Nga Fatos TARIFA
Botuar në Dita
Rreth dy muaj më parë botova në gazetën DITA një koment titulluar “Albmericans dhe Trump”. Në të shprehja habinë time me ata emigrantë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara që pëlqejnë ish-presidentin Donald Trump dhe kanë votuar e duan te votojnë sërish këtë vit, më 5 nëntor, për të.
Dhjetë ditë pas atij komenti, më 15 prill, nisi në Manhattan gjyqi kundër ish-presidentit Trump për veprimet kriminale të tij në përpjekjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Amerikë përmes falsifikimit të disa dokumentave. Dje, juria e atij gjyqi unanimisht erdhi në përfundimin se Donald Trump është fajtor për 34 krime dhe, pas kësaj pritet që gjyqtari të shpallë llojin dhe masën e dënimit të tij.
Vendimi i marë është historik. Trump bëhet i pari ish-president i Shteteve të Bashkuara në 235 vite të historisë së republikës amerikane. Sot, në të parën konferencë për mediat pas shpalljes fajtor në krim, Donald Trump dëshmoi se ai vetë është armiku më i madh i vetes së tij. Le të jetë. Madje shume mirë që është kështu. Askush nuk priste që Trump të fliste ndryshe.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Nju Jork dhe kudo në Amerikë jam i sigurt se e kanë ndjekur tërë këto javë gjyqin më të bujshëm të këtij njëçerek shekulli në atë vend. Shumë prej tyre doshta kanë dëgjuar edhe çfarë tha sot, nga kulla e tij në Manhattan (Trump Tower), ish-presidenti i shpallur kriminel, të cilin disa “albmericans” duan sërish ta votojnë si president të Amerikës. Për ata që nuk i kanë dëgjuar ose lexuar fjalët me të cilat Donald Trump, jo për të parën herë, i portretizoi emigrantët e huaj në Amerikë, pra edhe ata vetë si emigrantë shqiptarë në atë vend, i citoj më poshtë siç ai i ka thënë.
Trump i quan emigrantët që kanë hyrë dhe hyjnë në Amerikë (pa përjashtuar askënd, pra as juve, emigrantët shqiptarë), “krimimelë të sëmurë mendorë të dhunshëm” (violent, mentally ill criminals), që “flasin gjuhë të panjohura” (speaking “languages unknown), mes të cilëve ka shumë terroristë (including many terrorists), si dhe “mjaft njerëz të liruar nga burgjet” (a lot of people released from prisons). Këta emigrantë, tha Donald Trump, po vijnë në Amerikë “nga e gjithë bota” (from all over the world) dhe “po e shkatërrojnë vendin tonë” (they’re destroying our country”.
Kështu mendon Donald Trump për ju, si emigrantë. Me këto fjalë ju përshkruan dhe ju nënçmon juve, si emigrantë, njeriu që shumë prej jush e votuat ta kishit president me 2016, e donit ta kishit sërish president më 2020 dhe tani, edhe pse të shpallur kriminel nga një juri qytetaresh të Manhattanit, mund të doni ta votoni përsëri qa ta keni edhe më tej presidentin tuaj. Atë, DJT, një supremacist të bardhë në shoqërinë më multiracore, më multietnike e më multifetare të globit, një racist që pëlqen dhe flet gjuhën e Hitlerit.
Ju, bashkatdhetarët tanë shqiptarë në Amerikë, në atë “Great Republic” (Churchill), që u formua si një komb emigrantësh dhe u bë fuqia demokratike, ekonomike e ushtarake më e madhe e globit, nuk jeni siç mendon për ju dhe me kaq urrejtje ju portretizon Donald Trump.
Ju nuk jeni as krimimelë të sëmurë mendorë të dhunshëm, të liruar nga burgjet, as terroristë që synoni të shkatërroni Amerikën. Ju, ashtu si dhjetra milionë emigrantë nga e gjithë bota, që keni zgjedhur Amerikën si atdheun tuaj të dytë, e doni atë vend (ku unë dhe familja ime jemi shkolluar, kemi punuar e jetur për 14 vite me radhë), e bëni më të pasur e më interesant atë vend me dijet, me traditat dhe me punën tuaj.
Amerika e shpresave dhe e ëndrrave tuaja dhe fëmijëve tuaj nuk është ajo për të cilën flet Donald Trump. Si emigrantë, Trump nuk ju sheh juve si pjesë të Amerikës së tij. Ai kërkon vetëm votën tuaj, por ju, emigrantët “nga e gjithë bota”, do të jeni të parët që Trump do fajësojë për çdo dështim apo krizë që politikat e tij do të prodhojnë, njëlloj si Hitleri hebrenjtë, sllavët etj.
Trump nuk mund të jetë presidenti juaj.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
