Dr. Jorgji Kote – Mjeshtër i madh
Pas riardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump po flitet shumë për zbatimin e një lëvizjeje madhore diplomatike të ngjashme me atë të Presidentit Nikson me Kinën në fillimin e viteve 70. Kur më 21 – 28 Shkurt 1972 ai bëri vizitën historike në Pekin, ku u takua me Kryetarin Mao, duke çelur një epokë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve, me efekte dhe rrjedhoja madhore në gjeopolitikën botërore.
Kjo lëvizje tektonike realizoi synimin e vet strategjik – ndarjen e Kinës nga Bashkimi Sovjetik, që SHBA-të ta kishin më të lehtë luftën e mëtejshme ndaj BS-së si rreziku kryesor i asaj periudhe të Luftës së Ftohtë; çka dhe ndodhi në vitet 80 me “ Lufta e Yjeve” dhe deri në shpërbërjen e Perandorisë Sovjetike më 1991.
Ashtu si në fusha të tjera, dhe në gjeopolitikën ndaj Kinës Trump po kërkon të imitojë Niksonin, veç në sensin e kundërt; pra tani të ndajë Rusinë nga Kina, ta mbyllë sa më shpejt luftën kundër Ukrainës, me qëllim që t’i ketë duart e lira për t’u marrë me Kinën, që ajo të mos ketë më ndihmën ruse.
Ndonëse kjo strategji tingëllon bukur, sipas mendimit të shumë politologëve, ekspertëve dhe diplomatëve të njohur, ky mision strategjik ka shumë pak ose nuk ka fare të ngjarë të realizohet, se kjo do të thotë të ”kalosh detin me këmbë”!
Pa pretenduar për një analizë shterruese, duke iu referuar sfondit historik të viteve 70 dhe atij aktual, aktorëve dhe faktorëve përcaktues gjeopolitikë, le të bëjmë një krahasim gjeopolitik të periudhave dhe dukurive të atëhershme dhe atyre të sotme.
Së pari, vitet 70 ishin periudhë e Luftës së Ftohtë, me dy kundërshtarët kryesore – SHBA dhe BS-ja. Kina nuk ishte superfuqi dhe as nuk synonte një gjë të tillë, ajo ishte në pozita mbrojtëse, pa kapacitetet dhe fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake të sotme. Atëhere Kina nuk kërcënonte njeri, as Tajvanin, ajo nuk synonte të kthehej në superfuqi dhe u pranua në OKB vetëm në vitin 1973.
Edhe Bashkimi Sovjetik i atëhershëm ishte i dobësuar. Vërtet që në Gusht 1968 ai pushtoi Çekosllovakinë, por gjithsesi Praga ishte nën sferën e tij të influencës. Pra, BS-ja nuk u fut në fushën e kundërshtarit, siç sot Rusia me Ukrainën, e cila ka shpallur me kohë orientimin e saj pro-perendimor si shtet i pavarur dhe sovran. E kundërta ndodhte me SHBA-të të cilat ishin në pozita më të fuqishme politike, ekonomike dhe ushtarake, pavarësisht nga lufta në Vietnam.
Më tej, ndonëse nën Perden e Hekurt, vitet 70 ishin epoka e Detantës dhe Bashkëekzistencës Paqësore midis dy sistemeve të kundërta politike dhe shoqërore; ishte në prag të përfundimit lufta në Vietnam. Në vitin 1971 Kancelari nobelist gjerman Willy Brandt lançoi Ostpolitikën e famshme; duke dalë kundër ndryshimit me forcën e armëve të regjimeve komuniste lindore, Ostpolitika synonte ndryshimin nëpërmjet afrimit me marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Po ashtu, në vitin 1973 filluan bisedimet në Kuadrin e Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian ( KSBE) të cilat përfunduan më 1975 me miratimin e Aktit Final të Helsinkit. Me 34 vende anëtare, OSBE-ja siç u quajt në vitin 1995 ishte dhe mbetet organizata më e madhe e këtij lloji dhe e vetmja që mundësonte dialogun midis SHBA-ve dhe BS-së, midis Perëndimit dhe Lindjes.
Ndërsa sot po ndodh e kundërta. Me përjashtim të BE-së/NATO-s, OSBE-ja dhe organizatat e tjera nuk po pyeten më pothuajse fare, as nga Kina me Rusinë por dhe as nga SHBA-të; madje këto të fundit po dalin prapë jashtë disa organizatave të njohura ndërkombëtare si UNESCO, OBT-ja, OBSH-ja, etj; gjithashtu ka një përshkallëzim të ekstremizmit të djathtë, të populizmit dhe azilit të paligjshëm të cilat kanë dobësuar ndjeshëm SHBA-të dhe Europën, si dhe 32 konflikte rajonale në botë.
Mbi të gjitha është lufta që vazhdon prej mbi 42 muajsh midis Rusisë dhe Ukrainës, konflikti i ndezur në Lindjen e Mesme, kërcënimi bërthamor i Iranit dhe Koresë së Veriut e deri në Ballkan me kërcënimet serbe ndaj Kosovës. Ku SHBA-të janë të pafuqishme t’i zgjidhin vetë këto konflikte, mbasi tani nuk janë më “xhandar ndërkombëtar“.
Ndaj, ndryshe nga 5 dekada më parë, kur detanta ishte kryefjalë politike, sot ajo nuk po njihet më as si term, duke tingëlluar si “mall luksi“.
Për më tepër, ka dhe një tronditje dhe plasaritje të rendit ndërkombëtar dhe diplomacisë shumëpalëshe. Është ironike por ndryshe nga SHBA-të që me proteksionizmin e tyre të shpallur po dalin kundër tregtisë së lirë dhe multilaterimit, Kina me Rusinë po bëjnë të kundërtën, duke dalë si mbrojtës të tyre, ndonëse dhe ato janë tejet selektivë sa i takon multilaterizmit dhe tregtisë së lirë.
Dukuria tjetër intriguese ishte se atëhere Kina dhe Rusia nuk kishin aleanca të gjera shtetesh dhe grupimesh si sot, sidomos BRICS+, ku të dyja vendet janë lidere të tij me anëtarësi në rritje; nga 5 vende anëtare në vitin 2009 kur u krijua tani janë 11 shtete dhe me kërkesa për zgjerim të mëtejshëm.
Pavarësisht nga problemet dhe sfidat që ka, BRICS po i shkakton të paktën “dhimbje koke“ SHBA-ve dhe Perëndimit në përgjithësi; vendet e Bricks po kërkojnë më shumë vend dhe hapësirë në forumet më të larta ndërkombëtare deri në OKB si dhe zëvendësimin e rendit të sotëm një polar me atë shumëpolar.
Mirëpo shumë prej atyre vendeve atëhere kishin lidhje të ngushta ose ishin më tepër vasalë të SHBA-ve. Ndryshe po ndodh me SHBA të cilat në vitet 70 bënë hapjen e madhe ndaj Kinës por le ta theksojmë, në mirëkuptim dhe bashkërendim me aleatët e saj europianë, pa krijuar asnjë lloj konflikti dhe krisje. Për rrjedhojë, Nikson shkoi në Pekin me një bazë dhe mbështetje të fuqishme Euro-Atlantike. Ndërsa sot po jep shenja ndarjeje dhe me aleatët perendimorë.
Ndaj ish Komandanti i NATO-s për Europën më 2014 – 2017 gjenerali amerikan Ben Hodges paralajmëron se SHBA-të nuk mund t’ia dalë e vetme; ajo ka nevojë detyrimisht për aleatë dhe përvoja e 80 viteve të fundit tregon se aleatja më e besueshme është Europa Perendimore!
Shkak tjetër i rëndësishëm është se atëhere SHBA-ja kishin diplomaci shumë më efektive se kjo e sotmja; në atë kohë në krye të saj ishte Henry Kisinger, “mbreti“ i pazëvendësueshëm i diplomacisë, të cilin nuk mbeti lider në botë pa e telefonuar dhe pa i kërkuar mendim deri sa dha frymë në moshën 100-vjeçare. Kisingeri emblematik ishte arkitekti i hapjes epokale ndaj Kinës, themeluesi dhe praktikuesi i papërsëritshëm i diplomacisë së ecejakeve (shuttle diplomacy), ndërmjetësuesi i jashtëzakonshëm dhe personalitet me jehonë të madhe publike.
Në rastin e Kinës, krahas dimensionit klasik, ai zbatoi me shumë sukses dhe të ashtuquaturën ”diplomaci të pingpongut“. Në kuadrin e saj, ecejaket e Kisingerit dhe vizita historike e Niksonit në Pekin u papraprinë nga ndeshje basketbolli në Pekin dhe më pas në Uashington midis ekipeve kombëtare të Kinës dhe SHBA-ve.
Me parë ishte e paimagjinueshme të luaje në publik me “armiqtë më të mëdhenj” dhe të bëheshe mik me ta! Ato ndeshje patën një ndikim tejet pozitiv në përgatitjen e opinionit të gjerë publik në të dy vendet, në krijimin e një klime mirëkuptimi dhe besimi të ndërsjellë, duke sfiduar dhe shmangur shumë tabu dhe paragjykime.
Aq e efektshme ishte kjo diplomaci sa lojtarët e të dy ekipeve kane vijuar ndeshjet vjetore midis tyre dhe tani deri vonë, duke i kthyer ato në traditë të bukur publike. Kësisoj, basketbollistët e tyre u bënë “ambasadorët“ më të mirë, çka e pohonte dhe vetë Kryetari Mao.
Po ashtu, në vitet 70 SHBA-të kishin filluar zbatimin në shkallë të gjerë të të ashtuquajturës ”diplomaci e butë“ (soft diplomacy) e cila ka shërbyer deri tani si një model me shumë efekte për të gjitha diplomacitë e vendeve të tjera. Madje deri vonë, në Departamentin Amerikan të Shtetit kishte një drejtori të madhe dhe një Zv.Sekretar Shteti që mbulonte diplomacinë publike, e cila është hequr në kuadrin e shkurtimeve masive diplomatike. Institucione të tilla prestigjioze si USAID, Zëri i Amerikës, programet e studimit Fullbright, xhazi, muzika, Harvardi ishin mbështetje e fuqishme e diplomacisë klasike amerikane.
Lidhur me këtë temë, Ambasadori dhe publicisti indian me famë ndërkombëtare, Keshan S. Rana thotë se “shumë pak amerikanë e vlerësojnë se sa shumë ndikuan në rënien e komunizmit dijet mbi SHBA-të dhe në veçanti roli i Zërit të Amerikës“. Mirëpo ishin pikërisht këto institucione kult që muajt e fundit u mbyllën, duke habitur dhe vetë diktatorët që ngritën dolli me shampanjë për Presidentin Trump që i heshti ato.
Lidhur me sa më sipër, sot SHBA-ve i mungojnë në radhë të parë kryediplomatë të tillë kalibri si Kisinger, Ambasadori i ndjerë Richard Holbrooke e të tjerë. Ndërsa diplomaci si ajo e ping pongut dhe në përgjithësi diplomacia publike, e kulturës dhe e sharmit në SHBA jo vetëm nuk ka të krahasuar me atëhere, por për fat të keq po fshihen institucionet dhe gjurmët e saj mbresëlënëse.
Sa për lojën e golfit, liderët perendimorë vërtet që mund t’ia bëjnë qejfin dhe ta sjellin në humor Trumpin, por prapë “diplomacia e golfit“ nuk e ka efektin e lojrave me top.
Ndryshe nga SHBA-të, Kina, Rusia dhe të tjerë po bëjnë të kundërtën në këtë drejtim, duke shtuar propagandën e tyre me të gjitha mjetet e informimit masiv.
Dukuria tjetër sfiduese dhe shqetësuese për Perëndimin është se megjithë demarshet e shumta, Kina nuk heq dorë dhe është betuar për të vazhduar mbështetjen e gjithanshme e sidomos atë ushtarake ndaj Rusisë dhe në luftën ndaj Ukrainës si aleate të përhershme, çka është vulosur dhe në traktatet mes tyre. Me mbështetjen e palëkundur kineze, Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës, si pjesë e strategjisë së saj për të rikrijuar Perandorinë e dikurshme cariste apo sovjetike, duke goditur për ta çmontuar rendin e sotëm ndërkombëtar, për ta zëvendësuar forcën e ligjit me ligjin e më të fortit, për një rend multipolar, ku të mos dominojë më SHBA-të, me aleanca të përkohshme interesash!
Konkretisht tashmë merret si e mirëqenë se sa të mbarojë punë me Ukrainën, Rusia do të sulmojë një vend të NATO-s për të matur pulsin e saj dhe zbatimin nga Amerika të Nenit 5 mbi mbrojtjen kolektive. Çka ka shtrënguar Europën dhe vendet e saj anëtare të nxitojnë për europianizimin e NATO-s, për të dhënë deri në vitin 2035 nga 2 aktualisht në 5 për qind të GDP-së e për të. Që Europa të kthehet sa më shpejt dhe bindshëm në një bashkim të madh mbrojtës, ME por dhe PA Amerikën.
Nga ana e vet Kina nuk ka asnjë interes ta prishë me Rusinë e kësisoj të dalë Amerika më e fituara. Ajo do që bashkë me Rusinë, me një Europë të dobësuar, të konkurojë dhe t‘i mposhtë përfundimisht dhe SHBA-të në të gjitha fushat.
Mbi të gjitha, interesat, nevojat dhe objektivat gjeopolitike të Kinës me Rusinë dhe anasjelltas janë aq të mëdha, sa vërtet që nuk ka zot t’i ndajë nga njera tjetra. Për pasojë, gjendja atje dhe marrëdhëniet Rusi – Kinë janë shumë më të ndryshme se 50 vite më parë, kur të dyja vazhdonin të lëngonin ga grindjet ideologjike brenda kampit socialist, kur SHBA-të e shfrytëzuan rastin duke u futur si pykë mes tyre.
Ja pse të kërkosh sot që ta ndash Rusinë nga Kina mbetet vetëm “dëshirë e mirë”.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
