Artriti psoriatik është një nga format e shpeshta të artriteve që prek më shumë njerëzit që vuajnë nga psoriaza (që është një sëmundje e lëkurës e karakterizuar nga njolla të kuqe, të bardha, ose të argjendta). Ndër simptomat kryesore të sëmundjes janë dhimbja, ngurtësimi dhe ënjtja e nyjeve në çdo pjesë e trupit, duke përfshirë edhe majat e gishtave dhe shpinën.
Fillimi i sëmundjes mund të ndodhë në dekadën e katërt dhe të pestë të jetës, ku si meshkujt, ashtu edhe femrat janë të predispozuar për t’u prekur në mënyrë të barabartë. Artriti psoriatik është gjithashtu një sëmundje sistemike inflamatore që mund të shkaktojë inflamacione të tjera në të gjitha indet, apo organet e trupit, si për shembull sytë, veshkat, zemra dhe mushkëritë.
Shkaku i kësaj sëmundjeje mbetet akoma i panjohur. Megjithatë, thuhet se një kombinim i faktorëve gjenetikë, imunë dhe atyre mjedisore, mbetet si alternativë e mundshme. Faktor kryesor rreziku për zhvillimin e artritit psoriatik mbetet të pasurit e një familjari me psoriasis.
Kjo mbetet akoma si një pjesë e rëndësishme në anamnezën (historinë e sëmundjes) dhe shumë e dobishme për vendosjen e diagnozës. Padyshim që gjatë momenteve të ndryshme të jetës sistemi imuniar mund të kalojë periudha të vështira që mund të çojnë në acarimin e artritit psoriatik.
Vënia e diagnozës së artritit psoriatik është mjaft komplekse dhe kërkon një ekzaminim të kujdesshëm të pacientit, e cila fillon që me marrjen e kujdesshme të historisë së sëmundjes.
Trajtimi fillon që nga paraqitja e ankesave të para te mjeku i familjes dhe vazhdon me konsultimin me mjekët specialist, qoftë ai dermatolog për trajtimin e psoriasës, po ashtu edhe reumatologu për trajtimin e artritit. Gjatë kësaj ecurie, në varësi edhe të ndërlikimeve të sëmundjes, mund të lindë nevoja edhe për trajtime nga mjekë të tjerë, si për shembull kirurg- ortoped dhe specialistë të mjekësisë së sëmundjeve të brendshme. Gjithashtu janë të nevojshëm edhe mjekët e trajtimit fizioterapeutik. Trajtimi i këtij lloji artriti kërkon një ansambël të tërë mjekësh dhe ekzaminimesh laboratorike dhe radiologjike.
Artriti psoriatik nuk njeh ndonjë metodë fikse për ta parandaluar. E rëndësishme është që për ankesat që kemi të paraqitemi sa më shpejt tek mjeku i familjes. Për pacientët që janë të prekur nga artriti psoriatik ka rëndësi parandalimi i episodeve të reja.
Sa i përket simptomave kësaj sëmundjeje, mjekët thonë se vitamina D mund të ndihmojë në lehtësimin e tyre. Nuk ka asnjë dietë tjetër efektive, ose ushqime që duhen shmangur për llogari të kësaj sëmundjeje. I rëndësishëm është edhe forcimi i gjendjes imunitare të organizmit, ku rol të madh luan edhe përdorimi i vitaminës C, e cila shquhet për rolin e saj të fuqishëm kundër sëmundjeve inflamatotre. Prandaj përdorimi i vitaminës D dhe vitaminës C në doza dhe periudha të përcaktuara saktë nga mjeku, sipas studimeve të fundit, mendohet se luajnë një rol të fuqishëm në përmirësimin e ecurisë klinike të artritit psoriatik.
p.k\dita
