Aktori dhe Florjan Binaj ka konfirmuar zyrtarisht kandidimin për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit. Gjatë një interviste në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Binaj bëri të ditur se do të hyjë në garë si kandidat i pavarur, duke konfirmuar kështu qëndrimin e mbajtur edhe në nëntorin e kaluar, përpara anulimit të zgjedhjeve.
Binaj theksoi se synon të bashkojë forcat me partitë opozitare, duke bërë të ditur se u ka ofruar të gjithave mundësinë e bashkëpunimit për krijimin e një fronti të përbashkët. Sipas tij, pavarësisht ndryshimeve në strategjitë dhe mënyrat e veprimit të forcave opozitare, qëllimi i tyre mbetet i njëjtë.
“E konfirmoj pa diskutim kandidimin. I qëndroj asaj që kam thënë në nëntorin e kaluar, kur u anuluan zgjedhjet. Jam kandidat i pavarur që ua kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive të opozitës, për të krijuar një bashkëpunim që ka të njëjtin qëllim, por mënyra të ndryshme”, deklaroi Binaj.
j.l./ dita
