Nga Fatos Tarifa
Nuk do t’i kisha shkruar këto radhë nëse një video e shkurtër, e shkëputur nga fjala e kryeministrit sot në mëngjes, nga zyra e tij, nuk do të më kishte provokuar. Videon, e cila qarkullon në TikTok, ma dërgoi një mik imi, gazetar i njohur, shoqëruar me fjalët: “E pabesueshme! Qenka shumë rëndë!”
Në atë video, vetëm 27 sekonda të gjatë, kryeministri thotë:
“Jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në Bashkimin Europian. Jeni një tufë të paaftësh, jeni një tufë të dhunshmish, jeni një tufë mediokrish, jeni një tufë ziliqarësh që vetëm nxisni dhunë, sepse nuk më mundni dot në zgjedhje, nuk më mundni dot me fjalë, nuk përballoni dot një argument me mua dhe ju ka ardhur dita te guri”.
Këto fjalë, me sa duket, u drejtoheshin protestuesve të dhunshëm në Tiranën e këtyre ditëve. Por, bashkë me ta, ato duket se u drejtoheshin edhe mijëra qytetarëve të tjerë, studentë e nxënës, punëtorë e të papunë, prindër e pensionistë, që kanë protestuar paqësisht për katër muaj me radhë dhe një pjesë e të cilëve u janë bashkuar edhe protestave të fundit.
E them që në krye se jam kategorikisht kundër dhunës dhe shkatërrimeve që kemi parë këto ditë në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit. Kundër dhunës së njerëzve të maskuar, të cilët kurrsesi nuk duhen ngatërruar me studentët (sepse unë, ndryshe nga kryeministri dhe shumë analistë e gazetarë, i njoh mirë studentët; jam me ta çdo ditë), por edhe kundër përdorimit shproporcional të forcës nga policia ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestojnë paqësisht.
Çdo fytyrë qytetari e përgjakur nga dhuna, dhe këtu përfshij edhe policët, është një plagë për të gjithë shoqërinë dhe një përgjegjësi që rëndon edhe mbi qeverinë dhe kryeministrin. Çdo gjymtyrë a kockë e thyer i dhemb çdo qytetari. Më dhemb edhe mua.
Por dua të vë në dukje, gjithashtu, se këta mijëra njerëz që protestojnë nuk mbinë nga dheu. Ata i nxorën në rrugë e në sheshe sjellja arrogante e kryeministrit dhe indinjata dhe zemërimi popullor, që sot artikulohen në një kërkesë të vetme politike: dorëheqjen e kryeministrit.
Sidoqoftë, këto radhë nuk janë për protestuesit, as për forcat e rendit. Janë për kryeministrin e vendit dhe, siç thashë më sipër, u provokuan nga fjalët e tij.
Përpiqem t’i kuptoj ato fjalë dhe sjelljen e tij refraktare gjatë kohëve të fundit, jo vetëm që nga qershori i këtij viti, por edhe më parë. Dhe shpjegimin më të arsyeshëm për këtë sjellje më duket se e gjej te sociologjia politike dhe psikanaliza.
Nga pikëpamja sociologjike, sjellja e kryeministrit mund të interpretohet përmes psikologjisë së personalizimit të pushtetit në një sistem formalisht demokratik, që funksionon kryesisht si një demokraci elektorale, si edhe përmes prirjes së njeriut me pushtet për t’u izoluar nga shoqëria.
Ky izolim mund të marrë tri forma, të cilat, sipas meje, janë të dukshme edhe në rastin e kryeministrit tonë: izolimi rezidencial (jetesa në një hapësirë të veçuar e të mbrojtur); izolimi shoqëror (kufizimi i kontakteve spontane dhe të drejtpërdrejta me qytetarët); dhe izolimi politik dhe informativ (përqendrimi i komunikimit te një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh të besuar, duke krijuar një echo chamber, një dhomë jehone, ku mendimet dhe informacioni që qarkullo priren vetëm të konfirmojnë bindjet e tij).
Izolimi politik dhe informativ përmban një paradoks: sa më shumë pushtet përqendron një individ në duart e veta, aq më shumë mund të kufizohet informacioni i besueshëm që arrin tek ai. Dhe sa më pak ai e njeh realitetin, aq më shumë mund të besojë se e kontrollon atë.
Të tria këto forma izolimi, kur veprojnë së bashku, mund ta shkëpusin njeriun në pushtet nga realiteti shoqëror, t’ia dobësojnë ndjeshmërinë ndaj problemeve të qytetarëve dhe t’i krijojnë iluzionin e rrezikshëm të pagabueshmërisë. Në rastin e kryeministrit tonë, unë shoh pikërisht shfaqjen e këtyre prirjeve: bindjen se vetëm ai është i aftë të fitojë zgjedhjet dhe ta anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian, si edhe një intolerancë gjithnjë e më të dukshme ndaj kritikës dhe kundërshtimit.
Ajo që, sipas meje, ky kryeministër ka arritur të krijojë gjatë këtyre 13 viteve në pushtet nuk është një demokraci parlamentare në kuptimin e saj të mirëfilltë, por ajo që, katër vite më parë, e kam quajtur një republikë kryeministrore. Sot shoh në të prirje gjithnjë e më të theksuara drejt një autokracie personale, të cilën kryeministri përpiqet ta legjitimojë përmes mazhorancës parlamentare, nën fasadën institucionale të një demokracie parlamentare. Kjo është, në gjykimin tim, natyra e sistemit politik që po konsolidohet në Shqipëri.
Por sjellja e kryeministrit mund të shihet edhe nga një perspektivë psikanalitike. Dhe këtu Frojdi dhe Erik From na ndihmojnë të kuptojmë disa nga mekanizmat psikologjikë që mund të shoqërojnë ushtrimin e pushtetit.
Psikanaliza ofron një këndvështrim interesant për njerëzit që ushtrojnë pushtet, por zgjedhin të jetojnë fizikisht dhe shoqërisht të izoluar nga komuniteti që qeverisin. Koncepti frojdian i narcisizmit na ndihmon të kuptojmë se si një individ mund ta përqendrojë gjithnjë e më shumë vëmendjen dhe energjinë psikike te vetja, duke zhvilluar një ndjenjë të ekzagjeruar të rëndësisë së tij personale. Në rrethana të caktuara, kjo mund të shoqërohet me nevojën për admirim, me vështirësinë për të pranuar kritikën dhe me prirjen për t’i parë marrëdhëniet me të tjerët më shumë në terma epërsie dhe kontrolli sesa barazie dhe bashkëpunimi.
Në këtë këndvështrim, marrëdhënia mes pushtetit dhe narcisizmit bëhet problematike kur individi fillon ta identifikojë autoritetin e institucionit që drejton me rëndësinë e vet personale dhe ta perceptojë çdo kritikë ndaj pushtetit si një sulm personal ndaj tij.
Erik From, nga ana e vet, e analizonte dëshirën për dominim si një nevojë për të kompensuar ndjenjat e pasigurisë dhe pafuqisë së brendshme. Marrëdhënien mes pasigurisë individuale, autoritarizmit dhe dëshirës për dominim ai e ka trajtuar mjeshtërisht në veprën e tij “Arratisje nga liria” (Escape from Freedom), ku argumenton se pasiguria dhe ankthi që mund të shoqërojnë lirinë individuale mund ta shtyjnë individin të kërkojë siguri psikologjike përmes kontrollit, dominimit dhe ushtrimit të pushtetit mbi të tjerët.
Për Fromin, pushteti si aftësi për të vepruar dhe krijuar nuk është e njëjta gjë me pushtetin si dominim mbi të tjerët. Përkundrazi, zellin për dominim, ai e shihte si shprehje jo e forcës së brendshme, por e mungesës së saj.
Kjo ide ndihmon të kuptojmë edhe një paradoks tjetër të pushtetit personal: sa më shumë një sundimtar kërkon t’i kontrollojë njerëzit, aq më shumë mund t’i shmanget marrëdhënies së drejtpërdrejtë dhe të barabartë me ta. Ai dëshiron që shoqëria të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën e tij si burim legjitimiteti, por vetë kërkon të jetë sa më pak i pranishëm në jetën e përditshme të shoqërisë. Dëshiron të jetë i dukshëm për të gjithë, por jo i arritshëm nga të gjithë. Kërkon bindjen e qytetarëve, por i shmanget ballafaqimit me ta. Dëshiron të admirohet, por jo të gjykohet prej tyre.
Pikërisht këtu, sipas meje, qëndron problemi më i madh i një pushteti të personalizuar: individi që e ushtron atë fillon ta ngatërrojë mbështetjen elektorale me miratimin e pakushtëzuar të qytetarëve, shumicën parlamentare me të drejtën për të vendosur gjithçka dhe autoritetin e përkohshëm që i jep posti me një të drejtë personale mbi shtetin dhe shoqërinë.
Një kryeministër mund t’i fitojë zgjedhjet, por kjo nuk do të thotë se ai fiton edhe të drejtën për të mos dëgjuar qytetarët. Mund të ketë shumicën në parlament, por kjo nuk e çliron nga detyrimi për t’u dhënë llogari atyre që e kanë zgjedhur. Mund të kontrollojë qeverinë dhe administratën, por nuk mund të pretendojë se kontrollon edhe të vërtetën.
Demokracia nuk është vetëm e drejta për të qeverisur, por edhe detyrimi për të dëgjuar, për të pranuar kritikën, për të dhënë llogari dhe për të njohur kufijtë e pushtetit.
Paradoksi më i madh i pushtetit është se nnjë individ mund të arrijë të sundojë mbi të tjerët, por të mos jetë në gjendje të kuptojë botën dhe shqetësimet e tyre. Kur kjo ndodh, siç duket qartazi se ka ndodhur me kryeministrin tonë, izolimi nuk është më thjesht mënyra se si ai jeton. Izolimi bëhet mënyra se si mendon, si gjykon dhe si qeveris.
DITA
