Media gjermane ka publikuar dje raportime nga shërbimet e inteligjencës (nuk i citon cilat) për një lëshim në hapësirë “brenda 60 ditëve” të një sateliti rus të pajisur me kokë bërthamore. Frika është për një shpërthim në hapësirë që dëmton satelitët ekzistues. Në botën e sotme me varësi të lartë nga teknologjia, satelitët atje lart, “kurdisin” gjithë jetën tonë të përditshme këtu poshtë.
NATO ka reaguar ndaj raportimeve, Rusia ka mohuar.
Gjithsesi, kur flitet për rrezikun real të një lufte bërthamore, analistët e sigurisë dhe institucionet ndërkombëtare e ndajnë çështjen mes probabilitetit të afërt dhe rrezikut të llogaritjes së gabuar. Probabiliteti i afërt mbetet i ulët falë parandalimit reciprok dhe kostove të paimagjinueshme. Rreziku i llogaritjes së gabuar, përshkallëzimit, është rritur ndjeshëm.
Çfarë e ka rritur? Mbi të gjitha e ka rrotur kolapsi i arkitekturës së kontrollit të armëve. Me skadimin e traktatit New START në shkurt 2026 pa një marrëveshje pasuese, SHBA dhe Rusia, të cilat mbajnë pjesën dërrmuese të krerëve bërthamorë në botë, nuk kanë më kufizime të detyrueshme ligjore apo mekanizma inspektimi e transparence për forcat e tyre strategjike. Sipas vlerësimeve për vitin 2026, arsenali global po modernizohet dhe zgjerohet. Edhe Kina po rrit ndjeshëm kapacitetet e saj.
Në vitin 2026, Bulletin of the Atomic Scientists e vendosi “Orën e Kiametit” (një përkthim imi për Doomsday Clock) në 85 sekonda para mesnatës, niveli më i afërt i regjistruar ndonjëherë, duke përmendur rrezikun bërthamor, dobësimin e regjimeve të kontrollit, krizat gjeopolitike dhe ndërthurjen me teknologji të reja.
Bota sot ka shumë konflikte dhe retorikë të lartë. Luftërat aktive dhe tensionet mes fuqive të mëdha rrisin rrezikun që një krizë konvencionale në tokë, ajër, det ose hapësirë të rrëshqasë drejt një përplasje bërthamore qoftë edhe përmes keqkuptimit apo vonesës së informacionit. Presioni i brendshëm politik mund të ndikojë gjithashtu.
Raportimet për një satelit të mundshëm rus të tipit “Sputnik-S” me kokë bërthamore që u shfaqën dje në median gjermane prekin një dimension tjetër. Nuk është domosdoshmërisht një “luftë bërthamore” klasike mes qytetesh. Skenari më i diskutuar është shpërthimi në orbitë për të krijuar efekte rrezatimi ose ndërhyrjeje që dëmtojnë dhe shkatërrojnë rrjetet satelitore. Efekti zinxhir te infrastruktura kritike do ishte shumë i rëndë. Satelitët mbështesin komunikimin ushtarak dhe civil, navigimin (GPS/GNSS), vëzhgimin, paralajmërimin e hershëm dhe sistemet financiare e energjetike. Paralizimi i një pjese të madhe të satelitëve në orbitën e ulët të Tokës mund të verbojë ose çorientojë sistemet e komandës dhe kontrollit, duke e bërë mjedisin e krizës shumë më të paqëndrueshëm dhe të rrezikshëm.
Vendosja e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë bie ndesh me Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, ndaj edhe paralajmërimi i kreut të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, këto ditë për “skenarin më të keq të mundshëm” pasqyron frikën nga prishja e tabusë hapësinore.
Sigurisht që fuqitë bërthamore e dinë se çdo përdorim i armëve bërthamore sjell pasoja shkatërruese, të pakontrollueshme dhe shpesh të paimagjinueshme edhe për vetë iniciatorin dhe aleatët e tij. Edhe pa arritur në pragun bërthamor, një eskalim i tillë izolon diplomatikisht, dëmton rëndë ekonominë globale dhe bashkon kundërshtarët.
Por rreziku real sot nuk është aq një luftë e pashmangshme “nesër”, sa është rritja e brishtësisë së mekanizmave të parandalimit dhe të kontrollit.
Për më shumë, lexoni historinë interesante të “dy qenve” që kolegët kanë botuar në faqet 16-17 të numrit të sotëm.
Ditë të mbarë
Adrian Thano
