Nga Fatos Tarifa
Ish-presidenti kroat (2000-2010) Stipe Mesić mbahet mend, ndër të tjera, për një cilësi që rrallë e gjen ndër politikanët e lartë: aftësinë për të komunikuar natyrshëm me qytetarët e vendit të tij, pa ceremonial, pa pompozitet dhe pa distancën artificiale që shpesh herë pushteti krijon midis njerëzve që qeverisin dhe subjekteve që qeverisen.
Gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2000 dhe më pas, Mesić u bë i njohur për takimet informale me qytetarët kroatë në kafene, nën moton “Me presidentin për kafe”. Ishte një mënyrë për të treguar se komunikimi politik nuk kërkon domosdoshmërisht podiume, kamera apo protokolle zyrtare. Ai mund të zhvillohet edhe në një tryezë të zakonshme, ku presidenti dhe qytetari bisedojnë si njerëz të barabartë.
Krahasimi i këtij modeli me atë të kryeministrit shqiptar Edi Rama nxjerr në pah dy koncepte thellësisht të ndryshëm mbi marrëdhënien mes pushtetit dhe qytetarit.
Rama është padyshim një politikan që i kushton shumë rëndësi komunikimit publik. Facebook-u, podkasti i tij, transmetimet e drejtpërdrejta dhe platformat digjitale si Pasqyra apo Fol me Kryeministrin janë pjesë e një infrastrukture të gjerë komunikimi, në qendër të së cilës qëndron vetë Ai, kryeministri.
Por këtu qëndron edhe paradoksi i madh i këtij modeli: Rama komunikon vazhdimisht, por komunikimi i tij është kryesisht një monolog. Ai flet, shpjegon, interpreton, polemizon, qorton dhe jep mësime, por nuk krijon hapësirë të mjaftueshme për të dëgjuar dhe për të dialoguar realisht me qytetarët.
Në këtë model, kryeministri është njëherësh folësi, moderatori dhe interpretuesi i së vërtetës, monopolin e së cilës e ka vetëm ai. Ai përcakton temat, zgjedh pyetjet, kontrollon kohën dhe vendos kushtet e komunikimit. Qytetarëve u mbetet kryesisht roli i dëgjuesit, i spektatorit ose i komentuesit në një skenë politike ku protagonisti është gjithnjë i njëjti–kryeministri.
Ky nuk është dialog në kuptimin demokratik të fjalës, por një formë komunikimi vertikal, nga lart poshtë, ku pushteti i drejtohet shoqërisë, por nuk pranon lehtësisht të vihet në të njëjtin nivel me të.
Në këtë kuptim, teknologjia nuk e zvogëlon domosdoshmërisht distancën mes kryeministrit dhe qytetarëve. Përkundrazi, ajo mund të shërbejë për ta ruajtur dhe riprodhuar këtë distancë, duke krijuar njëherësh iluzionin e afërsisë.
Rama mund të jetë i pranishëm çdo ditë në ekranet e telefonave të shqiptarëve, por prania e tij virtuale nuk është e njëjtë me praninë njerëzore dhe politike mes tyre. Këtu shfaqet qartë edhe karakteri elitist dhe paternalist i këtij modeli komunikimi. Qytetari trajtohet më shumë si dikush që duhet informuar, bindur apo edukuar nga kryeministri sesa si një bashkëbisedues i barabartë, mendimi dhe kritika e të cilit meritojnë të dëgjohen.
Këtij qëndrimi i shtohet edhe gjuha shpesh arrogante, përçmuese dhe herë-herë fyese e Ramës ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve të tij, një gjuhë e cila, në vend që të ftojë për dialog e bashkëbisedim, krijon distancë, ngjall antagonizëm dhe e shndërron komunikimin politik në një demonstrim epërsie.
Ndryshe nga ai, Mesić u fliste qytetarëve me gjuhën e tyre të përditshme, të thjeshtë e të kuptueshme, duke përdorur humorin dhe respektin njerëzor për të afruar njerëzit, jo për t’i vënë ata në pozitë inferiore.
Shembulli i Mesićit përfaqëson një qasje tjetër. Ai nuk kishte nevojë për një aparat të sofistikuar komunikimi për të qenë pranë qytetarëve. Gjuha e përditshme, humori, spontaniteti dhe gatishmëria për të biseduar me njerëzit e zakonshëm ishin pjesë e stilit të tij politik. Autoriteti presidencial nuk e pengonte të ulej me qytetarët në një kafene dhe të komunikonte me ta pa hierarkinë e zakonshme të pushtetit.
Sigurisht, një bisedë në kafene nuk është në vetvete garanci për më shumë demokraci, sikurse përdorimi i platformave digjitale nuk është domosdoshmërisht antidemokratik. Por dallimi qëndron te filozofia e komunikimit.
Për Mesićin, afërsia me qytetarin ishte pjesë e ushtrimit të autoritetit. Në modelin e Ramës, komunikimi bëhet kryesisht një instrument për demonstrimin dhe përforcimin e autoritetit.
Problemi bëhet edhe më serioz kur kjo mënyrë komunikimi shoqërohet me personalizimin e skajshëm të pushtetit. Kur kryeministri flet për gjithçka, shpjegon gjithçka dhe pretendon të ketë përgjigje për gjithçka, hapësira për debat të lirë, për mendim kritik dhe për llogaridhënie publike ngushtohet. Në vend të dialogut demokratik kemi një marrëdhënie të pabarabartë, ku njëri flet dhe të tjerët pritet vetëm të dëgjojnë.
Demokracia, si një formë dhe praktikë qeverisjehe, nuk është një auditor ku kryeministri mban leksione dhe qytetarët dëgjojnë. Ajo është një marrëdhënie e vazhdueshme përgjegjësie, debati dhe llogaridhënieje, në të cilën pushteti duhet të pranojë jo vetëm pyetjet e qytetarëve, por edhe të drejtën e tyre për ta kundërshtuar atë.
Në fund të fundit, krahasimi midis Stipe Mesićit dhe Edi Ramës na kujton një të vërtetë të thjeshtë: të flasësh me qytetarët nuk është e njëjta gjë si t’u flasësh qytetarëve. Mesić kërkonte të komunikonte me njerëzit duke iu afruar atyre. Rama ka zgjedhur një model në të cilin qytetarët duhet t’i afrohen atij përmes kanaleve që ai vetë kontrollon.
Dhe ky është dallimi thelbësor: demokracia kërkon një pushtet që di të dëgjojë, jo një pushtet që vetëm flet. Asnjë Facebook, podcast apo platformë digjitale nuk mund ta zëvendësojë dialogun e vërtetë midis indivit që qeveris dhe qytetarëve në emër të të cilëve ai qeveris.
DITA
