Tre vjet pas atentatit me tritol ndaj Preng Gjinit, Prokuroria e Tiranës pezullon hetimet dhe ia dërgon dosjen Policisë për gjetjen e provave të reja. Pas verifikimeve të shumta dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, duket se hetimi për këtë ngjarje nuk pati sukses në zbulimin e autorit të dyshuar dhe as motiv. Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se as vetë i dëmtuari nuk bashkëpunoi me hetimin aktiv, duke mos dhënë asnjë emër personi të dyshuar, që mund të ketë pasur konflikte. Si shumë ngjarje të tjera, edhe kjo dosje arkivohet për momentin, pa autorë nga prokuroria, ndërsa i është dërguar bluve të kryeqytetit. Gjithsesi pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes, për shkak të përplasjeve të përgjakshme mes dy fiseve në Rrëshen të Mirditës, me disa të vrarë vitet e fundit.
Atentati ndaj Gjinit ndodhi mesditën e 15 shtatorit të vitit 2020 në urën pranë “Parkut të autobusëve’, pranë ish-stacionit të parafundit të “Tiranës së Re”. fillimisht u raportua se kamerat e zonës kishin fiksuar një person, të veshur me xhinse blu dhe bluzë të zezë, i cili mbante një çantë të kuqe në shpinë dhe nga ku kishte aktivizuar bombën e vendosur nën makinë me telefon. Personi në fjalë, shihej nga pamjet teksa largohej me vrap nga vendngjarja. Hetuesit dyshojnë se ky person i fiksuar nga kamerat ka bërë pikërisht shpërthimin e telekomanduar, por edhe pse kanë kaluar tre vite nga ngjarja, nuk është mundur të identifikohej, duke lënë të kuptohet se ka qenë i ardhur nga jashtë dhe i paguar.
Në dëshminë e tij, ish-polici Preng Gjini ka deklaruar se nuk është në hasmëri me askënd dhe se nuk ruhej nga ndokush, pasi nuk ndihej i kërcënuar. Gjini i ka treguar policisë edhe lokalet dhe akset rrugore ku ka lëvizur dhe kryer takimet, ndërsa grupi hetimor ka vënë nën monitorim këto hapësira me shpresën se mund të gjejë ndonjë indicie apo gjë të dyshimtë. Kujtojmë se ai përdorte gjithmonë makinën e nipit të tij, sepse edhe i ruhej ndonjë sulmi, por mbetet mister fakti se si autorët arritën ta instalonin bombën poshtë saj. Shpërthimi u bë pasi Gjini u nda me një nga të afërmit, me të cilin ishte ulur në lokal. Ekspertët thanë se makina kishte 400 gramë tritol dhe u shkatërrua plotësisht, teksa qëllim ishte eliminimi fizik i Gjinit. Ai u plagos rëndë dhe mezi mbijetoi, teksa pësoi dhe gjymtime kritike dhe iu desh të kurohej në Turqi. Atentati mendohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, por në deklaratën e bërë nga vetë Gjini, e mohon këtë fakt. Preng Gjini është vëllai i Armando, ose Tonin Gjinit, nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në 12 gusht 2019, në një atentat në mes të Rreshënit. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi fatmirësisht ka mundur ta pikasë në kohë lëndën eksplozive, teksa vite më parë ishte ndaluar si ‘ushtar’ i Met Kananit në Turqi, për organizatën e narkotrafikut me mjete lundruese, përfshi dhe Greqinë. Por për mungesë provash u la i lirë më pas.
