Shqipëria e mbyll me festë aventurën në grupin C1 të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë kanë triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Bjellorusisë në transfertën e Budapestit, duke siguruar zyrtarisht vendin e parë dhe ngjitjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm.
Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran e nisi ndeshjen me vendosmëri dhe arriti të marrë avantazhin në minutën e 28-të. Ishte Rey Manaj ai që dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Shqipërisë epërsinë e merituar pas një pjese të parë të kontrolluar nga kuqezinjtë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria vijoi të administronte lojën dhe gjeti edhe golin e sigurisë. Në minutën e 57-të, kapiteni Elseid Hysaj dyfishoi shifrat, duke vulosur fitoren dhe një mbrëmje të rëndësishme për futbollin shqiptar.
Me këtë sukses, Kombëtarja e mbyll grupin C1 në vendin e parë me 15 pikë, duke siguruar ngjitjen automatike në Ligën B të Nations League. Një objektiv i arritur nga kuqezinjtë, që tashmë kanë edhe një mundësi tjetër për të synuar kualifikimin në Kampionatin Europian 2028, përmes rrugës së playoff-it të lidhur me Ligën e Kombeve.
Shqipëria e mbyll kështu këtë edicion me një fitore që ka vlerë të dyfishtë: suksesin në fushë dhe ngjitjen mes skuadrave të Ligës B.
j.l./ dita
