Kur kemi miell, pse të marrim krunde?!
Veteranët e pasardhësit e veteranëve të LANÇ të Vlorës kërkojnë të mbajnë të pastër OVP të LANÇ-it.
OVP e LANÇ-it, “Nderi i Kombit”, mbron historinë dhe blerat e LANÇ, mbron gjakun e dëshmorëve, mbron sakrificat e partizaneve, që, të paveshur mirë e të pa ngrënë, marshuan në borë, në shi, në vapë dhe luftuan kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre me shpirt të lartë heroik e vetsakrifikues, nga Jugu në Veri dhe jashtë kufijve të Shqipërisë e dolën fitimtarë.
Në themelet e lirisë e të çlirimit u flijuan 28 mijë bij e bija nga më të mirët, dëshmorë dhe heronj me të cilët krenohet populli shqiptar.
OVP mbron sakrificat e shqiptarëve, që morën pjesë aktivisht në Luftën Çlirimtare, që u torturuan, u dogjën, u vranë nga nazifashistët e tradhëtarët.
Të antarësohesh në radhët e OVP të LANÇ e të fitosh emrin pasardhës veterani duhet të kesh veteran të LANÇ në rrethin e lidhjeve të tua të gjakut, të kesh paraardhës që të kenë status veterani (si babain ose nënën, gjyshin ose gjyshen, vëllain ose motrën), ose të kesh dëshmorë në lidhjet e gjakut (si prindërit, xhaxhallarët, dajot, të afërm).
Doemos pasardhësi vjen me vullnet e ndërgjegje të plotë, me krenari e përgjegjësi për të kryer më së miri e me dinjitet rolin e pasardhësit.
Statuti i OVP të LANÇ-it i vitit 2021 e përcakton qartë në Nenin 11, në pikat: a, b, c, d se kush mund të jetë veteran e pasardhës veterani i LANÇ.
Nuk përmendet në asnjë pikë pranimi në radhët e kësaj organizate të atyre që nuk morën pjesë në LANÇ dhe pasardhësve të tyre, apo të atyre që bashkëpunuan me okupatorët e pasardhësit e tyre.
Vitet e fundit veteranët e LANÇ janë pakësuar në numër. Organizatat nuk e lenë vendin bosh e as misionin në mes, ndaj, natyrshëm, po shtojnë radhët me pasardhës veterani të LANÇ-it me bij, bija, nipër e mbesa të veteranëve të vërtetë të LANÇ-it, të atyre që kanë merituar statusin e veteranit.
Në fakt, në çdo Bashki janë me qindra pasardhës veteranësh të LANÇ-it, por jo të gjithë janë antarë të OVP.
Te ky kontigjent lipset të mbështetemi për të shtuar radhët e OVP të LANÇ-it.
Në statutin e miratuar në Konf. e 9-të Kombëtare të OVP të LANÇ të Popullit Shqiptar, më 24 tetor 2009, në nenin 15 shkruhet:
“Detyrë kryesore e OVP të LANÇ është sigurimi i vazhdimësisë dhe jetëgjatësisë së Organizatës, nëpërmjet plejadës së pasardhësve të veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar.”
Për fat të keq në disa OVP po pranojnë antarë edhe persona paraardhësit e të cilëve nuk kanë marrë pjesë në LANÇ kundër pushtuesve dhe nuk kanë qenë aktivë në këtë luftë, apo që nuk kanë pasë fituar statusin e veteranit të LANÇ-it.
Jo vetëm kaq, por po vëmë re që mund të kenë qenë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve (!?).
Persona që nuk janë pasardhës legjitimë të veteranëve të LANÇ, aq më tepër kur nuk spikatin praktikisht në mbrojtje të vlerave të historisë së LANÇ të Popullit Shqiptar dhe misionit proaktiv atdhetar të Organizatës, nuk e meritojnë të antarësohen.
Të tillët e interpretojnë sipas interesit të tyre e në mënyrë të njëanshme Nenin 12-të të statutit të OVP të vitit 2021.
Neni 12:
Në OVP të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, mund të antarësohen me vullnetin e tyre të lirë bijtë e bijat më të devotshëm të popullit shqiptar, ata, që njohin e mbrojnë vlerat e LANÇ-it, që pranojnë programin e statutin e saj dhe që paguajnë rregullisht kuotën vjetore.
Interpretimi i drejtë është: nga qindra pasardhës të veteranëve të LANÇ me status, si nipër e mbesa, lipset të antarësohen më të devotshmit, më aktivët, ata që u dhembin sakrificat e të parëve të tyre.
Por edhe midis tyre ndodh të ketë indiferentë që shprehen: unë jam pasardhës veteran i LANÇ, se kam patur gjyshin a gjyshen veteran të LANÇ-it, edhe pse nuk jam anëtar i OVP.
Kjo është e vërtetë. Në socializëm, në sistemin politik që lamë pas, mësuan e u bënë kuadro si bijtë e veteranëve të LANÇ dhe bijtë e atyre që nuk ishin veteranë të LANÇ dhe punuan me ndershmëri e devotshmëri në sektorë të ndryshëm të jetës së vendit.
Kanë qenë e janë kuadro të respektuar dhe, sot, mund të bëhen deputetë e ministra, por, mendojmë se në radhët e OVP të LANÇ-it nuk do të hyjnë detyrimisht edhe si pasardhës veterani.
Minimumi kur ata nuk janë realisht pasardhës të LANÇ-it, kur ata nuk vijnë nga paraardhës të tyre me statusin e veteranit të LANÇ-it.
E theksojmë këtë mendim jo se ne kështu synojmë mbylljen e dyerve të organizatës për këtë grup! Por ende nuk kanë shteruar pasardhësit realë të luftëtarëve të lirisë apo të dëshmorëve të LANÇ.
Nga ana tjetër nuk na falet të shkelim mbi gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e partizaneve dhe masës së gjerë të popullit shqiptar që luftuan kundër nazifashistëve për çlirimin e Atdheut.
Antarësimi nuk reduktohet as vetëm tek 200 lekët e kuotave, as thjesht tek dëshira apo vullneti, por tek shpirti dhe sjellja aktive në mbrojtjen dhe edukimin atdhetar.
Ne nuk duhet të afrojmë njerëz me vese, me të kaluar problematike, apo persona që kanë pasur masa ndëshkimore për shkelje ligjore e morale, thjesht e vetëm se na mburrin apo na bëjnë lajka, na votojnë apo na duartrokasin e na bëjnë qejfin.
Fallcitetin e personave të pranuar në OVP si pasardhës, që të parët e tyre kanë qenë asnjanës apo bashkëpunëtorë të pushtuesve, e kemi hasur praktikisht, ndaj jemi të shqetësuar.
Nuk mund të suportojmë në radhët tona persona që të shprehen si dikush se: “Jam krenar që babai im ka qenë ballist”, ndërsa unë jam këtu në krah me ju”.
Një tjetër: “Ju partizanët na vratë, prandaj dhe ne u vramë…”.
A e meritojnë këta tipa të jenë antarë të OVP si pasardhës të veteranëve të LANÇ?!!
Fatkeqësisht vëmë re se ka të tillë që jo vetëm janë pranuar në radhët e OVP, por edhe janë zgjedhur në Komitete apo në Kryesi të Kom. të OVP në Bashki e jo vetëm.
Në OVP e LANÇ-it ka përçarje që nga Komiteti Kombëtar dhe deri në Komitetet e OVP në Bashki e këshillat zonalë.
Shkak i kësaj përçarje janë shkeljet statutore, organizative, pranimet pa kritere dhe zgjedhja në forumet drejtuese të personave me njohje personale nga drejtuesit, edhe pse me prejardhje të paqartë si pasardhës veterani.
Ashtu si Organizata jonë ka identitet, ka emër të nderuar të merituar për misionin e saj, ka histori suksesi, ashtu edhe antarësia që e përbën duhet të jetë me identitet e integritet social kulturor!
Veteranët e LANÇ na kanë lënë amanetin e tyre në Librin e Veteranëve të LANÇ.
Ata persona, që pretendojnë të antarësohen dhe nuk i kanë emrat e paraardhësve të tyre në këtë libër, të mos pranohen si pasardhës në OVP të LANÇ.
Po nuk u bë ky pastrim, ka rrezik që OVP të LANÇ, në një të ardhme të afërt, të shpërbëhet, të humbasë emrin dhe vlerat e saj.
Ne nuk flasim për veteranë pune apo profesioni. Pa lënë mënjanë nderimin për ‘ta, këtu e kemi fjalën për veteranë të LANÇ, për misionarë aktivë të atdhetarizmit, misionarë të edukimit atdhetar e antifashist.
Jo vetëm në emër të grupit që përfaqësojmë, por edhe në emrin tonë, propozojmë:
Të largohen nga forumet drejtuese të OVP të LANÇ-it personat që nuk janë pasardhës realë të veteranëve të LANÇ me status veterani. (Të largohen me vullnetin e tyre, përderisa nuk e gjejnë veten pjesë të kësaj organizate)
Të largohen nga radhët e OVP të LANÇ-it personat që kanë patur paraardhësit e tyre bashkëpunëtorë me pushtuesit, apo paraardhësit e tyre nuk kanë marrë pjesë aktivisht në LANÇ kundër pushtuesve. (Të largohen me vullnet të lirë e pa qejfmbetje, se kanë hyrë në një organizatë që u takon veteranëve dhe pasardhësve të veteranëve të LANÇ-it)
Të mos pranohen në radhët e OVP të LANÇ-it pasardhës që nuk kanë nga familja paraardhës me statusin e veteranit të LANÇ e jo më të zgjidhen në forumet e organet drejtuese e vendimmarrëse të organizatës në çdo nivel.
Vërejtje:
Kjo letër bëhet në emër të 33 OVP të rrethit Vlorë që përfaqësojnë 350 antarë të organizatës.
Kjo letër i është dërguar Kryetarit të Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ, “Nderi i Kombit”, sh. Hulusi Hako më dt. 23 qershor 2025. Nuk kemi marrë përgjigje me shkrim; kemi bërë vetëm një bisedë me celular, ku na “këshillon ta zgjidhim vetë me mirëkuptim”, kur problemi nuk është kaq i thjeshtë.
Fuat Kokallaj
N/kryetar i Komitetit të OVP të LANÇ të Popullit Shqiptar në Bashkinë Vlorë
Bir dëshmori e pasardhës i tre veteranëve
Aleko Beqiri
antar i Kryesisë dhe shef i organizimit
