Nga Steve Rosenberg
Marrë nga BBC
Na vjen përshtat ta shohim Vladimir Putinin si një zuzar alla James Bond, që, në një vend të izoluar në ndonjë mal, rri ulur përballë një paneli gjgant kontrolli dhe mbjell kaos në mbarë botën.
Ai shtyp një buton dhe Ballkani trazohet. Ai shtyp një tjetër dhe Lindja e Mesme shpërthen. Na pëlqen si ide … por mund të mos jetë e saktë, por një ekzagjerim i ndikimit global të liderit të Kremlinit.
Po, Rusia ka lidhje me Hamasin dhe është bërë aleate e ngushtë i Iranit. Sipas SHBA, Moska dhe Teherani kanë, tashmë, partneritet të plotë mbrojtjeje. Por kjo nuk do të thotë se Moska ka qenë drejtpërdrejtë e përfshirë ose se ka pasur paraprakisht dijeni mbi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.
“Ne nuk mendojmë se Rusia ishte e përfshirë në ndonjë mënyrë,” deklaroi ambasadori i Izraelit në Moskë, Alexander Ben Zvi për gazetën “Kommersant”, këtë javës, duke shtuar se ishte “tërësisht e pamend” të besohej se Rusia kishte lidhje me mizoritë e kryera nga Hamasi në Izrael.
“Nuk kam hasur asnjë provë që Hamasi të jetë furnizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me armë ruse, ose që ushtarakët rusë të kenë trajnuar operativë të Hamasit,” thotë Hanna Notte, një eksperte e Rusisë dhe Lindjes së Mesme në Qendrën James Martin të Studimeve për Mospërhapje, e vendosur në Berlin.
“Është e vërtetë që Rusia ka marrëdhënie me Hamasin prej kohësh. Rusia kurrë nuk e shpalli Hamasin organizatë terroriste. Delegacionet e Hamasit vizituan Moskë edhe vitin e kaluar dhe këtë vit. Por, nga kjo, nuk do të arrija në përfundimin se ka pasur mbështetje të gjerë ushtarake. Edhe pse dihet se sistemet e prodhuara në Rusia u futën në Rripin e Gazës, ndoshta nëpërmjet Sinait [në Egjipt] dhe falë ndihmës së Iranit.”
Pra, presidenti Putin nuk shtypi një buton mbe mbishkrimin “Luftë në Lindjen e Mesme”.
Por a është i gatshëm të përfitojë prej saj? Padyshim dhe ja se si.
Heqja e vëmendjes nga Ukraina
Teksa shpërthimi i dhunës në Lindjen e Mesme po mbizotëron axhendën e lajmeve ndërkombëtare, Moska po mbështetet nga titujt dramatikë që vijnë nga Izraeli për të larguar vëmendjen nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Por kjo nuk ka lidhje vetëm me një ndryshim në radhitjen e lajmeve. Autoritetet ruse kanë shpresë se, si rezultat i situatës së krijuar në Lindjen e Mesme, një pjesë e armëve perëndimore (të planifikuara) për Ukrainën do të dërgohen në Izrael.
“Mendoj se kjo krizë do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në rrjedhën e operacionit special ushtarak [në Ukrainë],” deklaroi diplomati rus Konstantin Gavrilov për gazetën pro-Kremlin “Izvestia”.
“Vëmendja e sponsorve të Ukrainës do të zhvendoset drejt konfliktit në Izrael. Kjo nuk do të thotë se Perëndimi do të braktisë ukrainasit. Por ndihma ushtarake do të ulet…dhe rrjedha e operacionit mund të kthehet në favor të [Rusisë]. ”
Mendim i bazuar në atë që dëshirohet në Rusisë? Ashtu duket.
“Ne mundemi dhe do të qëndrojmë përkrah Izraelit, edhe pse do të (vijojmë të) qëndrojmë pranë Ukrainës”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në një takim mes ministrave të mbrojtjes të NATO-s.
Gjthsesi, një konflikt i zgjatur në Lindjen e Mesme do të vërë në provë aftësinë e Amerikës për të mbështetur njëkohësisht dy aleatë në dy luftëra të ndryshme.
Rusia si ndërmjetëse?
Rusia po përpiqet të jetë më prezente në Lindjen e Mesme duke e treguar veten si një paqebërës i mundshëm. Ajo e ka luajtur këtë rol më parë, duke iu bashkuar përpjekjeve të mëparshme të ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund konfliktit në rajon.
“Rusia mundet dhe do të ketë rol në zgjidhjen e konfliktit”, tha zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov, dhe shtoi “Ne jemi në kontakt me palët në konflikt.”
Gjatë një vizite në Moskë, këtë javë, kryeministri i Irakut i bëri thirrje Presidentit Putin të “shpallte një iniciativë për armëpushim të vërtetë” në rajon.
Rusia paqebërëse? Kjo po që është e vështirë për t’u besuar. Në fund të fundit, ky është vendi që ndërmori pushtimin e plotë të fqinjit të vet. E gjatë gati 20 muajve të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, ka pasur vdekje dhe shkatërrim në një nivel që ka tronditur botën.
Për më tepër, të thuash se “mundet dhe do të ketë rol” në arritjen e paqes nuk është garanci se ata që janë të përfshirë në konflikt do i pranojnë si ndërmjetës.
Moska, prej kohësh, ka pasur interesa në Lindjen e Mesme. Bashkimi Sovjetik pati marrë një pozicion pro-arab, kur Izraeli krijoi lidhje të ngushta me SHBA-në. Për vite me radhë, antisemitizmi i nxitur nga shteti ka qenë tipar i jetesës sovjetike.
Pas shpërbërjes së perandorisë Sovjetike, marrëdhëniet e Rusisë me Izraelin u përmirësuan, pjesërisht për shkak të një fluksi prej më shumë se një milion hebrenjsh në Izrael nga ish-republikat sovjetike. Por, kohët e fundit, Rusia e Vladimir Putinit është afruar më shumë me armiqtë e Izraelit, veçanërisht me Iranin, çfarë i ka tensionuar marrëdhëniet ruso-izraelite.
Fajësimi i Amerikës
Kremlini është në kërkim të një tjetër mundësie për të bërë atë që, gjithsesi, e bën mjaft: të fajësojë Amerikën.
Që nga momenti i sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, mesazhi kryesor i Vladimir Putinit ka qenë se “ky është shembull i dështimit të politikës së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme”. Kjo është në linjë me qasjen tipike të Moskës, gjithnjë duke sulmuar atë që ajo e quan “hegjemonia e SHBA”.
Dhe përshkrimi i Amerikës si fajtori kryesor për (situatën në) Lindjen e Mesme është mënyra e Kremlinit për të forcuar pozitën e Rusisë në rajon në kurriz të Uashingtonit.
Deri më tani kam folur për përfitimet e mundshme të Rusisë nga ngjarjet në Lindjen e Mesme. Por ka edhe rreziqe.
Hanna Notte beson se “paqëndrueshmëri e arranxhuar me kujdes është ajo që i shërben më fort Rusisë”.
“Paqëndrueshmëria e kalibruar me kujdes është ajo që i shërben më së miri Rusisë,” beson Hanna Notte.
“Nëse kjo krizë largon vëmendjen nga Ukraina, dhe ka shanse që të ndodhë vërtet, kur merret parasysh rëndësia e Izraelit në kontekstin e brendshëm politik të SHBA-ve, Rusia mund të jetë një përfituese afatshkurtër.”
Por Rusia nuk do të përfitonte nga një luftë që përhapet në rajonin më të gjerë, duke përfshirë Iranin që ofron armë dhe financa për Hamasin, thotë zonja Notte.
“Rusia nuk dëshiron një luftë të mirëfilltë midis Izraelit dhe Iranit. Nëse gjërat shkojnë drejt kësaj dhe bëhet e qartë se Amerika vendoset në anën e Izraelit fuqishëm, mendoj se Rusia nuk do të shohë zgjidhje tjetër veçse të zhvendoset më tej në anën e Iranit. Nuk jam i sigurt nëse Rusia e dëshiron këtë.
“Unë mendoj se Putini ende i vlerëson lidhjet e veta me Izraelin. Prandaj nuk mendoj se diplomacia ruse dëshiron të lëvizë në atë hapësirë ku do i duhet të zgjedhë kahun. Por sa më shumë që ky konflikt të përshkallëzohet, aq më shumë do ndihet Rusia nën presioni.”
—-
Autori është gazetar, ekspert mbi Rusinë. Përktheu në shqip për DITA, Edona Llukaçaj