Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Deri sa të vritet dikush?!
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Deri sa të vritet dikush?!
Lajmi i funditopinion

Deri sa të vritet dikush?!

Published: November 29, 2026
Shpërndaje

Redaksionale

Problemi nuk është vetëm plumbi i gomës që goditi edhe një deputet. Problemi është klima politike që po e bën dhunën gjithnjë e më të mundshme dhe papërgjegjshmërinë gjithnjë e më normale.

Sali Berisha, si zakonisht, e ka gjetur rastin për të kaluar nga një incident i rëndë në hiperbolizimet e tij të zakonshme. Nga një plagosje me plumb gome te pretendimi për një plan kriminal me qëllim vrasjen. Nuk ka nevojë për këtë lloj teatri. Nuk ka nevojë të shpallet një atentat për të dënuar një akt të papranueshëm policor. Nuk ka nevojë të bëhet sikur Shqipëria po përjeton një grusht shteti sa herë që ndodh një incident që i shërben propagandës bajate të dikujt që vetë ka vrarë për të mbajtur pushtetin.

- Publicitet -

Por nga ana tjetër, fakti që Berishës ka kohë që i ka plasur cipa, nuk e bën këtë që po ndodh më pak të rëndë. As nuk e lehtëson përgjegjësinë e Edi Ramës.

Kryeministri duket se nuk e kupton, ose nuk dëshiron ta kuptojë, se çfarë përgjegjësie ka për klimën që krijon. Një kryeministër nuk mund të sillet çdo ditë sikur kundërshtarët e tij janë armiq, protestuesit janë njerëz të manipuluar, studentët janë instrumente të dikujt dhe çdo zë kritik është pjesë e një komploti. Nuk mund ta ushqesh shoqërinë me një narrativë të përditshme urrejtjeje e përçmimi dhe pastaj të habitesh kur tensioni zbret nga ekrani në rrugë. Nuk mund ta trajtosh protestën si një bezdi personale, qytetarët e paqtë, njëjtë si dhunuesit, si një turmë që duhet rrahur, gjobitur e poshtëruar. Nuk mund të përdorësh arrogancën e faktit të kryer si metodë komunikimi dhe të presësh prej të gjithëve përulësi e qetësi.

Edhe policia është pjesë e këtij shteti dhe e kësaj klime. Nëse pushteti e paraqet veten si të paprekshëm dhe policia trajtohet si një strukturë që duhet të tregojë forcë përballë kundërshtarëve të qeverisë, nëse shpërblimet dhe privilegjet ndërthuren me një kulturë bindjeje ndaj pushtetit, krijohen kushtet për abuzime dhe sjellje si ato që po shohim vazhdimisht këto ditë.

Sigurisht, çdo efektiv le të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij. Por përgjegjësia politike për mënyrën se si funksionon shteti është e kryeministrit.

Këtu vjen edhe një kujtesë që Edi Rama do duhej ta kishte shumë të freskët. Në 21 janar 2011, kur ai ishte në opozitë, thirri shqiptarët në protestë pas publikimit të përgjimit Meta-Prifti, ku flitej për një aferë korruptive me 700 mijë euro. Ilir Meta dha dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit, ndërsa opozita pra Rama kërkoi me të drejtë përgjegjësi politike nga qeveria e Sali Berishës, deri në dorëheqjen e tij.

Sot, çfarë ka ndryshuar në standardin e Edi Ramës? Atëherë 700 mijë euro dhe një përgjim ishin arsye e mjaftueshme për të kërkuar dorëheqjen e Berishës. Sot, për dhjetëra milionë euro dhe përgjime të përditshme, dorëheqja qenka një kërkesë e tepruar?

Sigurisht, akuzat nuk janë vendime gjyqësore dhe askush nuk duhet të shpallet fajtor pa gjykim. Por kjo vlen për të gjithë, edhe për ata që Rama dikur i konsideronte arsye të mjaftueshme për t’u larguar nga qeveria. Apo standardi ndryshon sipas karriges ku je ulur?

Pse qenka kaq e vështirë të japë dorëheqje? Tetëqind mijë apo një milion vota, PS-ja i ka marrë si parti, jo si pronë private të kryetarit të saj. Edi Rama nuk është Partia Socialiste. PS-ja është shumë më e madhe se ngushtësia që po demonstron sot kryetari i saj. Është një histori, një elektorat, një strukturë dhe një traditë politike që nuk mund të reduktohen në fatin personal të një njeriu.

As Kushtetuta nuk e ka bërë kryeministrin të pazëvendësueshëm. Neni 105 parashikon qartë mekanizmin e mocionit konstruktiv të mosbesimit. Një e pesta e deputetëve mund të propozojë një kryeministër të ri dhe Kuvendi mund ta zgjedhë atë me të paktën 71 vota. E njëjta shumicë e re parlamentare mund të zgjidhë krizën fare lehtë duke propozuar një emër tjetër, edhe nga e njëjta forcë politike.

Ku është katastrofa? Çfarë shembet nëse Edi Rama largohet dhe PS-ja propozon një kryeministër tjetër? Pse duhet të digjet Tirana? Pse duhet të përplasen qytetarët me policinë? Pse duhet të plagoset dikush, apo të shkojmë deri te një viktimë tjetër, që një kryeministër të pranojë se nuk është i pazëvendësueshëm? Çfarë është kjo tabu e dorëheqjes? Çfarë ka në atë karrige që nuk mund të zëvendësohet? Pesha e pushtetit, e privilegjeve apo e dosjeve e bën largimin kaq të pamundur?

Argumenti se Shqipëria nuk mund të ecë drejt Bashkimit Europian pa Edi Ramën është një broçkull që fyen inteligjencën e një shoqërie të tërë. Shqipëria nuk është pronë e kryeministrit. Institucionet nuk janë pronë e tij. Procesi europian nuk është një marrëdhënie personale mes Brukselit dhe Edi Ramës. Një shtet që nuk arrin të zëvendësojë kryeministrin pa u shembur, nuk është një shtet funksional.

Nuk është e nevojshme të duash Berishën për të kërkuar largimin e Ramës. Dhe nuk është e nevojshme të mbrosh Ramën për të refuzuar dhunën dhe vandalizmin në protesta. Këto janë dy gjëra të ndryshme, që disa përpiqen t’i ngatërrojnë me qëllim.

Dje Berisha dhe të vetët bënë atë që të gjithë e dimë. Sot, të njëjtat gjëra që dikur i denonconim te Berisha dhe qeveria e tij, i kemi shumëfishuar nën Ramën dhe të vetët. Arroganca, abuzimi me pushtetin, nepotizmi, emërimet klienteliste, korrupsioni dhe gjithë ato tipare të qeverisjes së Berishës jo vetëm që nuk u zhdukën, por u trashëguan, u zgjeruan dhe u bënë pjesë e një pushteti edhe më të përqendruar.

A do të presim derisa të përsëriten edhe vrasjet e 21 Janarit? Derisa të derdhet sërish gjak, që dikush të kuptojë se pushteti nuk është i përjetshëm?

DITA

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Deri sa të vritet dikush?!
  • VIDEO: Pse qëlloi? Dalin pamjet e plota, polici i sigurt mes dy kolegëve, papritur kthehet, ngre pushkën dhe qëllon deputetin
  • FOTO-VIDEO: Pezullohet polici që qëlloi deputetin. Demo: Veprim individual, Berisha i ve vulën: U dha urdhër nga Rama që të vritej
  • Ministri kërkon pezullimin e efektivit që qëlloi me plumb gome deputetin e PD
  • FOTO: Policia qëllon edhe deputetin Kliti Hoti me plumb gome

Komentet e Fundit

  1. Vlora 97 on FOTO-VIDEO: Pezullohet polici që qëlloi deputetin. Demo: Veprim individual, Berisha i ve vulën: U dha urdhër nga Rama që të vritej
  2. TIRONA on FOTO-VIDEO: Pezullohet polici që qëlloi deputetin. Demo: Veprim individual, Berisha i ve vulën: U dha urdhër nga Rama që të vritej
  3. Esat on FOTO-VIDEO: Pezullohet polici që qëlloi deputetin. Demo: Veprim individual, Berisha i ve vulën: U dha urdhër nga Rama që të vritej
  4. Xen Bolja on FOTO-VIDEO: Pezullohet polici që qëlloi deputetin. Demo: Veprim individual, Berisha i ve vulën: U dha urdhër nga Rama që të vritej
  5. Genti on FOTO-VIDEO: Pezullohet polici që qëlloi deputetin. Demo: Veprim individual, Berisha i ve vulën: U dha urdhër nga Rama që të vritej

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?