Agjencia e posaçme e BE-së për Bashkëpunimin Kundër Krimit, Eurojust, ka vënë në dukje suksesin e SPAK së fundmi në zbërthimin e një grupi të organizuar të përpunimit dhe trafikut të kokainës.
Bëhet fjalë për laboratorin e Qerekës në Fushë Krujë, një nga goditjet më të forta në vite që i është dhënë krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në rajon.
Eurojust i ka bërë jehonë këtij hetimi në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale duke vënë në dukje se bëhet fjalë për një nga aktivitetet kriminale më të gjera që niste nga Amerika Latine dhe përfshinte porte të rëndësishme europiane.
Eurojust ka asistuar Shqipërinë dhe Italinë në këtë operacion të gjerë, ku janë përdorur mekanizma hetues të posaçëm.
Në Shqipëri hetimet u udhëhoqën nga prokurori i njohur i SPAK, Adnan Xholi.
I njohur për eksperiencën e gjatë në hetimin e grupeve më të rrezikshme kriminale të vendit, Xholi shënon me këtë rast në emër të Prokurorisë së Posaçme një tjetër sukses dhe një tjetër nivel të sofistikuar të hetimeve mbi grupet e krimit me shtrirje ndërkombëtare.
Me një profil të heshtur dhe shumë të rezervuar publik, Xholi njihet si prokurori i hekurt për shkak të këmbënguljes në hetimet me shkallë të lartë rrezikshmërie, por edhe pretencave të ashpra në disa nga çështje të bujshme kundër eksponentëve më të njohur të krimit të organizuar.
Procedimi penal që çoi në zbulimin e laboratorit të Qerekës ka nisur në 2023. Ky hetim deri tani ka çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe tre shtetasve nga Amerika Latine si dhe në zbulimin dhe sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, Fushë Krujë.
Po ashtu, janë identifikuar ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuar ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti.
Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit.
Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e hetimit.
Të arrestuarit janë:
Shtetas shqiptar:
G.S., 42 vjeç, banues në Tiranë
K.B., 40 vjeç, banues në Tiranë
A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
E.S., 25 vjeç, banues në Krujë
A.Z., 37 vjeç, banues në Tiranë
I.A., 51 vjeç, banues në Shkodër
B.H., 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
H.L.N., 41 vjeç, shtetas kolumbian
J.R.V., 35 vjeç, shtetas venezuelian
S.A.S., 42 vjeç, shtetas venezuelian
Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e kolumbianëve dhe venezuelianëve, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian.
Në analizën e brendshme të deritanishme të këtij hetimi, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron atë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri:
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete.”
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti:
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”
n.s. / dita