Kjo është një ngjarje misterioze dhe e mbajtur sekret, të cilën shtypi më i rëndësishëm francez i kohës ka tentuar t’a zbërthejë.
Zejnepe Vlora ishte një shqiptare e pasur e divorcuar, që pasi jetoi në Francë për disa kohë, më 22 dhjetor të vitit 1932 u mbart në kryeqytetin anglez, Londër. Një ditë më pas, në 23 dhjetor, ndërsa gjendej përballë monumentit të dëshmorëve, në Ëhitehall, piu një dozë “permanganat potasi”(permanganate de potasse) dhe vdiq ditën tjetër në spital.
Mjeku ligjor doli me përfundimin se zonja Vlora kishte bërë vetëvrasje.
Kush ishte Zeinep Vlora? Pse u vetëvra në Londër? E vranë apo u vetëvra?
Është impresionuese se sa shumë artikuj ka shtypi francez dhe britanik i asaj kohe për këtë ngjarje. Le Petit Parisien, L’Intransigeant, Le Journal, Le Populaire, Le Figaro, L’Humanité, Paris-soir etj, kanë shkruar rreth vrasje-vetëvrasjes.
“Rrethet diplomatike të disa vendeve”, shkruante Le Figaro, “janë përpjekur të parandalojnë zbulimin e detajeve të këtij rasti dhe as publiku, as shtypi nuk janë lejuar të marrin pjesë në hetim”.
“Viktima ishte një grua dyzet e dy vjeçare. E madhe, flokë ngjyrë të kuqe, shumë e bukur, e lidhur nga martesa me shtëpitë më të kamura të Shqipërisë. Thuhet se është mbajtur i fshehtë ky skandal, me qëllim mbrojtjen e “interesave kombëtare shqiptare” – shkruante Le Petit Parisien.
Një shpjegim më i thjeshtë i tragjedisë mund të gjendet në faktin se zonja Vlora, e cila ishte e divorcuar dhe pasi kishte jetuar më parë në luks, ishte në një situatë të afërt mjerimi. Flitej edhe për një zhgënjim dashurie.
Viktima ka lindur më 27 prill 1894, dhe quhej Zeinep Delvina. U martua, në vitin 1907 me Xhemil Vlorën. Për arsye të panjohura, të dy bashkëshortët u divorcuan. Znj. Vlora shkoi në Paris në muajin tetor të vitit 1932. Ajo shkoi në Londër më 22 dhjetor.
Sipas shkrimit të Le Journal, me titull “Vetëvrasja në Londër e një shqiptareje me prejardhje nga një familje fisnike”, të 2 shkurtit 1933, në faqen n°4, ajo kishte shkuar në Londër për të parë një nga kushërinjtë e saj, zotin H. M.Vlora, i cili ishte zyrtar në Legatën e Shqipërisë.
Ndërsa shkrimi i Le Populaire, me titull “Dashuria dhe mjerimi shtynë në vetëvrasje një grua, dikur e pasur”, i 2 shkurtit 1933, në ballinë, shton se në dokumentat e saj u gjet një telegram ku shkruhej: “Faleminderit me gjithë zemër. Xhemil”. Xhemil Vlora ishte burri i saj nga i cili ishte ndarë. Ajo nuk e gjeti atë në kryeqytetin anglez – shkruan media franceze.
Le Petit Parisien shkruan: Gjatë momentit të pranimit të saj në spital, e dëshpëruara, e cila po vuante tmerrësisht, kishte refuzuar me kokëfortësi zbulimin e identitetit të saj. Megjithatë, në një moment të caktuar, ajo shqiptoi fjalët “Zeinep Vlora”. Dhe ajo ndërroi jetë para se të vinte dikush për ta parë.
Gjatë dy muajve që zonja Vlora qëndroi në Paris, ajo kishte lënë përshtypjen e një personi jashtëzakonisht të mirë (një grua e shquar, elegante, por pafundësisht e trishtuar, – sipas shkrimit të Le Journal, me titull “Vetëvrasja në Londër e një shqiptareje me prejardhje nga një familje fisnike”, të 2 shkurtit të 1933, në faqen n°4.).
Por shtypi anglez hidhte version tjetër dhe jo atë të rënies nga vakti dhe zhgënjimit në dashuri.
“Ajo nuk u vetëvra për arsye banale dashurie. Daily Mail mendon se shefat e saj i nderprenë të ardhurat dhe nga kjo anë duhen kërkuar arsyet e vetëvrasjes. Shërbimi inteligjent mund t’a ketë urdhëruar që të zhduket. Organizata e frikshme e Britanisë së Madhe heq qafe agjentët që e bezdisin. Sido që të jetë, çështja e Zeinep Vlorës, pas Eydoux, tregon se sa aktiv është spiunazhi në këtë moment. Shenjë e padiskutueshme përgatitjeje për luftë” – shkruante kjo gazetë.
Një dramë, në rrethana tepër të çuditshme, që disa e konsiderojnë gjithashtu si epilog aventurash misterioze. Rangu që përfaqësonte viktima dhe mjediset që ajo frekuentonte, i dhanë me sa duket kësaj tragjedie një karakter sensacional dhe i shtynë gazetat të shkruanin shumë hipoteza.
Rubrika HISTORI e gazetës DITA