Spektakli i humorit “Portokalli” u rikthye me sezonin e ri, por një prej skeçeve të premierës ka nxitur më shumë zemërim sesa të qeshura. Në qendër ishte protesta qytetare që po zhvillohet prej muajsh në Tiranë, e cila u soll në skenë përmes një parodie me protestues, pankarta dhe batuta.
Problemi, për pjesën e madhe të njerëzve që reaguan pas transmetimit, ishte se humori u perceptua si i drejtuar ndaj vetë protestuesve dhe jo ndaj situatës që i ka nxjerrë ata në rrugë. Komentet në rrjetet sociale qenë të menjëhershme.
“Të tallesh me protestën…shumë ulje për ju si TV”, shkruan një ndjekës. “Vetëm servilët kanë qeshur! Jo populli! Me këtë skenë thjesht ofenduat dhe përqeshët kauzën e kësaj proteste që ka më shumë se 3 muaj”, shkruan një tjetër.
Të tjerë e lidhën kritikën drejtpërdrejt me Agron Llakajn, i cili është rikthyer këtë sezon në “Portokalli”, 16 vite pas largimit dhe tashmë edhe në drejtimin e spektaklit. “Më vjen keq për këtë gjë Agron Llakaj, por tregove anën e kujt je”, lexohet në një prej komenteve, ndërsa një tjetër shkruan: “E keni nisur si emision që ‘thumbonte’ skandalet e politikës, tani talleni me popullin. E trishtë.”
Në fakt, pikërisht këtu duket se qëndron pjesa më e madhe e debatit. “Portokalli” e ka ndërtuar prej vitesh një pjesë të identitetit të vet mbi satirën ndaj realitetit, përfshirë politikën dhe problemet sociale. Këtë herë, megjithatë, një pjesë e publikut mendon se objektivi i humorit ishte gabim.
“Nuk bëhet humor me hallet e shqiptarëve”, shkruan një komentues. Një tjetër shton: “Nuk ironizohen kauzat, nuk bëhet humor me to”. Mes reagimeve ka edhe thirrje për bojkot të programit, ndërsa komente të tjera e cilësojnë skeçin “të sikletshëm” dhe “të turpshëm”.
Sigurisht, satira nuk ka detyrimin t’i pëlqejë të gjithëve dhe fakti që një skeç shkakton reagim nuk do të thotë automatikisht se ai nuk duhet të ekzistojë. Por në këtë rast, reagimet tregojnë se për shumë ndjekës problemi nuk ishte thjesht nëse skeçi ishte apo jo për të qeshur, por te mënyra se si u trajtua vetë protesta.
Nisur nga komentet që kanë mbushur rrjetet sociale pas premierës, një pjesë e madhe e publikut nuk ndienë sikur “Portokalli” po qeshte bashkë me ta, por me ta.
“Ato personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në “Portokalli” janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Edhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër“, u shpreh drejtuesi i “Portokalli”, Agron Llakaj.
Duke shprehur mbështetjen për protestën që vijon prej gati 130 ditësh, LLakaj theksoi se paradia në teatrin e “Portokalli” nuk kishte për qëllim të fyente askënd dhe kërkoi ndalimin e gjuhës së urrjejtjes ndaj aktorëve.
“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe. Konica thotë ‘ti ke gjithë të drejtën tënde për lirinë që ke, por nuk ke pse të fyhesh nga liria ime’“, tha Llakaj.
Spektakli i humorit bazohet thelbësisht në aktualitet dhe përmes ironisë e sarkazmës, thumbon problemet që na shqetësojnë, vijon Agron Llakaj.
“Ne kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike e sociale dhe i kemi pasqyruar sipas këndvështrimit tonë. Aty ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës, Sali Berishës. Sipas tyre, si mund të ndihen politikanët që janë në optikën tonë. qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës“, theksoi Agron Llakaj.
Prej disa dekadash, “Portokalli” ka krijuar imazhin e tij si skena ku problemet, hallet apo edhe protesta për fenomene të caktuara të shoqërisë shqiptare janë përcjellë nëpërmjet humorit, ironisë dhe sarkazmës.
j.l./ dita
