Studenti Klevin Metaj, i arrestuar në ditët e para të protestës studentore në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama, është liruar nga masa e arrestit në shtëpi.
Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, duke caktuar “detyrimin për t’u paraqitur” një herë në muaj pranë organit përkatës. Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur ndaj studentit masën e “arrestit në shtëpi”. Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Gentian Sejrani, i cili së bashku me kolegun Taulant Asllanaj ka përfaqësuar Metajn në procesin gjyqësor të Apelit.
Përmes një reagimi, Sejrani bëri të ditur gjithashtu se është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, lidhur me atë që ai e cilëson si trajtim degradues dhe çnjerëzor ndaj studentit.
“Sot, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin, duke caktuar ndaj Klevin Metajt masën e sigurimit ‘detyrimi për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës’”, njoftoi avokati. Ndërkohë, çështja ndaj efektivëve të policisë do të vijojë përmes kallëzimit penal të regjistruar lidhur me pretendimet për trajtimin e studentit.
