Kryeministri Edi Rama ka demaskuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Opinion’, “Fake News-in” e prodhuar nga Sali Berisha se Erion Veliaj ka qenë në Iran në vitin 2008.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka sjellë në studion e “Opinion” një kolazh filmik në të cilin ka bërë të njohur faktin, se fotoja për të cilën Berisha akuzonte që ishte e Erion Veliajt në Iran i përkiste në fakt kitaristit të grupit “Eagles”, Joe Walsh.
“I thuhet publikut që ky është Erion Veliaj, edhe ia thotë me pafytyrësinë karakteristike, një njeri që ka 30 vjet që u merr vota një pjese jo të vogël të shqiptarëve dhe e thotë pa bërë asnjë verifikim. Pastaj thotë këtu ma kanë thënë shërbimet sekrete. Domethënë një tjetër çmenduri.Dhe ndërkohë ai që është një kitarist i “The Eagles”, i cili ka kënduar në kohën kur Erion Veliaj ishte 2-vjeç”, deklaroi Rama.
Dhe nga ana tjetër – vijoi ai – kjo aferë me Iranin publikohet nga mediat, del nëpër media se ishte dhe ai “Stilolapsi.al” aty.
“Ky lajm del nëpër media sesi Erion Veliaj ka qenë në Iran etj., etj., dhe pasi bëhet kjo vazhdon historia media më media, se s’është vetëm ekrani juaj, se ishte dhe një ekran tjetë. Askush nuk e merr t’i thotë: “Ore zotëri kjo është një gënjeshtër ti po mashtron një opinion të tërë publik dhe nuk mund ta bësh këtë sepse ke përgjegjësi”. Unë po them që kjo histori vazhdon dhe sikur mos ta kisha nxjerrë unë këtë.
Është sms-ja e atij që është tallur me këtë. I ka çuar sms dhe i ka thënë: Shiko se unë kam informacion që Erion Veliaj ka vajtur atje, por ti të lutem mos më nxirr. Dhe ky i thotë: Faleminderit shumë, ji i sigurt se unë do ta ruaj sekretin. Dhe vjen këtu dhe juve ju thotë që janë shërbimet sekrete. Di të të them që kjo i ka rënë në dorë shtabit tonë të fushatës.
Por dhe sikur ta kishte bërë shtabi ynë i fushatës, përsëri kjo tregon se me kë ke të bësh. Nuk është pre e asgjëje, është një i pafytyrë dhe është një faqe e zezë Shqipërisë sot, me të cilin jo unë, por me të cilin Shqipëria duhet të mbyllë përfundimisht çdo lloj kontakti”, deklaroi Rama.
Por, çfarë ndodhi në emisionin e Blendi Fevziut?
Prej disa ditësh Sali Berisha po përpiqet të bëjë sa më të besueshëm për publikun një gënjeshtër të trashë të shpikur prej tij, se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka lidhje me Iranin dhe se sipas tij, ai e ka vizituar atë vend në vitin 2008. Për ta ilustruar këtë, Berisha publikoi në ‘Opinion’ edhe një fotografi, ku shfaqej një person me flokë të gjata, për të cilin deklaroi se ishte Erion Veliaj i maskuar me paruke, gjatë vizitës së tij në Iran.
Është e habitshme se si edhe gazetarët e ftuar në studio e pohuan diçka të tillë, pa bërë asnjë verifikim gazetaresk. Ndërkaq, i vetmi që hodhi dyshime mbi atë foto dhe që u tall që në fillim, ishte drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu.
Personi që Sali Berisha nxorri në fotografi dhe deklaroi se ishte Erion Veliaj me paruke, në fakt është kitarristi i grupit të famshëm rock “The Eagles”, Joe Walsh, ndërsa vetë fotografia është shkrepur në vitet 1970. Mjafton një kërkim i thjeshtë në Google dhe mashtrimi i Berishës bie lehtësisht. Joe Walsh sot është 75 vjeç, ka thuajse të njëjtën moshë me Sali Berishën.
Nuk dihet nëse dikush, ndoshta i fshehur pas petkut të ‘qytetarit dixhital’, ka vendosur të tallet keq me Berishën, por nëse e ka bërë, i themi se nuk është mirë të tallesh me një plak 80 vjeçar.
Ndërkohë, pak ditë më parë u zhvillua dhe seanca e parë gjyqit në GJKKO, pasi Veliaj e denoncoi Berishën për shpifje në lidhje me këto deklarata. Pasi vetë Sali Berisha mungoi në këtë seancë, gjyqtari i ccështjes vendosi që policia të ndërhyjë për të sjellë në seancë ish- Kryeministrin.
Ky i fundit, ndonëse kishte marrë dijeni për gjyqin, nuk pranoi për t’u ballafaquar me Veliajn për akuzën e shpifjes.
b.m. / dita