Nga Dorin Xhima
Çdo fillim viti njerëzit shpesh vendosin qëllime të mëdha për shëndetin, mirëqenien dhe stilin e jetës. Por shumë prej tyre dorëzohen brenda pak javësh.
Sipas ekspertëve të sjellë në një artikull të botuar së fundmi në CNN, çelësi i suksesit nuk është vetëm motivimi i momentit, por ndërtimi i zakoneve që zgjasin përtej muajit janar.
Kjo bëhet duke përdorur strategji të provuara nga psikologjia dhe shkenca e trurit.
Së pari të sqarojmë pse shumica e premtimeve dështojnë. Studimet tregojnë se vendosja e objektivave shumë ambicioze në 1 janar shpesh çon në zhgënjim, sepse njerëzit mbështeten në fuqinë e vullnetit. Por kjo e fundit është e paparashikueshme.
Në vend të kësaj, specialistët sugjerojnë se ndryshimet e vogla dhe të qëndrueshme janë më efektive, pasi truri formon sjellje të reja përmes përsëritjes së vazhdueshme dhe jo premtimeve të mëdha të një dite.
Strategjia e vogël që bën diferencën
Pra, në vend të një liste të gjatë me rezoluta të jashtëzakonshme, ekspertët rekomandojnë të fokusoheni te hapat konkretë që mund të përsëriten çdo ditë, p.sh: të vendosni një objektiv të vogël çdo mëngjes që lidhet me rutinën tuaj (p.sh. ecje 15-minutëshe)
Të krijoni “listën e të mos-bërit”. Pra, sjellje që dëshironi të shmangni, për të ndihmuar vëmendjen tuaj të qëndrojë e qartë.
Të përdorni mjetet e teknologjisë apo mbështetje nga miqtë për t’ju mbajtur përgjegjës gjatë rrugës.
Për ta bërë ndryshimin të qëndrueshëm, ekspertët sugjerojnë që të mos lidhet gjendja juaj e mirë me “rezultatin perfekt” brenda javëve të para të vitit. Në vend të kësaj, rekomandohen zakone që lidhen direkt me jetën e përditshme, si ngrënia e një vakti të shëndetshëm çdo ditë, gjumi i rregullt dhe ecja e rregullt, që me kalimin e kohës çojnë në përfitime reale afatgjata.
Mos nënvlerësoni fuqinë e qëllimit
Ndërkohë që shumë njerëz e lidhnë ndryshimin me një datë në kalendar, psikologët sugjerojnë se qëllimet e ndërtuara rreth vlerave personale dhe arsyes pse dëshironi të ndryshoni janë më të lehta për t’u mbajtur.
Kjo nënvizon rëndësinë e reflektimit të brendshëm dhe të një plani praktik, jo thjesht një premtim sipërfaqësor.
Pra, më shumë se sa një ditë motivimi, ky vit mund të jetë një mundësi për të ndërtuar zakone të vogla, por të fuqishme, që na afrojnë gradualisht drejt shëndetit dhe mirëqenies afatgjate.
Suksesi nuk vjen nga një ndryshim i menjëhershëm, por nga zgjedhjet dhe përsëritja ditore që bëjmë çdo javë, çdo muaj. Për një vit të tërë.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
