Nga Dori Xhima
Revista prestigjioze ndërkombëtare Ship2Shore kushton një hapësirë të veçantë sektorit të yachting-ut dhe lundrimit me vela në Shqipëri, duke analizuar sfidat dhe mundësitë përmes analizës së juristit dhe sipërmarrësit detar Dorian Mersini.
Ship2Shore është një nga revistat online më me ndikim në Evropë sa i përket ekonomisë detare, transportit, logjistikës dhe porteve. E udhëhequr nga kryeredaktori Angelo Scorza, me qendër në Itali, platforma mbulon nga afër dinamikat e industrisë detare ndërkombëtare, tregjet e transportit mallrave (shipping), lundrimin turistik, si dhe zhvillimet infrastrukturore e legjislative në pellgun e Mesdheut.
Së fundmi, kjo dritare ndërkombëtare i ka kthyer sytë nga Shqipëria, duke vlerësuar se vendi po hyn në një fazë të re të zhvillimit të lundrimit rekreativ dhe sektorit të jahteve.
Ndërtimi i marinave nuk mjafton: Duhet kulturë detare
Sipas artikullit të publikuar nga Ship2Shore, tregut shqiptar të mjeteve lundruese rekreative po i shtohen çdo ditë e më shumë marina të reja, jahte, skafe, gomone (RIB) dhe jet-ski. Gjithnjë e më shumë qytetarë dhe vizitorë po e shohin detin jo thjesht si një destinacion veror, por si një stil jetese.

I pyetur për këtë hov zhvillimi, juristi i së drejtës detare dhe sipërmarrësi Dorian Mersini thekson se progresi real i këtij sektori nuk mund të matet vetëm me numrin e mjetetve në ujë apo me investimet në infrastruktura portuale.
”Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit të lundrimit dhe jahteve… Por zhvillimi i industrisë së lundrimit nuk mund të matet vetëm me numrin e varkave në ujë apo me numrin e marinave që po ndërtohen. Kultura e lundrimit duhet të zhvillohet paralelisht me infrastrukturën”
Dorian Mersini
Sipas Mersinit, paralelisht me ndërtimin e marinave moderne, Shqipërisë i nevojitet një konsolidim i aftësive praktike, gjykimit të drejtë mbi sigurinë në det dhe një ndjesi më e lartë përgjegjësie nga përdoruesit e mjeteve lundruese.

Artikulli i Ship2Shore bën gjithashtu një përmbledhje të udhëtimit profesional të Dorian Mersinit. Mbasi përfundoi studimet për e drejtë detare në Universitetin e Xhenovas (Università degli Studi di Genova), ai kontribuoi në administratën publike shqiptare, përfshirë drejtimin e Bordit të Portit të Shëngjinit.
Më tej, ai themeloi TSTS Group, një strukturë e fokusuar në trajnimin dhe rekrutimin e detarëve profesionalë, duke krijuar ura bashkëpunimi me linja të njohura ndërkombëtare si MSC Cruises, Costa Cruises, Corsica Ferries dhe GNV.
Në vitin 2021, Mersini bashkë-themeloi Crew Shop me bashkëshorten e tij Marseda Shkodra (gjithashtu e diplomuar në Xhenova për Ekonomi Transporti), duke sjellë në Shqipëri veshje teknike detare, pajisje lundrimi, si dhe shërbime shit-blerjeje mjetet lundruese. Duke integruar përvojën ligjore e tregtare me pasionin për detin, Mersini mban edhe certifikimin e kualifikuar Yachtmaster, duke shërbyer edhe si instruktor lundrimi për gjeneratën e re të lundruesve.
Sfidat e së ardhmes
Ekspertët e sektorit nënvizojnë se kalimi nga një “modë apo tendencë emocionale” drejt një industrie të qëndrueshme kërkon edukim profesional të instruktorëve, zbatim strikt të rregullave të lundrimit dhe lehtësim të procedurave administrative për mjetet rekreative. Vetëm përmes ndërthurjes së kulturës detare me infrastrukturën moderne, Shqipëria do të mund të pozicionohet denjësisht në hartën e turizmit detar të Mesdheut.
DITA
