Në një zhvillim që ka trazuar opinionin publik, figura e njohur e ekranit dhe producenti Ardit Gjebrea është thirrur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Prania e tij në dyert e institucionit të akuzës është dokumentuar përmes pamjeve filmike, ku Gjebrea shfaqet duke hyrë në mjediset e SPAK-ut.
Edhe pse detajet zyrtare nga organi i akuzës mbeten ende të rezervuara, burime të Ditës thanë se thirrja e tij lidhet ngushtësisht me zhvillimet dhe hetimet e fundit që po zhvillohen rreth kryetarit të burgosur të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Për momentin, nuk është bërë e ditur se cila fije apo provë konkrete e dosjes voluminoze ka nxjerrë në pah emrin e një prej ikonave të televizionit shqiptar.
Megjithatë, një detaj gjeografik dhe shoqëror ka nisur të qarkullojë me shpejtësi: Gjebrea dhe Veliaj janë fqinjë në zonën rezidenciale të Kodrës së Diellit.
Mbetet për t’u parë në orët në vijim me çfarë më konkretisht ka të bëjë thirrja e producentit të njohur.
o.p. / dita
