Një revoltë ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme në burgun Don Bosco në Pisa të Italisë, pasi të burgosurit zbuluan pajisje përgjimi dhe pajisje të tjera elektronike të fshehura në qelitë e tyre.
Rreth 40 të burgosur, mes tyre edhe shqiptarë, morën nën kontroll një repart dhe u barrikaduan brenda tij. Ata kërkuan të takonin komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoreshën e burgut, shkruan “Corriere”
Protesta nisi rreth orës 19:00 dhe një prej të burgosurve e transmetoi drejtpërdrejt në TikTok, duke përdorur një telefon celular që ndodhej brenda institucionit pavarësisht ndalimit.
Sipas dëshmisë së tij gjatë transmetimit, drejtoria i kishte nxjerrë të burgosurit nga qelitë për rreth dy orë të martën, duke u komunikuar se do të zhvillohej një provë evakuimi. Një ditë më vonë, të burgosurit pretendojnë se gjetën pajisje përgjimi dhe pajisje të tjera elektronike të vendosura për qëllime hetimore.
Transmetimi në TikTok arriti rreth 15 mijë shikues para se të ndërpritej. Të burgosurit shfaqeshin me fytyra të zbuluara dhe, sipas pamjeve të raportuara, pa shenja të dukshme dhune fizike. Ata pretenduan se policia penitenciare i kishte goditur me shkopinj gome.
“Ne kemi të drejtë të mos përgjohemi dhe të flasim lirshëm ndërsa jemi në qeli, pa pasur frikë se po na përgjojnë”, deklaruan disa prej tyre gjatë transmetimit.
Në një moment situata u tensionua dhe në pamjet e publikuara dëgjohen të burgosur shqiptarë që paralajmërojnë njëri-tjetrin për afrimin e forcave të policisë.
“Mos, erdhën ore!”, dëgjohet një prej tyre, ndërsa një tjetër shan efektivët: “Ju q**sha motrën! Shkoni, more plehra!”.
Më pas, të burgosurit kërkojnë të bllokojnë hyrjen e repartit.
“Çoni frigoriferët! Bllokoni vendin!”, dëgjohet në transmetim, ndërsa të tjerë njoftojnë se forcat e policisë kishin rrethuar zonën.
Dhjetëra efektivë të policisë italiane, karabinierë dhe pjesëtarë të policisë penitenciare ndërhynë në burg për të marrë situatën nën kontroll. Jashtë institucionit u mblodhën edhe të afërm dhe miq të të burgosurve.
Gjatë revoltës u raportuan përleshje mes disa të burgosurve dhe efektivëve. Ambulanca hynë në institucion për t’u dhënë ndihmë personave që kishin nevojë për trajtim.
Pajisjet e përgjimit nuk përbëjnë pretendimin e vetëm të ngritur nga të burgosurit. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu mbipopullimin e qelive dhe kushtet higjieno-sanitare në burgun Don Bosco.
Autoritetet italiane e morën situatën nën kontroll, ndërsa pretendimet e të burgosurve për dhunë nga policia penitenciare mbeten deklarime të bëra prej tyre gjatë transmetimit në TikTok.
j.l./ dita
