Bardhyl BEJKO
Protesta e paralajmëruar e 12 nëntorit nga opozita po glorifikohet dhe zmadhohet si të ishte revolucioni për përmbysjen e diktaturës. Njehsohet me atë të fund viteve ‘90 kur rinia shqiptare u ngrit furishëm si një organizëm i vetëm me një objektiv të madh kombëtar: Dhënies fund të regjimit gjysmë shekullor dhe instalimit në Shqipëri të demokracisë,ekonomisë së tregut dhe pluralizmit politik. Dhe ia arriti të bëjë realitet,Shqipërinë si gjithë Europa. Në këto tri dekada, kanë rrjedhur shumë ujëra, kanë ndodhur ndryshime të mëdha, janë shënuar arritje epokale që vetëm kohë më parë as që mund të guxohej të mendoheshin pasi do merrje etiketimin: Lëreni të ëndërrojë, është krejtësisht i marrë dhe i fusnin edhe një tog fjalësh: “Është bërë për në çmendinën e Vlorës”. Pastaj me të kishin punë të tjerët,ata që të çonin për një fjalë goje pas hekurave.
Lëvizja e dhjetorit 1990, ishte më e natyrshmja! Ishtë lëvizje që buronte nga shpirtrat e miliona shqiptarëve që jetonin këtu, po edhe atyre që koha i kishte shpërndarë në vende të tjera që ishin trupërisht atje dhe me zemër këtu në atdheun e tyre,ku kishin rrënjët dhe tokën e të parëve. Historia e tri dekadave demokraci tek ne, është e mbushur me arritje, dështime, gëzime, trishtime, tronditje tektonike shoqërore. Ajo që ka sunduar në skenën politike në vendin tonë kanë qenë protestat e dhunshme,shumë prej të cilave kanë përfunduar me humbje jete në emër të pushtetit. Nuk ka asnjë vlerë kush i ka organizuar apo udhëhequr. Ajo që bën diferencën, është sa kanë qenë paqësore dhe sa agresive të shoqëruara me dhunë. Sa jetë kanë humbur në to, vetëm se protestohej. Dhe para syve na shfaqen si në ekran,dy prilli, greva e Valiasit, viti i mbrapshtë, 1996 e 1997, grushti i shtetit në 1998 e me radhë, 21 janari i 2011 për t`u pasuar me marshimet e dhunshme,djegie dhe thyerje në vitet, 2019, 2020 dhe2021, ku Tirana, është shndërruar në fushë beteje që kanë rezultuar me shkatërrime dhe cënime të rënda të rendit kushtetues. Nga këto demonstrime nuk ka pasur asnjë të fituar! Të gjithë kemi përfunduar humbës të mëdhenj. Shqipëria është shfaqur në sytë e botës si shtet i rrëmujshëm, sikur këtu zhvillohet luftë, një perceptim jashtë realitetit dhe të vërtetës. Dhe në ballë të tyre ka qenë një dhe vetëm një, Berisha!
Sa herë njoftohet për protesta nga opozita,të gjitha trumbetohen si më madhështoret,epokale,të papara në shekuj. Paralajmërimi bëhet sikur në protesta merr pjesë e gjithë Shqipëria! Sikur janë shpërthim i brendshme, vrulle dhe gulçe që shpërthejnë nga zemërimi. Nuk them se këtu nuk ka zemërim. As se jemi shumë të lumtur. Po në realitet të gjitha këto protesta, janë me urdhra nga lart dhe këtu nuk përjashtohet opozita e sotme as mazhoranca që dje ishte opozitë!
Në realitet protestave u paraprin propaganda alla Shvejk. Numrat e atyre që do derdhen shesheve barazohen me shifrat sa ka qenë Shqipëria si popullsi shumë vite më pare, pa marrë parasysh se jemi përgjysmuar e shpërndarë. Dhe llogaritë e pjesëmarrësve, madhështia e protestës, matet me numra rendor dhe metër katror. Protesta e 12 nëntorit vjen fill pas revoltave të serbëve në Mitrovicë. Një opozitë e pjekur që do kishte hallin e Shqipërisë dhe jo prijësin Sali apo Metën e Partisë së Lirisë dhe partitë në përgjithësi, analizon në se është vërtetë koha për të bërë protesta?! Protesta e opozitës e paralajmëruar për 12 nëntor përkon me protestat në veriun e Kosovës, ku pushteti serb është gati të ndez konflikt të ashpër në tërë Ballkanin, vetëm për një element në dukje teknik, po që realisht është një grumbullim mllefesh prej tri dekadash. Kulmin kjo protestë e serbëve në veri të Kosovës e arriti me demonstrimin e drejtuesve dhe përfaqësuesve të komunave serbe dhe listës serbe të deputetëve, ku të gjithë dorëzuan detyrat funksionale, duke iu kundërvënë shtetit të Kosovës që është edhe i tyre. U acarua klima politike,e cila është gati në shpërthim. Policët me nacionalitet serb, zhveshën uniformat e policisë të shtetit të Kosovës, ku jetojnë,natyrisht si shprehje urrejtje dhe mos pajtim me vendimet e qeverisë kosovare. Zhveshën dhe dorëzuan uniformat ndërsa koburet i mbajtën në brez si karshillëk ndaj qytetarëve që bashkëjetojnë me ta. Pra armët i mbajtën dhe dihet përse!
Protesta e opozitës në Shqipëri e vendosur para ngjarjeve në Mitrovicë do zhvillohet vetëm pesë ditë pas atyre në veriun e shtetit të Kosovës. Do i japi përmasa ballkanike konfliktit? Do i shtoj benzinë zjarrit? Do i japi armë atyre që nuk e duan as Kosovën as Shqipërinë? Po, sepse ata e duan në flakë tërë Ballkanin! Është koha që organizatorët e protestës të reflektojnë, pse jo edhe ta lënë për një kohë tjetër pasi vetëm pas disa ditësh, Tirana do jetë Brukseli i Europës, ku do vijnë përfaqësuesit më të lartë të Unionit Europian. Një ngjarje madhore që bën krenar çdo shqiptar. Në se opozita jonë këmbëngul për të veshur opingat dhe të delegoi protestuesit para kryeministrisë me të drejt pyesim, a do zhveshin protestuesit dhe organizatorët në 12 nëntor në “Sheshin Skënderbej” djemtë, gratë, vajzat e Shqipërisë, kostumin kombëtar, dinjitetin, prestigjin, nderin, moralin pasi janë të gjithë shqiptarë, vetëm për të demonstruar forcë dhe epërsi mbi këtë qeveri? Ata që u zhveshën nga pozitat dhe detyrat e shtetit të Kosovës,janë banorë të tij dhe kanë detyrime që i parashikon kushtetuta e Kosovës. Po janë serb veç! Në gjykimin tim kryen një akt që ngjanë me atentat ndaj bashkëjetesës për interesa jashtë Kosovës,pro Serbisë dhe Rusisë! Edhe pse keqardhje për ç`po ngjanë në veri të Kosovës dhe pa bërë paralelizëm, po për të qenë koherent me pretendimet e liderëve të opozitës,shtabit drejtues të protestës së 12 nëntorit,dhunës së paralajmëruar,ku do jenë të pranishëm mbështetës dhe militantë të thirrur e regjistruar me lista, duken si protestues delegatë që do udhëtojnë me autobusë nga skaji në skaj për në kryeqytet!
Nuk ka asnjë problem në se do jenë miliona, siç rrëmbehen nga entuziazmi pa bazë organizatorët apo disa mijëra a qindra. Ata janë thirrur në shesh për t`u thënë qeveritarëve, e shikoni sa shumë jemi?!Dridhuni,dorëzohuni! Ne jemi shpëtimtarët! Shqipëria në rrezik! Po ju, o ambasadorë a po na numëroni? Kur do ua dërgoni kancelarive tuaja,revoltën tonë pasi nuk mbanë më ujë pilafi dhe duhet të na dëgjoni?!Po në se skenari i protestës do jetë ai që publikohet, atëherë me të drejt themi: Protesta e Tiranës do jetë fotokopje e Mitrovicës! Dhe ka nisur të tirren histori për protestën më “madhështore” të Shqipëri, sikur të mbërrinin këtu tek ne, tërë planetet, ku jeton njerëzimi. Të rreshtoheshin në protestë,jo vetëm tokësorët,po edhe qiellorët!Dhe kjo protestë e pompuar si më madhështorja mbi dhe nuk i bënë mire ,jo vetëm, opozitës, vëllezërve shqiptarë në Shqipëri, po as atyre kosovarë nga jug e në veri!
