Nga Fatos Tarifa
Fëmijët e burrave dhe grave të brezit tim, 30 vite më parë, e panë Tiranën dhe Shqipërinë të digjeshin. Sot, 30 vite më vonë, fëmijët e tyre po shohin se si Tirana po digjet sërish.
Në atë kohë, zjarrvënësi ishte Berisha. Sot, një Berishë i mbaruar, por ende me shpirt nëpër dhëmbë, ka përsëri, fatkeqësisht, aftësinë të frymëzojë zjarrvënës të tjerë, të cilët unë nuk i ngatërroj në asnjë mënyrë me studentët e universiteteve tona.
Por do të ishte gabim të besonim se zjarret e sotme i ndezi Berisha. Ai u fryn zjarreve, por përgjegjësia kryesore për çfarë po ndodh këto ditë në Tiranë bie, sipas meje, kryesisht mbi kryeministrin. Edhe nëse ka njerëz që mund të më kundërshtojnë, kjo nuk e ndryshon bindjen time.
Për më shumë se katër muaj, në Tiranë nuk u dogj asnjë pemë, asnjë makinë, asnjë dyqan, asnjë ndërtesë qeveritare. Katër muaj me radhë shqiptarët protestuan paqësisht. Pa thyer, pa djegur, pa shtyrë, pa u përleshur me policinë.
Por, ndërsa kreu i shtetit u fsheh dhe nuk u bë i gjallë për të dëgjuar kërkesat e protestuesve dhe për t’u kërkuar partive politike, qeverisë dhe parlamentit të bëheshin bashkë e të vlerësonin situatën në vend, kryeministri zgjodhi t’u bënte protestuesve karshillëk. T’i injoronte e t’i fyente. T’u thoshte se nuk e çante kokën për ta, se Zvërneci u ishte shitur të huajve, se Kushneri do ta bënte Sazanin një mrekulli për shqiptarët, se Shqipëria po shkonte e sigurt drejt BE-së, se ai nuk do të largohej pa u ngritur flamuri shqiptar në Bruksel dhe se “qentë” që protestojnë (këtë fjalë, në të vërtetë, nuk e tha) nuk mund ta ndalnin dot karvanin e tij të ecte përpara.
Përpara ku? Drejt kësaj situate në të cilën ndodhet vendi sot? Këto ditë u mbyll (provizorisht) edhe një kapitull në negociatat me BE-në, por Tirana e shkatërruar dhe në flakë po i shfaq Europës dhe botës të njëjtat pamje si ato të tridhjetë viteve më parë.
Atëherë, i pari i vendit ishte Sali Berisha. Sot është Edi Rama. Në politikë, e keqja nuk ka ngjyrë. E kuqja, mavia, bluja dhe e zeza mund të japin të njëjtin rezultat politik.
Berisha, e thashë edhe më sipër, është sot një tigër me dhëmbë të thyer, por ka lënë pas shumë këlyshë. Rama nuk është tigër. Nëse mendon se është, e gënjen mendja. Pavarësisht kësaj, Tirana e këtyre ditëve na kujton atë që kemi parë në kohën e Berishës.
Menduam dhe besuam se ajo kohë kishte ikur një herë e përgjithmonë. Kryeministri i sotëm na kujtoi se jo: pushteti arbitrar i një njeriu të vetëm, përçmimi i qytetarëve prej tij, indiferenca ndaj brezit të ri, korrupsioni, arroganca dhe psikika narciste mund të jenë në çdo kohë njëlloj shkatërrimtare për shoqërinë.
Ne, të rriturit e brezit tim dhe ata më të moshuar se ne, si edhe fëmijët tanë, e kemi ende të gjallë në kujtesë mynxyrën e vitit 1997. Kush do ta kishte besuar se pamje kaq tronditëse, të ngjashme me ato të asaj kohe, do të ishin sot realiteti i një Tirane ku po rriten nipërit dhe mbesat tona!
Është e lehtë të fajësosh huliganët, njerëz të dhunshëm, për çfarë po ndodh sot në Tiranë. Po, vërtet shohim huliganizëm. Por sa e vështirë qenka për kryeministrin të shohë atë që nuk është huliganizëm në gjithë këtë që po ndodh! Të shohë çfarë është pakënaqësi, zemërim dhe revoltë qytetare.
Mos më përmendni Parisin dhe Madridin, ju lutem. Protestat në Tiranë, Paris apo Madrid mund të ngjajnë në pamjet e përplasjeve e të dhunës, por kjo nuk i bën ato të njëjtën gjë. Dhuna, sigurisht, vë para përgjegjësisë ata që e ushtrojnë; kriza politike vë para përgjegjësisë ata që qeverisin.
Kryeministri sot është, nesër, e shumta pasnesër, nuk do të jetë më. Por Tirana dhe Shqipëria do të mbeten.
Tirana jonë, që dikur këtë kryeministër e kishte kryebashkiakun e saj, do ta mbajë mend atë jo si njeriun që nisi t’i ndryshonte fytyrën kryeqytetit, por si njeriun që, pas Berishës, provokoi djegien dhe shkatërrimin e rrugëve e të ndërtesave të tij.
Nuk qëndron aspak analogjia me Neronin, por mund të ndodhë që fjalët e fundit të kryeministrit të jenë ato që, sipas traditës historike, shqiptoi perandori romak: Qualis artifex pereo! (Çfarë artisti po shuhet bashkë me mua!).
DITA
