Më 5 Prill 2024, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në Tiranë u zhvillua ceremonia e promovimit të librit “Negociatat – sfida e fundit e integrimit“ e diplomatit veteran dhe publicistit, Dr. Jorgji Kote.
Ishin te pranishëm një numër i madh pjesëmarrësish, ndërmjet të cilëve Deputetet Jorida Tabaku dhe Etilda Gjonaj, përkatësisht Kryetare dhe Nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Integrimit, ish ministrat e Jashtëm, Prof. D. Paskal Milo dhe Besnik Mustafaj, ish Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, Ambasadori i Karrieres, Dashnor Dervishi, Rektori i UMSH-së Prof. Dr. Adrian Civici, zv.Rektori Arben Cici, ish Ambasador, Prof.Dr.As.Mirela Bogdani, ish ambasadorët Maxhun Peka, Islam Lauka, Ylljet Aliçkaj, Visho Ajazi, Kujtim Morina, Drejtorja e BE-së në MEPJ, Admira Jorgji, Drejtorja e Përgjithshme e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Elda Zenelaj, Drejtorja e Përafrimit të Legjislacionit me BE-në në Kuvend, Holta Nika, ekspertë të integrimit, miq dhe dashamirës.
Takimin e çeli Presidenti i UMSH-së, Akademik Anastas Angjeli, i cili theksoi rëndësinë e madhe që UMSH-ja tregon për tema dhe veprimtari të kësaj natyre, sidomos për integrimin europian dhe vlerat e spikatura të Dr. Jorgji Kote në këto fusha.
Ai ia dha fjalën deputetes Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit, e cila u ndal në disa prej aspekteve kryesore të këtij botimi serioz me një katalog të gjerë tematik. Ajo foli mbi sfidat me të cilat ndeshen politika dhe vendi ynë në procesin e zhvillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.
Më tej, Zonja Tabaku përmendi paraqitjen dhe përqasjen pozitive të autorit, ekspertizën e tij 30 vjeçare në këtë fushë, sidomos në Bruksel e gjetkë dhe veçori të tjera të librit.
Duke marrë fjalën, deputetja Etilda Gjonaj, nënvizoi meritat e autorit në shtjellimin e një teme madhore, për të cilën megjithë punën e deritanishme, ka mangësi dhe mungesa në literaturën përkatëse. Ndaj botime të tilla janë me vlera dhe të mirëpritura.
Nisur nga problematikat komplekse përkatëse, ajo nënvizoi se janë të mirëpritura si përqasjet pozitive ashtu dhe qëndrimet kritike, me qëllim që në rrugëtimin tonë europian të shmangen të metat dhe mangësitë e mëparshme.
Prof.Dr. Paskal Milo, ish ministër i Jashtëm evidentoi cilësitë e spikatura të autorit në fushën e analizave të thella të dinamikave të procesit të integrimit tonë në BE. Të tilla analiza vijoi Prof. Milo janë ndihmë e madhe në procesin e vendimarrjes politike.
Nz vijim, ish mnistrja e Integrimit gjatë periudhës 2013 – 2017, zonja Klajda Gjosha u ndal më hollësisht në përmbajtjen e librit, analizat me vlera teorike dhe praktikave në 10 vitet e fundit lidhur me demarshet e vendit tonë në procesin e negociatave të anëtarësimit, në marrëdhëniet me institucionet e ndryshme europiane dhe vendet anëtare, thellimin e reformave kryesore, etj.
Ajo përmendi dhe disa shqetësime të drejta të autorit të mbështetura në fakte dhe dukuri të ndryshme. Zonja Gjosha vazhdoi duke thënë se libri i ngjan një kronike besnike të ngjarjeve, forumeve, takimeve dhe samiteve të zhvilluara në 10 vitet e fundit për çështjen e negociatave me BE-në në Tiranë, Bruksel dhe gjetkë.
Ajo nënvizoi faktin se në 7 kapituj dhe 41 shkrime libri bën skanimin e proceseve, nismave, përpjekjeve, arritjeve, vonesave dhe mungesave të ndryshme në Tiranë, Bruksel dhe në metropolet e tjera të BE-së.
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, i cili ka shkruar dhe parathënien e librit u ndal më me hollësi në tematikat interesante dhe aktuale të librit, problemet dhe shqetësimet e ndryshme, duke përfshirë dhe qëndrime bllokuese dhe veto nga ndonjë vend anëtar i BE-së.
Ai foli mbi përmbajtjen, mesazhet dhe vlerat e këtij botimi për studentë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacinë tonë dhe strukturat e tjera të përfshira në procesin e negociatave me BE-në.
Siç përmendet dhe në Parathënien e tij, “ky libër i kushtohet idealizmit, punës dhe përkushtimit të një numri të madh ekspertësh, të cilët prej shumë vitesh punojnë pa kursyer me dijet, mençurinë, vendosmërinë dhe energjitë e tyre për të realizuar një endërr, e cila vjen nga shekuj historie.
Sipas Prof. Krisafit, “Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” vjen në kohën e duhur si dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për Europën, e progresit të arritur, mësimeve të nxjerra, projekteve të ndërhyrjeve rutinë dhe reformave të tjera që duhen zbatuar për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Libri është shkruar mjaft bukur, me gjuhë të pasur dhe stil tërheqës, me tituj dhe nëntituj veçanërisht intrigues dhe domethënës.“
Të gjithë panelistët ishin të një mendimi se libri është shkruar me frymë realiste, pozitive dhe vlerësuese ndaj punës së institucioneve përkatëse, vendeve aleate, medias, shoqërisë civile, bashkë-atdhetarëve, me shqetësim qytetar dhe diplomatik, pa përjashtuar komente e vërejtje kritike popr me frymë pozitive.
Kjo dhe falë përvojës së gjatë diplomatike 30 vjeçare, kompetencës dhe besueshmërisë profesionale të autorit për trajtimin e kësaj teme komplekse dhe madhore.
Në përfundim, autori falenderoi drejtuesit dhe Rektoratin e UMSH-së për mbështetjen e tyre pa rezerva për organizimin dinjitoz të kësaj veprimtarie, e cila përkoi me 15 Vjetorin e themelimit të tij.
n.s. / dita