Një ngjarje e bujshme ka tronditur skenën politike në Hungari. Áron Orbán, vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán, është ndaluar dhe vënë nën hetim nga autoritetet vendase me dyshime të forta për përfshirje në trafik të qenieve njerëzore, një çështje që lidhet ngushtë me skemat e dyshimta të vizave dhe lejeve të qëndrimit.
Lajmi, i cili fillimisht u publikua ekskluzivisht nga portali investigativ hungarez Kontroll — një media e drejtuar nga Márton Magyar (vëllai i liderit opozitar Péter Magyar) — u shpërnda me shpejtësi nga vetë kreu i opozitës dhe mori dhenë në të gjitha mediat kryesore evropiane dhe italiane (si La Repubblica, La Presse e të tjerë).
Sipas raportimeve të mediave hungareze, autoritetet e zbatimit të ligjit ndërmorën një sërë operacionesh dhe kontrollesh të hënën në mëngjes, duke vënë në shënjestër rrjete që dyshohet se kanë operuar në shkelje flagrante të ligjeve të emigracionit dhe kontrollit të kufijve.
Pavarësisht retorikës së gjatë dhe të ashpër anti-imigracioni të qeverisë së udhëhequr prej vitesh nga Viktor Orbán, ky zhvillim godet rëndë vetë rrethin e tij familjar dhe ngre pikëpyetje serioze mbi përdorimin e kanaleve të posaçme për përfitime të paligjshme përmes lejeve të qëndrimit dhe biznesit të vizave.
Reagimet dhe pesha politike
Opozita, e udhëhequr nga figura kryesore e saj Péter Magyar, ka shfrytëzuar menjëherë këtë skandal për të denoncuar korrupsionin sistemik në nivelet më të larta të pushtetit në Budapest. Përballë një momenti kritik politik, ky arrestim rrezikon të bëhet goditja më e fortë ndaj imazhit të familjes Orbán në dekadën e fundit, në një kohë kur Hungaria po përballet me presione të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian mbi shtetin e së drejtës dhe transparencën financiare.
Pritet që në orët në vijim autoritetet gjyqësore hungareze të lëshojnë një komunikatë zyrtare me detaje shtesë mbi shkkallën e përfshirjes së Áron Orbán dhe masat e sigurisë që do të kërkohen ndaj tij.
l.rustemaj / dita
