Konfiskimi i aseteve të krimit ka si qëllim final përfitimin e një të mire publike nga përdorimi apo shitja përfundimtare e tyre. Shumë prej pasurive mbeten në degradim dhe zgjidhja është shitja në ankand. Por, ajo që vihet re ndër vite është dështimi i këtyre procedurave. Arsyeja është e thjeshtë: Askush nuk guxon të blejë prona të të fortëve pasi i tremben presioneve, ndërkohë që 1 në 3 pasuri të sekuestruara nuk është marrë në dorëzim dhe po përdoren sërish nga krimi i organizuar.
Vetë Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara sqaron se në ankand janë shitur vetëm prona të degraduara deri sot, të cilat e kanë humbur vlerën.
AAPSK nxori në ankand 56 dele të racës franceze lakon, me vlerë fillestare 649 mijë e 600 lekë pa TVSH. Në procedurë mori pjesë vetëm kompania “BOSHNJAKU-A”, e cila u shpall fituese duke ofruar pikërisht çmimin minimal: 649 mijë e 600 lekë. Ndërsa Agjencia administron pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara me vlera të mëdha, në këtë rast aktiviteti i saj përfundon te shitja e 56 deleve, në një ankand pa konkurrencë dhe pa asnjë rritje mbi çmimin fillestar.
Njoftimi tregon gjithashtu se bagëtitë ishin nxjerrë edhe dy herë më parë në ankande të dështuara, në janar dhe në mars 2025. Kjo, shihet edhe si një skemë për uljen e vazhdueshme të vlerës nga njëra procedurë tek tjetra.
“E gjitha kjo është një procedurë që çon në uljen e vlerës së asetit me qëllim që shteti të përfitojë sa më pak lekë dhe blerësi që në 99% të rasteve janë të njëjtët persona që iu është marrë prona, të paguajnë sa më pak lekë”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Në një tjetër ankand, AAPSK ka shitur 2 mijë e 280 litra benzinë, e sekuestruar si produkt kontrabande. Vlera fillestare e ankandit ishte 103 mijë e 194 lekë të reja pa TVSH. Thënë ndryshe, 45 lekë për litër. Në procedurë mori pjesë vetëm kompania “BOSHNJAKU-A”, e njëjta që bleu edhe 56 delet në ankandin e cituar më sipër (shiten delet ne ankand).
Subjekti u shpall fitues i ankandit për vlerën 106 mijë e 290 lekë të reja, vetëm 3% mbi çmimin fillestar. Thënë ndryshe, afro 46 lekë për litër në një kohë që çmimi i benzinës në tregun e lirë përgjatë vitit 2026 ka kapërcyer mbi 200 lekë për litër. Njoftimi tregon se ankandi ishte publikuar të paktën dy herë, në janar dhe prill 2026.
“Ka ankande që bëhen një herë dy herë ose tre herë nëse janë të dështuara, pra prona nuk shitet dot me vlerën e caktuar dhe vendosë të dalë sërish në ankand. ligji parashikon që në daljen e dytë ose të tretë vlera e gjithë pronës ulët, fillimisht ulet me 20% më pas me 50% derisa shitet në nivel qesharak me çmimet që ka një pronë në treg, çka do të thtë që këtu kemi thjesht humbje”, u shpreh ekspertja e ekonomisë, Gertjana Hasalla.
Një ankand i rrallë pozitiv rezulton për pasuritë e sekuestruara të shoqërisë “Energji–Kalivaç” në pronësi të biznesmenit italian të dënuar nga drejtësia Francesco Bechetti. Fjala është për pajisje, makineri të rënda, automjete dhe impiantin e betonit në kantierin e hidrocentralit të Kalivaçit që nuk u ndërtua kurrë. Megjithëse procedura u ankimua dhe përfundoi vetëm pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik në shkurt 2026. Në këtë rast, pajisjet u shitën për vlerë më të lartë prej rreth 42 % nga procedura e parë.
Ankandi i fundit i shpallur nga Agjencia e Administrimit është sërish për bagëti. AAPSK nxori në ankand gjashtë viça të sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pra, ankandet e zhvilluara janë pikërisht të këtyre niveleve, sipas një raportimi të emisionit Top Story.
n.s. / dita
