Prof. Pajtim Lutaj
Miku im Luan Rama, shkrimtar, diplomat dhe ish-ambasador, me të drejtë i krahason parlamentarët tanë me gardistët e kuq.
Është e vërtetë se në këtë situatë kaotike për vendin, të zgjedhurit e çfarëdo instance po heshtin. Administrata po fshihet pas injorancës dhe korrupsionit, ministrat pas emërimeve nepotike, Kryeministri pas veprimeve të një perversi narcizik… por këta, i dashur Luan, nuk po sillen si gardistët e kuq, po sillen si minjtë e kanaleve të Parisit dhe janë bërë një me Black Blocs.
Tel peuple, tel gouvernement… “Si është populli, është qeveria” — kjo thënie është konfirmuar me qindra herë në historinë e vendit tonë, saqë është krijuar idea se kombi ynë nuk ka aftësi shtetformuese, se nuk ka edukatë politike, shoqërore dhe fetare.
Gardistët e vërtetë kanë lindur dhe lindin në çdo lëvizje shoqërore, por në vendin tonë, si me pa të keq, deformohen shumë shpejt nga të zgjedhurit gjoja demokratikisht, të cilët shpejt a vonë kthehen në mëkatarë të vendit, fabrikojnë sisteme paralele drejtimi, administratë fallco, drejtorë fallco, deputetë fallco, profesorë fallco… deri protestues fallco.
Këta persona, me në krye liderët e tyre shpirtërorë, ushqejnë pakënaqësinë e popullit dhe krijojnë protestues e protesta.
Por këto protesta, në vend që të dëgjohen dhe të konsiderohen, me shpejtësi dhe me ndihmën e tutorëve të tyre jashtë vendit transformohen shpejt në shkatërrimtare për vendin.
Protestuesit model të fillimqershorit u zëvendësuan nga kapuçzonjtë e zinj dhe këto ditë po i djegin vendit.
Nuk kam asnjë dyshim se ato janë formacionet paramilitare politike që i krijon padrejtësia shoqërore… prishja e shkollës, edukimi familjar i mangët, mungesa e drejtësisë, e shëndetësisë dhe e rregullit social, dhe që i përdor demokratura.
Demokraturat nuk lejojnë krijimin e partive politike… është e pamundur sot të krijosh parti politike, madje është e ndaluar të krijosh një rrymë, një mendim… por krijojnë Black Blocs.
Kështu quhen kapuçzonjtë e zinj në Francë: janë persona të veshur me rroba të zeza, me kapuçë e maska të zeza për të mos u identifikuar. Kanë ideologji anarkiste, radikale antikapitaliste. Këta janë protestuesit radikalë që veprojnë bashkë gjatë protestave dhe kryejne akte vandalizmi.
Kjo gjë po ndodh në Francë me protestat e nxënësve të shkollave të mesme.
Për fat të mirë, në vendin tonë protestuesit e qershorit ’26 dhe studentët e shtatorit nuk u bashkuan.
Zgjidhja:
Zgjidhja duhet të jetë vetëm politike… verbëria dhe shurdhësia e politikës, sidomos e Edi Ramës në vendin tonë, po e çon vendin në katastrofë.
A e patë dje reagimin e Presidentit dhe Kryeministrit të Francës: urgjentisht mblidhen formacionet politike të vendit sot.
Po, po, URGJENTISHT, zjarri nuk pret! Kjo nuk shuhet me polici, aq më tepër me një polici si e vendit tonë… Jo.
Politikanët shqiptarë po sillen si Black Blocs brenda dhe jashtë parlamentit… Çdo formacion politik duhet të tërheqë kapuçzonjtë e zinj që i përkasin, për të ruajtur pasurinë publike të vënë me taksat tona dhe atë private të vënë nga populli.
