Fitim Çaushi
Pas Konferencës së Pezës, PKSH u afirmua si forca udhëheqëse e popullit shqiptar në Luftën Antifashiste. Reaksioni shqiptar dha alarmin, sepse e pa që populli po bashkohej me Frontin Nacionalçlirimtar. Si kundërpeshë, dy muaj pas Konferencës së Pezës, u krijua nga gjerarkët e lartë fashistë organizata e Ballit Kombëtar në nëntor 1942. Anëtarët kryesor që formuan Ballin Kombëtar, ishin pjesë e Asamblesë Kushtetuse e 12 prillit 1939: Thoma Orolloga, Qazim Frashëri, Xhevat Starova, Bektash Cakrani, Shaqir Omari, Eqerem Vlora, Fiqiri Dine, Ibrahim Bixhaku, F. Vokopola, R. Dibra, I. Ohri, Dhimitër Peta, Shahsivar Alltuni, S. Mborja, etj. (AQSH, F. 149, d. 14, f. 11)
- Publicitet -
Ballistët bënin pjesë edhe në delegacionin e “Kurorës së Skënderbeut” në Romë: Ferit Vokoçpola, Rasim Dibra, Irfan Ohri, Dhimitër Peta, Shahsivar Alltuni, Selim Mborja. “Roja Kombëtare” 13 prill 1943, AQSH, F, 152, d. 695, f. 1, AQSH, F. 149, d. 14, f. 11) Njëherazi krerë të Ballit, ishin pjesë e qeverisë kolaboracioniste, me dekrete mbretërore: Më 8 maj 1942, Jakomoni dhe Mustafa Kruja firmosnin pushkatimin e grupit të Ferit Xhajkut. Kryeministri i kërkonte Mëkëmbësit Dekretimin e Hasan Dostit si kryetar i Gjykatës Penale sepse deri atëhere kishte qenë Minstër i Drejtësisë. (AQSH, F. 161, d. 1373, f. 27) dhe (AQSH, F. 161, d. 1373, f. 27). Firma për pushkatime, edhe Kryeminsitri Merlika, edhe Ministri i Drejtësisë, Dosti, kanë lëshuar me dhjetra.
Të tjerë ballistë në qeveri ishin Fuat Dibra, anëtarë i KQ të Ballit Kombëtar; Faik Quku Prefekti i Gjirokastrës e më vonë i Vlorës, Kol Tromora prefekti i Korçës, Koço Muka kuestori i Gjirokastrës, Xhelal Staravecka komandant i gjindarmërisë për rrethin e Tiranës, Jani Dilo komandant i Gjindarmërisë për Korçën, Rasim Babamto Prefekti i Gjirokastrës, Teki Xhindi Prefekti i Beratit, Musa Kraja në Korçë etj.
***
Pavarësisht veprimeve të bashkuara të pushtuesit fashist, qeverisë kolaboracioniste dhe organizatës së Ballit Kombëtar kundër Frontiti Antifashist Nacionalçlirimtar, Promemorja e Ministrit të Brendshëm, Kol Bib Mirakaj, më datën 27 qershor 1943, drejtuar Mëkëmbësit të Mbretit dhe Kryeministrit Eqerem Libohovës, dëshmonte për një situatë tejet të rënduar të okupatorit: ”Nga informatat zyrtare, ndodhemi në një gjendje shumë kritike, se sa mund të duket. Nuk ndodhemi më përballë një organizate komuniste terroriste dhe propagande, ndodhemi përballë një blloku që përfaqëson frontin armik, i cili është duke përgatitur një revolucion shumë të gjerë dhe të organizuar mirë, të pajisur me mitralozë të rëndë. Në zonat e mbikëqyrura nga çetat kundërshtare, që pëfshijnë ¾ e katër prefekturave të Jugut dhe një pjesë të mirë të prefekturës së Elbasanit, organizimi dhe armatimi i saj po shpejtohet. Kudo janë krijuar këshilla ushtarake, këshlla administrative dhe këshilla shëndetësie. Ky organizim për herë të parë në Shqipëri, përfshin edhe gratë fshatare…Në rast se nuk do marrim masa, para se të shpërthejë një i tillë revolucion, forcat që gjenden sot në Shqipëri nuk do të mund ta përballojnë…Për të përballuar këtë gjendje, nuk ka tjetër mundësi veç të armatosen 8000 veta, që të mund ta përballojmë gjendjen.”(AQSH, F. 1942, d. 89, f. 1-4) Këtë situatë shqetësuese e raportonin edhe prefekturat e rretheve: Prefekti i Gjirokastrës Rasim Babameto, katër ditë më parë, më 23 qershor 1943, njoftonte Ministrinë e Brendshme: “Situata po keqësohet dita ditës në të gjitha rrethet e Prefekturës.”( AQSH, F.152, d.117, f.1 ) Nuk ka në promemorjen e Ministrit të Brendshëm të fashizmit, asnjë shenjë të luftës së Ballit Kombëtar kundër ushtrisë italiane deri në korrik 1943!
Marrëveshjet e ballistëve me qeverinë fashiste kundër formacioneve partizane, janë të dokumentuara qysh në dhjetor 1942, e deri shtator të vitit 1943: Dervish Rexhepi në dhjetor 1942 takohet me Jakomonin (AQSH, F.441, d. 948, f. 1), në janar paria e komunës Brataj dhe Dukatit kanë nënshkruar marrëveshje me komandën fashiste (AQSH, F. 153, d. 224, f. 13), Xhevat Starova i dërgon letër gjeneral Xaninit më 3 janar 1943, (AQRSH, F.264, d. 75, f. 59,60, 61), më 17 shkurt 1943, zhvillohen bisedime të gjerarkëve fashistë me Skënder Muçon, Abas Ermenin, Xhelal Saraveckën, Isa Toskën”. (AQSH, F. 160, d. 50, f. 130-131) Po më 17 shkurt 1943, krerët e Ballit Kombëtar të Mallakastrës firmosën marrëveshjen me fashistët italianë në Fier”. (AQSH. Fondi 254, dosja 170, fl. 1) Ali Këlcyra dhe kryeministri Maliq Bushati më 5 mars 1943, zhvillojnë bisedime me gjeneralin italian Renzo Dalmaco në hotel “Dajti”. Merrnin pjesë Ernest Koliqi, kryetar i këshillit fashist Iliaz Agushi, n/kryetar i Këshillit të Ministrave, Nuredin Vlora dhe Kol Tromara…”(Gazeta ”Tomori”, 6 mars 1943)
Kryeministri Bushati më 24 mars 1943, urdhëronte Ministrin e Brendshëm: “Në zbatim të urdhrit të kryekomandantit të forcave ushtarake në Shqipëri, general Dalmacos, të merret çdo masë kundër bandave rebele”.(AQSH-Urdhër i kryeministrit Bushati, dërguar Ministrisë Brendshme, nr.12, 24 mars 1943) Të gjithë këta ballistë do të gjendeshin në Mbledhjen e Mukjes!
Ideja për të thirrur një konferencë midis Këshillit të Përgjithshëm dhe Ballit Kombëtar për të biseduar rreth bashkëpunimit kundër pushtuesve fashistë, ishte shfaqur nga fundi i vitit 1942, e fillimi i vitit 1943. Qysh në janar 1943, Enver Hoxha i drejtohej PKSH: “Partia ka bërë takime me Ballin, ne kemi shpresë se rezultati final do të jetë pozitiv.”( Enver Hoxha, Vepra 1, Tiranë 1983, f. 259) U zhvilluan një mori takimesh mes përfaqësuesve të nivelit më të lartë, në muajt janar–korrik 1943. Enver Hoxha kishte shpresuar për një marrveshje gjatë gjithë vitit dhe meqenëse nuk e kishte arritur deri në Korrik 1943, i bëri thirrjen përfundimtare Ballit Kombëtar për luftë konkrete dhe jo për dredhi diplomatike! Pse gjithë ky durim i Enver Hoxhës me këta kolaboracionistë të anijes fashiste? Ndonëse i dinte marrveshet e Ballit Kombëtar me gjerarkët fashistë, Enver Hoxha krijoi edhe një herë mundësinë e bisedimeve, për t’i prerë rrugën krimeve balliste, që çonin në vëllavrasje dhe për të mos u komprometuar elementë të tjerë të popullit në veprimtarinë fashiste. E përsëri ballistët nuk do të bashkëpunonin. Hasan Dosti dëshmonte: “Hezitimi i Ballit Kombëtar për marrëveshje, mbështetej në kundërshtimin e Mithat Frashërit, ma i vendosuri kundër çdo marrëveshje me komunistët”.(P. Milo, Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore, f. 295)
Lind pyetja: si e pranoi Mithat Frashëri takimin në gusht 1943, ndërkohë që e kishte refuzuar për gati një vit takimin për bisedime me Frontin Antifashist?! Si guxoi Mithat Frashëri të zhvillonte bisedume me Frontitn Nacinalçlirimtar, kur krerët e Ballit kishin vrarë apo spiunuar mijra antifashistë?! Mungesa e kontributit të Ballit Kombëtar në luftën Antifashiste, pozita e diskretituar e Ballit Kombëtar në popull dhe forca goditëse e Ushtrisë Nacional-çlirimtare e përkrahur nga populli, por edhe ndërhyrjet e britanikëve, e detyroi Ballin Kombëtar ta pranojë ftesën e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.
Më 25 korrik 1943, Musolini u shkarkua, Partia fashiste u shpërnda dhe Badolio u caktua kryeministër. Ballistët, që ishin katandisur në një situatë të pashpresë, e ndiqnin situatën në rënie të fashizmit. Dy ditë para Mukjes, Ministri i Brendshëm më 30 korrik 1943 i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë: “Përpos oficerëve dhe n/oficerëve e gjndarmërisë, kjo Ministri asht informue se janë arratisë edhe disa personalitete: Hasan Dosti, Mithat Frashëri, Lumo Skëndo dhe Faik Quku.”( AQSH, F.152, d. 141, f. 21) Këtë moment politik, të oficerëve dhe nëpunësve të qeverisë kolaboracioniste, me përkatësi partiake balliste, qeveria fashiste e Tiranës e konsideronte “arratisje”, sepse Mithat Frashëri, si aleat në qëndrimet e përbashkëta politike po i “arratisej” Italisë fashiste dhe qeverisë kolaboracioniste nga Tirana, bashkë me dhjetra ballistë të tjerë. Kjo e “tronditi” Ministrin e Mbrendshëm, Kol Bib Mirakaj, më 31 korrik 1943 i dërgonte Kryesisë së Këshillit të Ministrave: “Ju komunikojmë krenat e personave të larguem nga Tirana: Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, ishministër i drejtësisë, Faik Quku inspektor i përgjithshëm pranë Kryeministrisë, Halit Maçi, Drejtori i Turizmit, Halit Meniku, n/kryetar i Bashkisë, Dilaver Ali Asllani, Azis Çami, ish kuestor. Kuptohet që mund të jetë formuar një qeveri ilegale prej personave: Mithat Frashëri Kryeministër, Hasan Dosti ministër i drejtësisë, Faik Quku Ministër i Brendshëm, deri në arritjen e Fiqiri Dines, kryetar i Përgjithshëm i shtatmadhërisë Abaz Kupi. Komandant i forcave armate, Hysni Dema, komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë, Rrapo Bineri, Jahja Çaçi…”(AQSH, F.152, d. 141, f. 25)
Këtë informacion, për arratisjen nga Tirana të krerëve të Ballit Kombëtar dhe për formimin e një qeverie ilegale me Mithat Frashërin kryeministër, nuk e jep dokushdo, ia konfirmonte Kryeministrit Kruja, vetë Ministri i Brendshëm! Situata u bë shqetësuese dhe komedia arriti deri aty, sa Ministri i Brendshëm Kol Bib Mirakaj, më 1 gusht 1943, ia kalon “tradhtarët” Gjyqit ushtarak: “Denoncoj pranë gjyqit të posaçëm të shtetit, nëpunësat të cilët janë arratisë tue braktisë detyrat arbitrarisht: Faik Quku, Jup Kazazi, (prefekt i kl. II në dispozicion të Ministrisë) Ethem Haxhiademi, Sulejman Meço, Islam Ndreu, Halil Meniku, Enver Bushati, Hysni Shaqiri, të cilët janë propozue për t’u pushue nga puna për tradhti në detyrë.”(AQSH, F. 158, d. 158, f.11) Braktisjet e Qeverisë fashiste prej ballistëve, ndodhnin edhe në disa Prefektura të vendit. Sikundër shihet qeveria kolaboracioniste, Gjindarmëria dhe Ministria e Brendshme, kanë qenë të mbingarkuar me ballistë, si pjesë e pushtetit qendror dhe lokal, rrjedhimisht ata kanë qenë bashkëpunëtorë në krimet kundër popullit shqiptar; në arrestime, pushkatime, djegie të shtëpive të popullit.
Në ditën e hapjes së Mbledhjes së Mukjes, më 2 gusht 1943, ministri Kol Bib Mirakaj informonte Kryesinë e Këshillit të Ministrave: “Funksionarët e poshtshënuar, të varur nga kjo administratë, para disa ditësh kanë braktisun arbitrarisht vend shërbimet e tyne dhe kjo ministri i akuzon si tradhtuesa në detyrën e besueme, mbasi akti i tyne vjen në kundërshtim me betimin e tyre.…”(AQSH, F. 152, d. 22.2, f. 247)
***
Sikurse shihet, mercenarët ballistë dhe kolaboracionistë, kishin bërë betimin fashist dhe garantonin devotshmëri ndaj fashizmit. Ishin këta të betuar ndaj fashizmit, që morrën pjesë në mbledhjen e Mukjes dhe pas saj, iu “qepën maleve” për luftë! Ministri i Brendshëm njoftonte Komandën e IX Armate: “Më datën 15 të këtij muaji (shtator) në shtëpinë e Abdyl Dulit asht ba mbledhja e çetave të Reçit e Postribës, nën kryesinë e Jup Kazazit, me Llesh Marash Vata, Xhelal Beg Bushati, Ibrahim Nandija, Hasan Isufi, Gjovalin Luka, Bahri Kopliku Bajraktari i Reçit, Dom Zef Shestani, Dom Luigj Pici, Prek Kaçinari…Kryetari i komisionit Jup Kazazi, ju ka lexue një letër drejtue prej Tirane nga kryetari i Ballit Kombëtar Lumo Skëndo, në të cilën grishë të gjitha çetat e ndryshme të Shqipnisë, qofshin Balli Kombëtar, qofshin nacionalista, ose komunista, të bashkohen pa dallim partinash dhe të formojë çdo qendër prefekture, kryetarin e vet dhe të quhet Komiteti për shpëtimin e Shqipnisë.”(AQSH, F.152, d. 141, f. 49)
Mithat Frashëri mobilizonte pikërisht ballistin Jup Kazazi, i cili ishte pjesë e strukturave të larta të shtetit fashist, me dekret të posaçëm të Jakomonit. Madje gazeta “Tomori”, më 1 shkurt 1942, nr. 18, njoftonte lajmin, se “Jup Kazazi ka qenë në audiencë tek Duçia”(AQSH, F. 556, d. 18. f. 20) Ky dokument e diskrediton gjithë aksionin diplomatik dhe ushtarak të Mithat Frashërit në Veri, për të mobilizuar mercenarë.
KQ i Ballit Kombëtar në korrik 1943, nga “Shqipnia e Lirë” lëshonte traktin e firmosur nga Mithat Frashëri, Thoma Orollogaj dhe Hasan Dosti, të dy ishqeveritarë të fashizmit: “KQ i Ballit Kombëtar, bashkë me një numur të rëndësishëm anëtarësh, ka dalun në mal, për të drejtue në një mënyrë përfundimtare luftën që do të na nxjerrë faqebardhë.”(AQSH, F. 270, d. 11, f. 18) Mithat Frashëri e dinte mirë veprimtarinë kriminale të drejtuesve të Ballit, edhe para formimit të organizatës, prandaj i bëri thirrje parisë së Veriut dhe ata iu përgjigjën.
Prefekti i Dibrës, Perolli, më 21 gusht 1943, katër ditë pasi është njoftuar gatishmëria e çetave fashiste, informonte Ministrinë e Brendshme: ”Në shtëpinë e Cen Elezit ndodhen Mithat Frashëri, Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora…Kanë çfaqë qëllim me bashkue nji fuqi e me proklamue një qeveri të re.”(AQSH, F. 152, d. 141, f. 44) Mithat beu, pa u mbushur 15 ditë nga Mbledhja e Mukjes, në shtëpinë e Cen Elezit, shtroi platformën politike dhe ushtarake me disa krerë të Ballit dhe parisë së Dibrës, për bashkimin e forcave profashiste dhe formimin e një qeverie të re. Mithat Frashëri i mbledh fashistët në shtëpinë e Cenit, i cili, së bashku me Selim Kaloshin, ish delegatë në Romë për t’i dhuruar Mbretit të Italisë Kurorën e Skënderbeut! (AQSH, F. 149, d. 24, f. 1)
Mithat Frashëri po krijonte aleanca me shërbëtorët e fashizmit! Gazeta Tomori, nr 167, dt, 12 korrik 1942, qëndrimin e krerëve të Dibrës e konsideronte: “Dashuri dibrane për fashizmin”.(AQSH, F.556, d. 18, f. 27/1) Mithat Frashëri, shkoi në Veri, jo për të mobilizuar popullin kundër okupatorit fashist, shkoi për të mobilizuar forcat kolaboracioniste kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe për të afirmuar qeverinë e re ballisto-zogiste të krijuar në prag të Mukjes. Mithat beu e dinte, se me forcat e Ballit, nuk e thyente dot Ushtrinë Nacionalçlirimtare, prandaj kërkoi aleancë me forcat profashiste të Veriut.
Me letrën drejtuar KQ të Ballit Kombëtar Tiranë, Mithat Frashëri më 27 gusht nga Lura, qartësonte strategjinë e Ballit: “Në çdo qendër Prefekture e N/Prefekturë… duke organizuar skuadra nacionaliste të rregulluara militarisht për të mbajtur qetësinë dhe për të ndaluar anarkinë në momentin e tërheqjes së ushtrisë italiane. Kjo dhe forcimi i propagandës nacionaliste, duhet të jetë kujdesi i veçantë i Ballit”. (AQSH, F. 556, d. 3, f. 1-2) Sikurse shihet, preokupimi i Mithat beut në Veri, nuk ishte pjesëmarrja në luftë kundër italianëve, ishte meraku “për të ndaluar formacionet partizane të hynin në institucionet shtetërore, në momentin e tërheqjes së ushtrisë italiane”. Ai orientonte për të mbrojtur institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, si pronë të Ballit Kombëtar. Kjo do të ishte qëndresa balliste për momentin e parë të largimit të trupave italiane. Në vazhdim Mithat beu do të fillonte luftën civile kunër forcave partizane.
Më 27 gusht 1943, nga Lura Mithat Frashëri i dërgonte në frengjisht një letër Komitetit Qendror të Ballit: “Marrëveshja jonë me komunistët nuk lipset në asnjë mënyrë të bëjë që të pezullohet propaganda jonë, ose t’u lejojmë komunistëve që të shtojnë veprimtarinë e tyre.”(AQRSH, F. 556, d. 1, f. 41) Ne këtu në Lurë po presim të vijnë krerët e Dibrës e të Lurës, të Matit dhe tre bajraktarët… lidhja e këtyre krahinave, lidhja e besës për mot-mot; formimi i një komisioni të përbashkët për veprime ushtarake…”(AQSH, F. 556, d. 3, f. 1-2) Mithat Frashëri do t’u printe betejave ushtarake kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ndonse ajo kishte të drejtën legjitime të vendoste pushtetin e saj në Shqipërinë e çliruar, në Jug dhe Veri. Përse duhet ta ndalonte Balli Kombëtar me forcën e armëve, Frontin Nacionalçlirimtar?!
Mithat Frashëri orientonte nga Lura organizatën e Ballit Kombëtar, që ta vazhdonte propagandën kundër Frontit Nacionalçlirimtar dhe të pengonte me çdo kusht partizanët të çlironin territore të tjera, sepse pas largimit të okupatorit fashist, ballistët do ta kishin të vështirë për t’i mposhtur formacionet partizane, nëse ato do të kishin përparuar në shumicën e vendit.
Fakti që në këtë “bashkim” të Veriut, nuk bënin pjesë çetat partizane të Haxhi Lleshit, Baba Fajës dhe çeta të tjera partizane, që ishin pjesë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, tregon, se Mithat beu kishte ftuar për bashkim vetëm pjesën mercenare të zonave të Veriut, të lidhur me fashizmin italian. Në këtë inkursion Mithat Frashëri ishte treguar një kriminel i sprovuar, që do ta hidhte popullin në gjakderdhje. Për të realizuar qëllimin kriminal, Mitat Frashëri takohej edhe me profashistë si Halil Alia ( AQSH, F.556, d. 29, f. 51), i cili dy muaj pas Konferencës së Pezës, më 20 nëntor 1942, i dërgonte letër gjeneralit italian Salvadore Melonit, në të cilën konfirminte besnikërinë ndaj fashizmit dhe gadishmërinë për të luftuar forcat partizane. (AQSH, F. 161. d. 399, f. 5-9)
Mithat Frashëri nga Lura, më 30 gusht 1943, i jep KQ të Ballit Kombëtar, detaje të karakterit organizativ: “U çel mbledhja, ishin 48 të ftuar. Për rregullimin e veprimit militar, si përfaqësues janë zgjedhur nëntë persona për çdo krahinë, gjithsej 27, të cilët mund të dërgojnë nga një apo dy persona për të formuar komitetin e komandës. Një komision i zgjedhur u nis për në katundet e Peshkopisë, për të informuar personat: Cen Elezi, Fiqiri Dine, Halim Maliqi, Faik Shehu, Ukë Cami, Myftar Kaloshi, me të cilët do të konkludoj në mënyrë paraprake bisedimet e mbledhjes.”(AQSH, F. 556, d. 3, f. 2)
Këto organizime ushtarake të Mithat Frashërit në Veri të Shqipërisë, çuditërisht ndodhnin në ditët e fundit të Italisë fashiste. Për ta afirmuar Ballin Kombëtar, si forca drejtuese e Shqipërisë, Mithat Frashëri, më 27 gusht 1943, i drejtohet Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar: ”Komiteti i bashkimit të shqiptarëve, ka marrë përsipër iniciativën e randë me i bashkue të gjitha partinat dhe tendencat politike të vendit në një program të përbashkët. Për këtë qëllim, Komiteti merr përsipër iniciativën me ju dërgue dy përfaqësues të tij, për të bisedue rreth mundësive të realizimit të këtij programi…nga të cilat duhet të dali një komitet i përbashkët kombëtar që do të shpëtojë Shqipninë, nga katastrofa, e tmerrshme e vëllavrasjes dhe nga rrënimi politik i mbrendshëm dhe i jashtëm.”(AQSH, F. 556, d.19. f. 23)
Sikundër shihet, Mithat Frashëri, ndërkohë që fashizmit i kishin mbetur vetëm disa ditë jetë në Shqipëri, nën vringëllimën e armëve për luftë civile, e ftonte Frontin Nacionalçlirimtar për bisedime, ndonëse në fund të gushtit 1943, populli shqiptar kishte komandën e vet: Shtabin e Përgjithshëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare! Si mund të eliminonte Mithat Frashërit, një periudhë gati dy vjeçare lufte dhe një udhëheqje të zgjedhur nga përfaqësues legjitim të popullit?!
Demagogjinë dhe falsitetin e Ballit, me të ashtuquajturin “bashkim” e diskrediton po në datën 27 gusht 1943, ish komandanti i çetës balliste, Nuri Hodmishti, i cili i drejtohet komandantit të Ballit Kombëtar të qarkut Korçë: ”Ju njoftoj se Abdullai ka dhënë një urdhër në pjesëtarët e Ballit; çdo komunist që të shihet të pushkatohet...Lutemi të ndalohet kategorikisht ky veprim, sepse kthehet në vëllavrasje.”(AQSH, F.556, d.20, f. 5)
Për veprimet konkrete të lufës civile, Ministri i Brendshëm, Kol Bib Mirakaj, më 30 gusht 1943, njoftonte Kryeministrin dhe Komandën e IX Armate: “Reka lajmëron: Cen Elezi me çetën, ka shkue në katundin Zhernanicë, ka thirrë kryeplakun me e porositë që të lajmërojë rininë me dal në mal, të bashkohet, se erdhi dita.”(AQSH F.152, d. 141, f. 50)
Prefekti Shaban Balla e sqaron përfundimisht këtë dilemë; më 3 shtator 1943, ai i njofton Ministrinë e Brendshme: “Operacionet e Jup Kazazit kundra çetave rebele, kanë filluar më datën 30 gusht”.(AQSH, F.152, d. 124, f.20) Jup Kazazi, kishte filluar luftën kundër çetave partizane, pikërisht më 30 gusht 1943, kur Mithat Frashëri lëshonte qarkoren kundër komunistëve nga Veriu i Shqipërisë! Kjo është dëshmi, se Mithat Frashëri përgatiti luftën civile në Shqipëri.
Mbas disa ditësh erdhi agresori nazist, i paparashikuar prej “gjeniut” Frashëri, ai u mbyll në strofullën e tij dhe silloisej: si t’i fillonte pazaret me padronin e ri! Kapitullimi solli si rezultat përplasje më të mëdha ndërmjet partizanëve dhe Ballit Kombëtar. Britanikët e dinin se raportet midis tyre ishin të këqia…”Kemp dhe Meklin, hasën kundërshtim të madh në fshatrat e afërt të Ballit Kombëtar dhe në njërin prej tyre për pak sa nuk u qëlluan me armë. Meklin njoftoi Kajron nga fillimi i shtatorit për “tensionin në rritje ndërmjet dy lëvizjeve. Me sa duket nuk ka shpresa për marrëveshje”(R. Bailey, Lufta e fshehtë në Shqipëri, f. 114-115)
Në këto rrethana të zhvillimit të Lufës së Dytë Botërore, ballistët bënë përpara si aleatë të ushtrisë hitleriane, me motivin, sikurse e ka theksuar Xhevdet Shehu: “Përpara ballistë, për parà!”