja vetëm për një gjë: Si do ta formuloja paragrafin e parë të këtij shkrimi. Psikoterapisti im dikur më ka thënë se shkrimi është një strategji e mirë përballimi vështirësish, dhe dukej se kjo strategji kishte hyrë tek unë në fuqi të plotë ndërsa ecja duke bërë rrathë të vegjël në qelinë time VIP.
Në një pikë e papritura ishte zbehur dhe unë kisha firmosur një mori letrash të cilat çdo avokat i aftë pa dyshim do t’ua rrëzonte. Gjatë orëve të mëpasme të izolimit u përpoqa të bisedoja me policin e ri që ishte roja ime, po e quajmë Bledi. Bledi ishte pak më shumë se 20 vjeç, nga jugu. Ishte bashkuar me forcat e policisë vetëm dy muaj më parë, dhe ata e kishin zhvendosur në Tiranë kur protestat e studentëve kishin filluar.
Bisedat tona shpesh ndërpriteshin nga oficerë të tjerë që hynin në korridor, por sapo ishte vetëm përsëri ai ishte i sjellshëm dhe i lumtur të fliste. Po bëhej vonë dhe ishte në fund të turnit. Të hënën i kishin premtuar të kthehej në shtëpi me leje për dy javë.
Një fytyrë tjetër u shfaq pas hekurave të derës sime të qelisë, folëse e anglishtes, që i përkiste policisë gjyqësore, Alba. Ajo donte të merrte deklaratën time. Më pyeti nëse unë doja një avokat, dhe unë i thashë se doja të telefonoja ambasadën holandeze. Kjo shkaktoi një fluks të lehtë paniku në sytë e saj. Nuk mundi ta kapte ambasadën në linjë në atë orë, ndaj përfundimisht më lejuan të përdorja telefonin tim për të telefonuar drejtpërdrejt sekretaren e ambasadës.
Kjo duket se bëri efekt, dhe unë përfundimisht u lejova të jepja deklaratën time. Ndoqa Bledin lart, ku në fund të korridorit një dritare e madhe lejonte të hynte pak ajër i freskët mbrëmjeje. U ndala për ta thithur atë. “Qëndro larg dritares,” më tha Bledi. “Herën e kaluar, një reper iku përmes saj dhe nëse ti ikën unë mund të hidhem po aq mirë”.
Tavolina e Albës ishte e mbushur me letra të shënuara “sekret” dhe “konfidenciale”. Lidhja e saj e internetit nuk punonte. Tavolina pranë saj ishte mbushur me shishe tretësirë për shplarje sysh. “Mund të përdor njërën,” bëra shaka unë. “Janë të sekuestruara nga protestuesit,” më tha ajo.
Kush sekuestron furnizime mjekësore? Për të provuar çfarë?
Në mur ishte një gdhendje në dru. Një malësor i Shqipërisë veriore që gdhendte lule në gur rreth një ylli komunist. “Të pëlqen?” më pyeti ajo, kur kapi vështrimin tim. “Kam shkruar një libër për monumentet e komunizmit” ia ktheva unë.
Sapo letrat zyrtare përfunduan, avokatja më pyeti, me oficerët e policisë ende në dhomë, se çfarë mendoja për protestat. “Mos u shqetëso,” tha “kemi mbaruar së shkruari, mund të flasim lirshëm”.
“Nuk do të pëlqejë kjo që do t them tani” shtoi Alba. Telefoni im do të sekuestrohej si “provë”. “Merr frymë,” më tha avokatja. “Nuk mund të bësh asgjë për këtë për momentin. Thjesht firmos letrat.” Unë isha i fundit për atë natë, dhe Alba ishte e lumtur se do mund të ikte më në fund në shtëpi dhe që kishte në vijim një leje mjekësore të papaguar.
“Je i lirë të ikësh tani” – më thanë. Nuk më dhanë asnjë kopje të procesverbalit pa datë që kisha firmosur më parë, apo ndonjë copë letër për sekuestrimin e telefonit tim celular. Kisha vetëm një kartëvizitë me numrin e telefonit të avokates. Mundet, natyrisht, të kisha tentuar të kontaktoja një më të aftë. Por isha i lodhur, i uritur, dhe doja të shkoja në shtëpi. Trupat tanë gjithmonë na tradhtojnë.
Bledi më sboqëroi përsëri poshtë. Më lejoi të ulesha në korridor në vend të kthimit në qelinë time. “Çfarë do ndodhë tani?” pyeta unë. “Tani do presim.” “Për çfarë?” “Që ti të lejohesh të ikësh në mënyrë që unë të mund të shkoj në shtëpi.” Joni na u afrua për një cigare. Ai kishte marrë një gjobë prej 5.000 lekësh për bllokim të rrugës. Babai po e priste jashtë.
Oficerët hynin dhe dilnin. Një prej tyre me sa duket kishte trajtuar çështjen e Jonit dhe me kërcënim i tregoi atij fotografi bardh e zi me rezolucion të lartë. “Shikoje, shikoje çfarë pamjesh kemi” e ngacmoi ai. “Me dronë i keni bërë?” pyeta unë. “Diçka e ngjashme me dronin!”
Oficeri vazhdoi të frikësonte Jonin në korridor. “I ke harruar të gjitha gjërat që Edi Rama ka përmirësuar për ne? Rrugë më të mira, paga më të mira? I ke harruar ? Ti bërtet ‘Rama, ik!’ pas gjithçkaje që ai ka bërë për ty! Ti nuk di as vetë çfarë do!” Joni ishte i palëkundur. “Unë dua që kjo qeveri të ndryshojë.”
Oficeri u kthye nga unë, “Ti, shkrimtar, a nuk kam të drejtë?” “Cila është pyetja?” iu ktheva unë, “Është pse kaq shumë njerëz paskan harruar gjërat e mira që Rama ka bërë për ta. Po ti pse mendon se është kështu?”
Pak më vonë, kur ishim vetëm përsëri, pyeta Bledin, “Po ti ke qenë aty jashtë, apo vetëm këtu brenda?” “Në fakt,” u përgjigj ai, “kjo është dita ime e parë brenda.” “Si ishte të ishe në anën tjetër?” “Adrenalinë. Shumë adrenalinë.” Ai bëri një pauzë. “Si mendon ti, çfarë do të ndodhë më pas?”
Ai nuk ishte i pari që më bëri këtë pyetje atë natë. Askush nuk mund të mbajë këtë nivel dhune për periudha të gjata kohe, as protestuesit, as policia. Çdokush në secilën anë është i rraskapitur. Nuk ka ende një horizont bashkëpunimi politik që do të jetë në gjendje të thyejë mbingopjen me Partinë Socialiste në pushtet. “Nuk ka alternativë,” thonë ndërkombëtarët, ndërsa pajtohen me “stabilitetin” që Rama ofron.
Dhe ata kanë të drejtë. Nuk ka alternativë të besueshme. Nuk ka asnjë person apo parti për të cilën dikush beson se është e aftë të marrë përsipër këtë përbindësh shtet, këtë organizatë mafioze, çdo fije dhe kapilar i së cilës është i ngjyrosur me trafik, korrupsion, dhe frikësim. Shqipëria është një Titanik krimi, ende në kërkim të ajsbergut të saj.
Më në fund, saktësisht pesë orë pasi isha regjistruar unë u lirova. U mirëprita nga miqtë e mi shqiptarë, që më sollën mbetjet e darkës që kisha humbur dhe një shishe të madhe të ujit tim të preferuar.
Shënim i autorit: “Mekanizmi Shqiptar” do të botohet nga fillimi i vitit 2027 në një botim në gjuhën angleze dhe një përkthim shqip nga “Pika pa sipërfaqe” në Tiranë. Ai do të mbledhë të gjitha tekstet e shkruara për projektin Manifesti si dhe këtë pasthënie. Për arsye që janë shpresoj të dukshme, të gjithë detajet personale të atyre që janë përmendur në këtë tekst janë ndryshuar për të ruajtur anonimitetin e tyre.
Përshtatur në shqip nga Manifesti.al
