Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Si u kthye një pyll në një zonë vdekjeprurëse
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Aktualitet > Si u kthye një pyll në një zonë vdekjeprurëse
AktualitetBote

Si u kthye një pyll në një zonë vdekjeprurëse

Published: September 30, 2026
Shpërndaje
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82?

Nga Ada Petriczko

Një investigim i ri përdor metoda të arkitekturës forenzike për të argumentuar se vdekjet në zonat kufitare Poloni-Bjellorusi që nga viti 2021 nuk mund t’i atribuohen vetëm të ftohtit. Ministria e Brendshme e Polonisë thotë se raporti e shtrembëron realitetin.

Në dimrin e vitit 2021, Katarzyna Czarnota telefonoi ambulancën për tre djem, 16 ose 17 vjeç, të cilët kishin kaluar ditë të tëra në pyllin e lashtë të Bialowieza-s, duke ngrënë gjethe dhe duke pirë ujë nga një pellg. Dispeçeri refuzoi të dërgonte ambulancën. “Janë emigrantë të paligjshëm”, kujton Czarnota t’i kenë thënë. “Nuk po dërgoj ambulancë.”

- Publicitet -

Kur migrantët vdesin në kufirin Poloni–Bjellorusi, të dhënat zyrtare zakonisht ndalen te shkaku fiziologjik i vdekjes: hipotermia, mbytja apo arresti kardiak. Por, në gjuhën e përditshme, këto terma e zhvendosin fajin te lumi apo i ftohti, “në vend të personit që e la dikë atje”, thotë për BIRN Czarnota, e cila nga viti 2021 deri në 2024 drejtoi kërkimet mbi këtë kufi për Fondacionin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

“Hipotermia përshkruan mënyrën se si vdiq një person. Por nuk shpjegon pse ai u ekspozua që në fillim ndaj kushteve vdekjeprurëse”, thotë ajo.

Zona e Vdekjes – Si u krijua një regjim vdekjeprurës kthimesh të detyruara në kufirin Poloni–Bjellorusi është titulli i një raporti të publikuar më 8 shtator nga agjencia investigative Border Forensics dhe dy projekte kërkimore, Circumference of Violence dhe Infrastructuring Nature. Raporti synon pikërisht t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Czarnota ishte një nga studiueset kryesore të raportit. Duke kombinuar dëshmi, të dhëna mjekësore, kërkime në terren, harta dhe analiza gjeostatistikore, studiuesit shqyrtuan 102 vdekje të dokumentuara në zonën kufitare Poloni–Bjellorusi, si dhe 214 raportime të pjesshme për persona që dyshohet se janë zhdukur.

Përfundimi kryesor i tyre është i fortë: politikat, infrastruktura dhe praktikat e autoriteteve në të dyja anët e kufirit, sipas studiuesve, i “ekspozuan me vetëdije” migrantët ndaj kushteve natyrore që tashmë ishin provuar vdekjeprurëse.

Akumulimi i dëmit

Kalimi i kufirit në pyllin e Bialowieza-s në vitin 2008. Foto: Wikipedia.

Metoda buron nga arkitektura forenzike, një fushë e zhvilluar në Goldsmiths, Universiteti i Londrës, ku arkitekti Eyal Weizman, në vitin 2010, ishte pionier në përdorimin e imazheve satelitore, modeleve 3D dhe rindërtimit të hapësirave e ngjarjeve për të hetuar dhunën shtetërore. Charles Heller, drejtuesi i kërkimit për raportin Zona e Vdekjes, ishte ndër studiuesit e parë të Forensic Architecture. Pas një dekade aplikimi të këtyre metodave në Mesdhe, në vitin 2021 ai bashkëthemeloi Border Forensics, me synimin për t’i shtrirë ato në zona të tjera kufitare.

Ajo që hapësira i shton kërkimit është mundësia për të parë se si dëmet e veçuara grumbullohen dhe përshkallëzohen. “Migrantët që kalojnë nëpër zonat kufitare përjetojnë forma të shumta dhe të ndërthurura dhune, ndërsa mbeten të bllokuar aty për javë ose muaj, në cikle kthimesh përpara dhe kthimesh pas”, thotë Heller për BIRN.

Raporti gjurmon mënyrën se si dhuna e ushtruar nga autoritetet e zbatimit të ligjit në kufirin Poloni–Bjellorusi ndërthuret me dëmin e shkaktuar nga infrastruktura kufitare dhe, së fundmi, me atë që autorët e quajnë dëm të ndërmjetësuar nga mjedisi. Heller shpjegon se mekanizmi shpesh funksionon kështu: njerëzit rrihen nga oficerët bjellorusë, ndonjëherë edhe nga kontrabandistët, dhe më pas përsëri nga oficerët polakë që i ndalojnë dhe i kthejnë pas.

Ata që përpiqen të kapërcejnë gardhin 5.5 metra të lartë plagosen nga telat dhe mund të thyejnë kyçet e këmbëve apo krahët kur bien. Shpesh të paaftë për të kaluar, ata qëndrojnë më gjatë në zonat kufitare dhe tërhiqen më thellë në pyllin e dendur të Bialowieza-s për t’iu shmangur kapjes. Kjo, nga ana tjetër, i ekspozon ndaj kënetave, lumenjve dhe temperaturave të dimrit, të cilat bien shumë nën zero.

“102 vdekjet ku përqendrohemi janë kryesisht pasojë e formave të dëmit të ndërmjetësuar nga mjedisi”, thotë Heller. Megjithatë, ai argumenton se mjedisi bëhet i rrezikshëm dhe vdekjeprurës jo për shkak të ndonjë kushti natyror, “por sepse shndërrohet në një territor dhune përmes legjislacionit, praktikave të zbatimit të ligjit dhe infrastrukturës kufitare”.

Oficerë të Rojës Kufitare polake të vendosur pranë barrierës kufitare në qershor 2022. Foto: Wikipedia.

Për ta provuar këtë, studiuesit modeluan, ndër të tjera, mënyrën se si ekspozimi ndaj të ftohtit përkeqësohet sa më gjatë që njerëzit mbeten të bllokuar dhe e krahasuan atë me vendndodhjet nga të cilat ishin bërë telefonata për ndihmë. Por një hartë, e vetme, nuk mund të tregojë pse njerëzit vdiqën pikërisht aty ku u gjetën. “Teknikat tradicionale të kërkimit, si intervistat, dëshmitë apo statistikat, janë absolutisht thelbësore”, thotë Heller. “Fuqia e metodave hapësinore dhe vizuale shfaqet vërtet kur ato kombinohen me këto qasje.”

Analiza gjeostatistikore u përdor për të testuar modelet e identifikuara fillimisht përmes intervistave dhe dëshmive të mbledhura nga grupi polak We Are Monitoring, si dhe përmes rindërtimeve të dhjetë incidenteve me pasoja fatale.

Czarnota e quan këtë një hetim kundërvënës. “Nëse, për shembull, dikush është mbytur, ne shqyrtojmë se si ka përfunduar në ujë – përfshirë nëse kishte pasur një kthim të detyruar dhe nëse vdekja e tij lidhej me veprime ose mosveprime të aktorëve shtetërorë, si Roja Kufitare, policia apo ushtria”, thotë ajo.

Kur gjendet një trup në Poloni, prokurorët hapin automatikisht një hetim, por rastet nga kufiri zakonisht përfundojnë aty. Hetimi i parë për vdekjet pranë kufirit me Bjellorusinë përfshinte trupat e gjetur nga vjeshta e vitit 2021 deri në fund të vitit 2022. Prokurorët në Suwalki shqyrtuan 12 vdekje, mbyllën 11 prej rasteve, raportoi Radio Bialystok në mars 2024. Sipas Czarnota-s, arsyeja është se ato trajtohen si raste të mundshme të vrasjes nga pakujdesia.

“Ky kuadër kërkon një veprim të drejtpërdrejtë dhe një autor të drejtpërdrejtë, ndërsa një pjesë e madhe e dhunës në kufi ushtrohet në mënyrë indirekte”, thotë ajo. “Dëmi mund të jetë i ndarë në hapësirë dhe në kohë nga veprimet që e shkaktuan atë – për shembull, kur dikush kthehet pas me forcë ose lihet në një kënetë, pengohet të kërkojë ndihmë, apo kur qasja në ndihmë bllokohet de facto.”

Detyra e studiuesve ishte të rindërtonin zinxhirin e veprimeve, mosveprimeve dhe kushteve që i paraprinë çdo vdekjeje, në vend që ta trajtonin vendin ku u gjet trupi si pikënisjen e hetimit.

Shpërndarja e përgjegjësisë

Donald Tusk. Foto: Wikimedia Commons.

Raporti mbështetet te fjala “me vetëdije”, ndërsa Czarnota tregohet e kujdesshme për kufijtë e këtij pohimi. “Ne nuk po themi se shteti polak krijoi qëllimisht një sistem të projektuar për të shkaktuar vdekje”, tha ajo. “Por sapo vdekjet dhe zhdukjet e para nisën të ndodhnin në vitet 2021 dhe 2022, pasojat e kësaj politike tashmë dihej. E megjithatë, politika nuk ndryshoi; nëse diçka, ajo u bë edhe më e ashpër.”

Donald Tusk zhvilloi fushatën zgjedhore në vitin 2023 me premtimin për t’i dhënë fund shkeljeve të të drejtave në kufi. Megjithatë, pasi mori detyrën, qeveria e tij la në fuqi rregullat e miratuara nga paraardhësja e saj në vitin 2021, të cilat i lejojnë Rojës Kufitare t’i kthejë njerëzit në vijën kufitare. Kur autoritetet nisën të flisnin për “kthime të detyruara humanitare”, Czarnota thotë se “për ne u bë e qartë se praktika nuk po ndryshonte – vetëm narrativa rreth përgjegjësisë së shtetit”.

Në mars 2025, qeveria pezulloi përkohësisht të drejtën për të kërkuar azil për personat që kalonin nga Bjellorusia, me përjashtime për grupet vulnerabël. Masat ligjore, ndryshimet në politika dhe infrastruktura, thotë ajo, kanë krijuar “një lloj zone të fshehtë dhune, ku njerëzit në thelb privohen nga mbrojtja ligjore”.

Bjellorusia hapi rrugën e migracionit në vitin 2021 përmes lëshimit të vizave dhe organizimit të fluturimeve drejt Minskut, me synimin për të nxitur një krizë kufitare në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të BE-së. Autorët e raportit janë “shumë kritikë” ndaj regjimit të Aleksandër Lukashenkos, por argumentojnë se ai mund t’i shfrytëzonte migrantët vetëm për shkak të kushteve të krijuara nga Polonia dhe BE-ja. “Polonia dhe BE-ja kanë rënë në një kurth të krijuar prej vetë tyre, të cilin Bjellorusia e ka aktivizuar”, thotë Heller.

Rekomandimet e raportit burojnë nga kjo diagnozë. Autorët argumentojnë se një fund i qëndrueshëm i dhunës – dhe i shfrytëzimit të migracionit nga shtete si Bjellorusia – do të kërkonte një ndryshim themelor të politikave polake dhe të BE-së, përfshirë përfundimin e asaj që ata e quajnë paraqitje të migrantëve si kërcënim dhe krijimin e rrugëve të sigurta e ligjore drejt Evropës. Hapi i parë do të ishte dëgjimi i viktimave dhe familjeve të tyre, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit të japin llogari. “Jemi bërë të fiksuar pas përpjekjes për ta kuptuar migracionin përmes gjuhës së kontrollit të migrantëve, në vend që të kontrollojmë mënyrën se si vetë sistemi sillet ndaj tyre”, thotë Czarnota.

Problemi është se kthimet e detyruara mund të lënë shumë pak gjurmë dokumentare. Në dhjetor 2023, Avokati i Popullit i Polonisë vuri në dukje se, sipas procedurës së përdorur për kthimin e njerëzve në kufi, Roja Kufitare nuk regjistron të dhënat personale, moshën, gjendjen shëndetësore apo aftësinë e kufizuar të tyre. Ndryshe nga një procedurë tjetër kthimi e rregulluar nga Ligji për të Huajt, informacioni për personat që u nënshtrohen këtyre kthimeve të detyruara nuk figuron në dokumentacionin e Rojës Kufitare.

Sipas Czarnota-s, një llogaridhënie kuptimplotë do të nënkuptonte shqyrtimin e të gjithë zinxhirit të ngjarjeve pas çdo vdekjeje apo zhdukjeje, si dhe të rolit të luajtur nga oficerët individualë, në vend që çdo rast të trajtohej si një ngjarje e izoluar mjekësore.

Ndërkohë, për periudha të gjata që nga viti 2021, monitoruesve të të drejtave të njeriut dhe ekipeve të shpëtimit u është ndaluar hyrja në zonën kufitare ose u është lejuar vetëm qasje e kufizuar – fillimisht nën gjendjen e jashtëzakonshme, e më pas brenda një zone tampon të vendosur në vitin 2024 – ndërsa personat që ndihmojnë migrantët janë përballur me akuza penale.

“Ne nuk e kemi shkruar këtë raport me ndonjë iluzion”, thotë Heller. Rekomandimet e tyre bien ndesh me drejtimin e politikës polake dhe evropiane, dhe autorët e dinë këtë. Shpresa, shton ai, është që raporti “të shërbejë si një kambanë zgjimi”.

Ministria e Brendshme polake i ka hedhur poshtë gjetjet e raportit. “Përgjegjësia për situatën e të huajve që përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin polako-bjellorus qëndron te autoritetet e Rusisë dhe Bjellorusisë që e krijuan këtë situatë, si dhe te rrjetet e kontrabandës të lidhura me to”, tha ministria për BIRN në një deklaratë, duke shtuar se raporti “e shtrembëron realitetin” dhe shpërfill “sulmin hibrid” të ndërmarrë nga Minsku në bashkëpunim me Moskën.

Ministria përmend afro 3 miliardë zloty (686 milionë euro) të shpenzuara për barrierat dhe Rojën Kufitare, dhe thotë se nga 1 janari deri më 13 shtator të këtij viti janë regjistruar 472 përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin, krahasuar me 25,519 në të njëjtën periudhë të vitit 2025 – një rënie prej 98 për qind.

Ajo argumenton se migrantët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe humanitare gjatë gjithë krizës dhe se autorët e raportit nuk kanë cituar të dhënat e disponueshme të Rojës Kufitare për operacionet e shpëtimit.

Ministria nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN nëse disponon të dhëna të përmbledhura për vdekjet dhe zhdukjet në kufi. Polonia nuk publikon asnjë shifër zyrtare për to; të dhënat më të plota janë mbledhur nga organizatat e shoqërisë civile.

“Ky sistem është ndërtuar për t’i mbrojtur aktorët shtetërorë nga llogaridhënia”, thotë Czarnota. “Përgjegjësia shpërndahet: fajësohet natyra, fajësohet mjedisi dhe fajësohen vetë migrantët se e kanë vënë veten në rrezik duke u përpjekur të kalojnë kufirin.”

Në këtë këndvështrim, peizazhi e fsheh zinxhirin e përgjegjësisë po aq efektivisht sa fsheh njerëzit që kalojnë nëpër të.

Raporti përfundon me rastin e Mahlet Kassa-s, e cila vdiq në pyll në shkurt 2023, pasi, sipas autorëve, rojet kufitare polake nuk arritën ta ndihmonin. Për xhaxhain e saj, Seyoume Shashego, çështja mbetet e hapur. Familja e di pse ajo vdiq, thotë ai, “e megjithatë askush nuk bën asgjë për këtë”.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • FOTO: Terror në ajër, piloti tenton të rrëzojë avionin me pasagjerë izraelitë
  • Si u kthye një pyll në një zonë vdekjeprurëse
  • Tetë ish-funksionarë të Agrokredit sh.a. akuzohen për shpërdorim detyre
  • Në gjurmët e kontrabandës së cigareve në kufirin Bosnjë-Mal i Zi
  • Clint Williamson: Kosova nuk përgatiti publikun për vendimin ndaj Thaçit

Komentet e Fundit

  1. 1thundrak on Balla: Korrupsion ka edhe në Gjermani dhe Itali
  2. demo on Balla: Korrupsion ka edhe në Gjermani dhe Itali
  3. Ethem Lalaj on Qeveria do ndryshojë 105 nene të Kodit Penal, Rama flet për ‘cënim të dinjitetit kombëtar’, thotë që ‘hetimet për korrupsion s’preken’
  4. demo on Balla: Korrupsion ka edhe në Gjermani dhe Itali
  5. xxx on Qeveria do ndryshojë 105 nene të Kodit Penal, Rama flet për ‘cënim të dinjitetit kombëtar’, thotë që ‘hetimet për korrupsion s’preken’

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?