Publicisti Veton Surroi ka hedhur sot akuza të rënda në drejtim të Baton Haxhiut, lidhur me marrëdhënie të këtij të fundit me shërbimin sekret serb
Në një reagim publik, Surroi shkruan ndër të tjera:
“Në vitin 1998, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e Sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinën, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të Sigurimit Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakalli. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë”
Në mbështetje të akuzave ai shton një episod nga gjyqi ndaj Milosheviçit.
“Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit (siç pretendon në deklarata të ndryshme) Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë”.
Surroi thotë gjithashtu se në 2005 Haxhiut i është refuzuar dhënia e shtetësisë shqiptare, por Presidenti ka shfrytëzua hapësirat ligjore për tia dhënë pa miratimin e Ministrisë:
“Më 2005 Ministria e Brendshme e Shqipërisë refuzoi dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit, pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan”
Veton Surroi është themelues i gazetës së përditshme Koha Ditore dhe një nga zërat më të rëndësishëm liberalë e perëndimorë prej viteve ’90, në Prishtinë. Ai njihet për kontributin në lëvizjen paqësore dhe në Negociatat e Rambujesë.
Baton Haxhiu është opinionist i angazhuar kryesisht në kanalin Klan. Vitet e fundit, prania e tij është zhvendosur fuqishëm në Tiranë, ku ai gëzon një pozicion ndikimi në debatin publik dhe një afërsi të hapur dhe funksionale me kryeministrin Edi Rama. Ai shfaqet rregullisht në studiot televizive të Tiranës duke mbrojtur ose interpretuar vendimet politike të qeverisë shqiptare, ndërkohë që në qarqe të caktuara është përfolur edhe si një lloj ndërmjetësuesi ose konsulenti jozyrtar në linjat e komunikimit të pushtetit qendror në Tiranë.
o.peci / dita
